Vdiq ish-komandanti i kroatëve të Bosnjës, Slobodan Praljak, piu helmin kur gjykata e Hagës e shpalli atë fajtor

Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi, konfirmoi se komandanti i forcave të kroatëve gjatë luftës së Bosnjës, Slobodan Praljak, vdiq pasi piu helmin në kohën kur gjykatësit e Kombeve të Bashkuara në Hagë hodhën poshtë apelin e tij ndaj dënimit me 20 vjet heqje lirie për krime kundër myslimanëve të Bosnjës.

Slobodan Praljak, 72 vjeçar, piu nga një shishe e vogël në çastin kur gjykata shpalli mbetjen në fuqi të dënimit të tij me 20 vjet heqje lirie për krime lufte ndaj myslimanëve boshnjak.

“Unë nuk jam kriminel lufte, unë e kundërshtoj këtë dënim” tha ai pasi piu përbërjen për të cilën edhe avokatja e tij tha se ishte helm. Më pas ai vdiq në një spital në Hagë.

Slobodan Paraljak dhe pesë të tjerë kishin apeluar vendimin e gjykatës të vitit 2013 që i dënonte ata me nga 10 deri në 25 vjet heqje lirie. Jadranko Përliç, Bruno Stojiç, Slobodan Praljak, Milivoj Petkoviç, Valentin Coriç dhe Berislav Pusiç, qenë dënuar për 26 akuza për përfshirje në një plan për dëbimin e përhershëm të myslimanëve të Bosnjës dhe krijimin e ‘një territori kroat” që do të përfshinte edhe qytetin jugor të Mostarit.

Akuzat përfshinin krime të vrasjeve, torturave, dëbimeve, përdhunimeve, trajtimeve çnjerëzore, shkatërrimit të pronës dhe terrorizimit të popullsisë.

Seanca e sotme u hap një javë pasi që Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm ish komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, nën akuzat për gjenocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Mbi 100 mijë veta u vranë dhe mbi 2 milionë u zhvendosën gjatë luftës në Bosnjë.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe 31 dhjetori i këtij viti shënon edhe fundin e punës së saj. Ajo është gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u ngrit në mes të luftës së Bosnjës.

Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 83 prej të cilëve janë dënuar. Në mars të vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. VOA