“Ushtria e Titos” vazhdon të mësohet nga nxënësit e shkollave të muzikës në Kosovë

Vepra e quajtur “Ushtria e Titos”, e cila si vepër muzikore nga kompozitorë serbë, është në partiturat e librave për klasat e para dhe të dyta në shkollën e ultë të muzikës.

Edhe pse kjo vepër injorohet nga shumica e mësimdhënësve, ka edhe nga ata që e praktikojnë me nxënësit e tyre. E tërë kjo ndodhë për shkak se tani e 20 vite në sistemin e mësimit muzikor instrumental nuk ka një libër përmbledhës të veprave të kompozitorëve shqiptar dhe atyre të huaj.

Në librat e përmbledhura me vepra muzikore, të cilat përdoren në shkollat e muzikës në Kosovë, janë të pranishme veprat nga autorët botërorë, por vepra të shumta janë edhe nga kompozitorët serbë. Madje libri në tërësi është në gjuhën serbe. Këto libra përdorën në shkollat tona, tani e 40 vite.

“…ne kemi mungesë të veprave për nxënësit fillestar të klasës së parë dhe të dytë, pse fëmijët tanë të mos jenë të njohur me veprat e kompozitorëve shqiptar…”, tha për televizionin publik, Iliriana Kuriu-Mustafa – profesoreshë e pianos.

Dhjetëra kërkesave drejtuar Ministrisë së Arsimit lidhur me këtë çështje, këta të fundit nuk u janë përgjigjur.

“Ne kemi bërë kërkesë për punën e planprogrameve të reja në MASHT, nuk na janë përgjigjur ende dhe aty menjëherë neve na bëhen pengesat për me shku më tutje, të dalin konkurset për hartimin e librave, pastaj të përshtatshëm dhe nga kjo ne po mbesim jashtë lojës nga ana e Ministrisë…”, tha Violeta Krasniqi, Drejtoreshë në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

Kompozitorët vënë në dukje se përgjegjësit e shëndetit kulturor të popullit, që janë Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit, janë fajtorët kryesorë në këtë çështje të cilët nuk nxisin njerëzit, shoqatat, botuesit që kjo gjendje të përmirësohet.

Kompozitori Rafet Rudi tregon se edhe në këto momente ka vepra muzikore të gatshme nga kompozitorët shqiptarë për mësimin e të gjitha instrumenteve muzikore.

“Unë si udhëheqës i një festivali muzikor ‘ReMuzika’, kam marrë një iniciativë vite më parë në kuadër të festivalit, që të porosis vepra nga autorët tanë, autorët e rinj, vepra të shkruara pedagogjike-didaktike të shkruara mbi bazën e muzikës shqiptare dhe nga ky festival vite me radhë janë mbledhur 100 e më shumë vepra apo vepërza të dedikuara fëmijëve dhe ato kanë qenë të suksesshme, por me kohë e kam parë se nuk i bën përshtypje donatorëve, financiarëve, Ministrisë e kështu me radhë, dhe ai aktivitet është ndalë”, tha Rudi.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, pavarësisht insistimit të RTK-së, nuk pranuan të deklarohen rreth kësaj çështjeje.