Vdes Mirash Vuksani, shuhet një prej “gladiatorëve” të tapetit të mundjes shqiptare

Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare legjenda e mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare Mirash Vuksani. Një nga emrat e mëdhenj të këtij sporti ka mbyllur sytë përgjithnjë, duke na dhëne lamtumiren të gjithëve ne, por duke lëne pas një emër të shkëlqyer si sportist dhe njeri.

Mirash Vuksani konsiderohej gjerësisht nga specialistët si një prej mundësve më të fuqishëm dhe më të talentuar të tapetit shqiptar. Që në fillim të shërbimit ushtarak u peshkua nga Profesor, Ali Kastrati për klubin e “Partizanit”, për ngjyrat e të cilit luajti deri në vitin 1965.

Ishte viti 1960 kur ai debutoi për herë të parë në dy disiplina sportive, ngritje peshash dhe mundjen klasike, duke u shpallur kampion në secilën disiplinë. Nga viti 1960 deri më 1965, Mirash Vuksani ka veshur fanellën e kuqe të “Partizanit”, duke fituar radhazi trofetë e çdo viti.

Me të ardhur në Shkodër në vitin 1966, Vuksani do të “hakmerrej” ndaj rivalëve të “Partizanit” duke i dhuruar “Vllaznisë” trofeun e kampionit individual dhe atë të Kupës së Republikës. Mirashi ishte në mundës i tillë, i zoti, që edhe në rrethana të vështira dinte të ndryshonte rrjedhën e dyluftimit në favorin e tij.

Ekipi i Vllaznisë-Mundje Klasike-viti 1975, protagonist kryesor i mundjes shqiptare (Lart nga e majta në të djathtë-Iljaz Guri, Nikoll Grima, Naim Pepa(trajner), Ali Murrizi, Mirash Vuksani Poshtë nga e majta në të djathtë-Pal Marku, Fasli Zylja, Agim Sula)

Mirash Vuksani mbretëroi gjatë dhe në mënyrë absolute në mundjen klasike shqiptare, duke mbetur shembull frymëzues për gjenerata kampionësh në të ardhmen. Ligjësitë dialektike të moshës e spostuan fillimisht nga froni, pastaj edhe nga tapeti, por Mirash Vuksani mbetet mundësi më i forti i gardës së vjetër, fitimtar në qindra mejdane, kampioni i pathyeshëm, më trimi, më luftaraku, një kockë e fortë që nuk e kapërdinte dot askush.

Në formimin e tij si kampion kanë meritën dhe vulën e tyre profesorët e shquar të tapetit shqiptar, Ali Kastrati, i cili e peshkoi e rriti dhe formoi si kampion. Në radhë do të ishte, Qazim Elbasani që e udhëhoqi urtësisht e bujshëm drejt majave më të larta. Për të vijuar me, Eljaz Ahmeti dhe Naim Pepa, që i siguruan jetëgjatësinë maksimale e dinjitoze në tapet. “Mjeshtri i Merituar” i Sportit i vlerësuar nga Klubi Shumesportësh “Vllaznia” si “Mundësi i Shekullit”.

Me ndarjen nga jeta te tij, sporti shkodran dhe ai shqiptar kanë humbur një LEGJENDE. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet me te sinqerta familjes Vuksani për humbjen e njeriut te saj te dashur, e po ashtu edhe Sportklub Vllaznia për humbjen e nje ikone te tij. Ceremonia e varrimit te tij do te zhvillohet ditën e nesërme, e premte 6 shtator 2019.