“Vallja e vdekjes”: Misteri i Evropës mesjetare, të prekur nga epidemia e murtajës

Shumë kohë përpara se bota të prekej nga “Beatle-mania”, një lloj tjetër manie përfshiu Evropën, që do të zbulonte lidhjet me forcat demonike, kultet fetare dhe drogat halucinogjene. Mania e vallëzimit ishte një fenomen social i çuditshëm, që nuk është sqaruar ende sot.

Ajo është regjistruar gjatë gjithë historisë së Mesjetës, me dëshmitë më të hershme që datojnë nga shekulli VII-të. Simptomat ndryshonin, por kishte një konstante – personat e “infektuar” do të lëviznin në grupe, duke kryer diçka të ngjashme me vallëzimin, ndërsa trupat e tyre do të shkundeshin nga spazmat, duke i tmerruar ata që i vëzhgonin.

Njerëzit që merrnin pjesë në këtë aktivitet, nuk dukeshin të ishin të vetëdijshëm. Në një lloj gjendjeje transi, mania për të vallëzuar e një personi do të zgjaste për ditë, javë dhe në disa raste për muaj. Dhe kjo nuk qe diçka qesharake, pasi njerëzit e prekur nga ky fiksim i veçantë do të vdisnin me raste nga lodhja apo uria.

Në vitin 1237, në Erfurt të Gjermanisë, një grup fëmijësh treguan shenja të manisë së vallëzimit, pasi udhëtuan 15 kilometra për në qytetin e afërt të Arnshtadit, duke vallëzuar dhe duke kërcyer gjatë gjithë udhëtimit të tyre. Pasi mbërritën në destinacion, u rrëzuan përtokë si pasojë e rraskapitjes. Një kronikë që ndoshta daton nga koha e ngjarjes, pohon se shumica e fëmijëve vdiqën shumë shpejt, dhe ata që mbijetuan u prekën nga një sëmundje e përhershme mendore, e shoqëruar me të dridhura të forta në trup. Ka të ngjarë që ishte kjo apo histori e ngjashme, ta kenë fillesën nga legjenda e “Piper Piper” e Hamelinit – një përrallë popullore mbi një piper me fuqi të mbinatyrshme, që çon një grup fëmijësh drejt vdekjes, si një akt hakmarrjeje kundër qytetarëve që refuzuan të paguajë për shërbimet e tij, për zhdukjen e minjve në kohën e epidemisë së murtajës.

I lindur në Erfurt, Justus Friedrih Karl Heker shkroi një libër të botuar më 1888-ën, me titull “Vdekja e Zezë dhe mania e vallëzimit”, në të cilën ai përmblodhi libra të shumtë mbi këtë dukuri, lidhur me pasojat e tmerrshme të murtajës bubonike, që arriti kulmin e saj në Evropë në mesin e shekullit XIV-të. Në libër, Heker – një mjek në profesion – e përshkruan dalldinë e vallëzimit si një reagim ndaj viteve të Vdekjes së Zezë, ose siç ishte quajtur ndryshe epidemia e murtajës. Ai besonte se lëngimet e shkaktuara nga sëmundja, u shfaqën në mënyrë indirekte në formën e një çmendurie kolektive.

Është sigurisht e vërtetë se pandemia, e cila fshiu një të tretën e popullsisë së botës, la pas një efekt shkatërrues në psikikën njerëzore. Një nga shpërthimet më të mëdha të manisë misterioze të vallëzimit ndodhi në Ahen të Gjermanisë në vitin 1374. Mijëra njerëz të tërbuar, kërcyen për disa javë me radhë. Përshkrimi i Hekerit mbi atë tubim çuditshëm, evokohet në vizionet paksa infernale, të ngjashme me miniaturat e Hieronimus Bosh: Ata formonin rrathë të kapur për dore dhe duket se e kishin humbur të gjithë kontrollin mbi shqisat e tyre, duke kërcyer vazhdimisht, pavarësisht nga kalimtarët që i shihnin, për orë të tëra së bashku, në një delir të egër, derisa më në fund u plandosën përtokë në një gjendje raskapitëse. Ata ankoheshin më pas për shtypje ekstreme në gjoks dhe rënkonin si të ishin në agoni, derisa vishnin rrobat e lidhura ngushtë rreth belit të tyre dhe mezi e merrnin veten, deri në sulmin e ardhshëm të kësaj manie.

