Vasel Gilaj: Zëri kushtrues i “Malësisë”

Nga Vasel Gilaj

Malësia vazhdon të dalë. Kjo mundësi e shfletimit të historisë, e ndërmëndjes dhe mirënjohjes për jetën dhe veprën e patriotëve dhe personaliteteve të shuara të kësaj krahine, është një detyrim moral dhe nacional. Ishin, janë dhe do të jenë ata, të cilët me veprën, me aktin e tyre heroik, me kumtin e tyre krijues, kanë lartësuar dhe do të mbajnë në pjedestal namin e mirë dhe zërin e kreshnik të Malësisë së madhe.
Përkundër vështirësive të kohës, ne sfidojmë, sepse edhe përpjekjet e tyre, edhe vepra e tyre, gjaku që derdhën dhe jeta që nuk kursyen ishte një obligim i shenjtë, ishte një ëndërr që na cyt sot nëpër realitete dëshirimesh patriotike dhe ngulmesh, që ata të jenë brez pas brezi pishtari që do të vazhdojë të shndrisë rrugën tonë të ngadhënjimit, udhën tonë të progresit.
Gazeta “Malësia” që në numrin e saj të parë e deri sot, ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut modest për përfaqësimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave që Malësia e Madhe ka patur dhe do të ketë. Para së gjithash çdo përpjekje e jona sot që “Malësia” të kushtrojë, është që e shkuara më shumë se gjaku në dejet e malësorëve, të jetë kryenaltësia e gjeneratave, një mburrje e merituar dhe një nder që obligon. Zhvendosjet e shumta, lëvizjet demografike, ndjekja e qiejve të shqipes, çdo ditë e më tepër e konsideron të domosdoshme që zëri i “Malësisë” të kushtrojë. Bijtë tanë, bijtë e bijve tanë duhet të ushqehen pareshtur me jehonën e këtij zëri kushtrues, duhet të rriten dhe të brymosen me aktin e pashembullt të patriotëve, të cilët çmuan kaq shumë vatanin, çmuan kaq shtrenjtë lirinë sa nuk kursyen që në themelet e saj të bënin fli jetët e tyre.
Sot dhe mot, ka qenë, është dhe do të jetë obligim i çdo malësori, i çdo patrioti që jo vetëm “Malësia” pot çdo votër kuvendimi të vazhdojë të shtrohet në përvjetore dhe gazmime, në përkujtime dhe ditë solemne. Atje janë rrënjët tona, dhe që kjo pemë të vazhdojë të harliset në krahët e jetës duhet ta ushqejmë, të kujdesemi për të pareshtur.
“Malësia” ka shumë të falënderojë të bëjë, që nga ata që e mundësuan financiarisht, tek ata që kontribuan me materialet e tyre, deri tek ata që do ta lexojnë dhe do të dëshirojnë të dëgjojnë ende zërin e saj.
Sepse janë ata, jeni ju, që ky kushtrim, kjo jehonë, të dëgjohet.