Vaksina e Rusisë për Corona-n: “Një kritikë absolutisht e pabazuar”

Kritikat për vaksinën ruse për Coronan janë të shumta. Edhe në Rusi, studiuesit dyshojnë në efektivitetin e saj. Por zhvilluesit dhe autoritetet e mbrojnë “Sputnik V” dhe shohin një fushatë politike pas skepticizmit.

Një autor rubrikash për transmetuesin shtetëror rus Sputniknews e përshkruan valën e kritikës si një raund tjetër të luftës së informacionit, në të cilën e kanë futur Rusinë.

Vaksina e sapaprovuar nga Rusia shikohet me shumë dyshim. Reagimet e studiuesve nga e gjithë bota deri tani nuk i kursejnë asnjë kritikë. Kurse në Rusi, njerëzit kanë tendencë ta perceptojnë kritikën sikur vendet e tjera po kërkojnë qime në qull.

“Kolegët e huaj me sa duket e shohin veten në njëfarë gare dhe i ndiejnë avantazhet ndaj konkurrencës të vaksinës ruse. Ata shprehin kritika, që nga pikëpamja jonë janë absolutisht të pabazuara”, tha ministri rus i Shëndetësisë Mikhail Muraschko në përgjigje të dyshimeve nga komuniteti global i shkencëtarëve.

Në faqen zyrtare për pandeminë, profesori Sergej Tsarenko i kundërshton kritikat e kolegëve të huaj. Prodhues të vaksinave të tjera janë ata që e financojnë fushatën në medie, janë po ata pas të ashtuquajturve ekspertë, shkruan ai. Mjekët profesionistë, sipas tij, turpërohen kur vënë re këtë publicitet të fshehtë.

Një lëvizje e papritur e Kremlinit

Në Rusi, media kritiket ndaj Kremlinit dhe ndaj mediave shtetërore e shohin aprovimin e vaksinës si një lëvizje të papritur të Kremlinit që e ka bërë qeveria – dhe mbi të gjitha kreu i shtetit Vladimir Putin. “Fjala e ditës – dhe ndoshta e vitit: ‘Sputnik V’, V për vaksinën, një vaksinë kundër virusit Corona” – kështu nisi programi kryesor i lajmeve në kanalin e parë të televizionit shtetëror rus.

Vaksina ruse Vaksina ruse

“Unë besoj se shpikja e vaksinës në Rusi do të jetë suksesi më i madh për imazhin e Vladimir Putin-it. Suksesi i vitit”, thotë gazetari Andrei Archangelskij në kanalin kritik ndaj qeverisë Echo Moskwy.

Vaksina është e thjeshtë – si çdo gjë gjeniale, lëvdojnë disa studiues rusë. Askush në botë nuk e ka pasur zgjuarsinë për ta shpikur diçka të tillë.

Prodhimi në masë më vonë këtë muaj

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore po përgatiten për prodhimin në masë. Dy firma do ta prodhojnë në vend vaksinën. Që në gusht. Edhe jashtë vendit do të prodhohet vaksina ruse, në pesë vende, tha Kirill Dmitrijew, kreu i fondit të investimeve, i cili bashkëfinancon studimin: “Brazili, Lindja e Mesme, vendet aziatike. Detaje rreth kësaj do të japim më vonë këtë muaj. Sepse ka sigurisht presion të madh ndaj shumë vendeve, ndaj shumë ndërmarrjeve, për të mos bashkëpunuar me Rusinë për vaksinën. Ne po shohim shumë sulme informimi. ”

Shumë kompani dhe politikanë perëndimorë, sipas autoriteteve shëndetësore ruse, me sa duket nuk duan që një vaksinë nga Rusia të bëhet standard në botë.

aud (tagesschau)

DW