Kisha kishte që në fillim dyshime mbi këto ngjarje. Shpjegimi teologjik, ndahej në tri kategori: njerëzit e prekur nga ‘vallja e murtajës’ ishin nën kontrollin e djallit, ishin të mallkuar nga një shenjtor, me siguri nga Shën Gjoni ose Shën Vitusi. Shpjegimi i tretë ishte se kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një bandë heretikësh, të cilët përmes maskës së çmendurisë gjetën një shteg për të praktikuar të pashqetësuar ritualet e tyre të pahijshme. Ndërkohë edhe përdorimi i halucinogjenëve u konsiderua gjithashtu si një shpjegim i mundshëm nga kisha dhe autoritetet bashkëkohore. Njerëzit iu lutën shenjtorëve të lashtë për falje.

Nga Aheni, mania u raportua të përhapej në Utreht të Holandës dhe Liezh të Belgjikës. Rreth asaj kohe, një raport nga qyteti i Metzit në Francë, pohonte se mbi 11 mijë njerëz kishin marrë pjesë në një dukuri të tillë. Qyteti i pasur tregtar, u shndërrua në një tubim të çuditshëm të të çmendurve. Numri i të vdekurve po rritej, teksa “kërcimtarët” rrëzoheshin përtokë si gjethet, pas një kohe të gjatë duke kërcyer dhe vallëzuar. Për të zbutur vuajtjet e tyre, në sfond luhej muzikë, dhe për t’i mbajtur larg rrugëve, sallat e mëdha të gjahut u përshtatën për të mbajtur një numër të madh njerëzish. “Të sëmurët” do të futeshin në këto struktura, së bashku me muzikantët dhe i gjithë spektakli i ngjante një koncerti muzikor modern.

Shumë vetë vdiqën nga sulmet në zemër, pasi i shtynë trupat e tyre në kufijtë ekstremë të lodhjes. Përgjatë historisë, ekspertët janë përpjekur ta shpjegojnë në mënyrë mjekësore këtë dukuri, por që të gjithë kanë dështuar të shpjegojnë siç duhet shkaqet e asaj histerie. Një nga teoritë më të njohura, pohon se arsyeja kryesore pas kësaj manie masive ishte helmimi nga ‘Claviceps purpurea’, një kërpudhë e njohur që infektonte thekrrin dhe drithërat e tjera, në një gjendje të quajtur ergotizëm. Simptomat e helmimit nga ergoti përfshinin halucinacione, konvulsionet, delirin, psikozën, ndjesitë e dhimbjes së tmerrshme në gjymtyrë dhe kokë dhe që mund të shkaktojë dëme të rënda në sistemin nervor qendror. Të tjerë mendojnë se simptomat janë të ngjashme me encefalitin, epilepsinë dhe tifon, por asnjë nga këto shpjegime nuk mund t’u përgjigjet të gjitha simptomave të përshkruara në kronikat historike.

Në Itali, një fenomen i ngjashëm shoqëror i quajtur “tarantella”, i atribuohet kafshimit të merimangës. Helmi i prodhuar nga merimangat ose akrepat, mendohej se shkaktonte një çmenduri të tillë, por ky skenar vështirë se mund të ndodhë me një numër kaq të madh njerëzish.

Edhe pse burimet janë të pakta dhe jo të besueshme, të gjithë bien dakord se fenomeni nuk ishte një trillim. Ai ka ndodhur vërtet, dhe ishte rasti më i hershëm i një epidemie psikike që tronditi botën e Evropës mesjetare teksa murtaja kishte nisur të tërhiqej, duke lënë pas më shumë se 350 milionë të vdekur në mbarë botën. /VintageNews/Bota.al/

Leave a Reply