Vendimi i Gjykatës së Strasburgut: Qeveria “Rama” shkeli të Drejtat e Njeriut. “Shqipëria të paguajë 13 milionë euro për pallatin e vjehrrit të Bashës”

Qeveria shqiptare duhet të paguajë 13 milionë euro për vendimin e shkatërrimit të një pallati banimi të pajisur me leje të rregullt në Vlorë. Ky është vendimi i Gjykatës së Strasburgut që ka rrëzuar qeverinë Rama për çështjen e pallatit të shkatërruar në Vlorë në vitin 2013 për ndërtimin e ‘Lungomares’. Kjo Gjykatë ka vendosur se qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut dhe urdhëron qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë familjarët e dëmtuar nga shembja e pallatit.

Kështu qeveria shqiptare duhet tu paguajë jo pak, por plot 13 milionë euro familjarëve të dëmtuar nga shembja e ndërtesës. Objekti i quajtur kompleksi “Jon” ishte ndërtuar në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë u rrafshua pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013. Ky pallat që njihej ndryshe edhe si pallati i vjehrrit të kryetarit të Partisë Demokratike, u bllokua aso kohe nga forca të shumta policore në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

Pas këtij veprimi banorët e godinës 8-katëshe nuk u lejuan të hyjnë brenda dhe më pas u krye shembja e objekti me mjete teknike. Ishte Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Tahiri atë kohë, ajo që kishte depozituar një padi ndaj këtij pallati. Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kallëzoi penalisht në prokurori tre gjyqtarë të rrethit të Vlorës, dy pronarët e truallit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, ky i fundit vjehrri i Lulzim Bashës, anëtarë të KRT së bashkisë Vlorë si dhe zyrtarë të hipotekës Vlorë.

Tahiri i kallëzoi këta persona për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim “falsifikimit të dokumenteve” dhe “Përvetësimit të ambjenteve publike”. Përpos këtyre emrave, në mesin e personave që kishte votuar “pro” ndërtimit të këtij objekti ishte edhe kryebashkiaku socialist Shpëtim Gjika.

Ndërkohë që qeveria miratoi shpronësim në masën 4.6 milionë dollarë për këtë shembjen e këtij ndërtimi. Ishte pikërisht kjo shumë e miratuar për dëmshpërblim që nuk i kënaqi banorët e prekur nga shëmbja e pallatit. Këta të fundit u shprehën se apartamentet i kanë blerë me një çmim prej 1300 euro metro katror, ndërkohë që qeveria vendoste t’i shpëprblente me 570 mijë lekë të vjetra. Sipas tyre kjo është një padrejtësi totale dhe se shumë shpejt vendimin e qeverisë, do e kundërshtojnë në gjykatë. Dhe pikërisht kështu ndodhi, kur më vonë ata e dërguan këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut, duke e fituar këtë çështje kundër qeverisë shqiptare dhe duke e detyruar këtë të fundit tu paguajë plot 13 milion euro.