Unë besoj te mrekullia e ngjalljes së Jezu Krishtit, sepse kam nevojë për shpresë, shpëtim dhe shpërblim

Nga Albert Vataj
 
Unë besoj te shpërblimi që Zoti më dha në Natën e Madhe me ngjalljen e Jezu Krishtit, në ditën e pashteruar të dritës që më kthjelloi pamjen dhe më udhërrëfeu ardhjen, më mëson përuljen dhe më ledhaton me krenarinë, më mëkon diell e më shpërblen me përjetësinë.
Unë besoj, sepse ka ende errësirë në udhën time. Sërish, dyshimi më shuan pamjen që më duhet të të shoh Ty. Vesi më ngushton shtegun e vetëkënaqësia ma pështjellon rrugë. Etja për para e babëzia për pasje e përvetësim, më zbraz, gjithçka që ndrin në mua ma kaplon terri i shterrimit.
Unë besoj sepse kam nevojë për shpëtim.
Gjithçka nis në shpirtin tënd, aty ku gjithnjë ka nevojë për shpresë, besin dhe dritë. Prej aty zëfill çdo udhë që të tregon sfidat e jetës, për të mësuar të gjunjëzohesh në madhështinë që të lartëson. Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse të Jezusit të Ringjallur. Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe, ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.
Misteri i Dritës vjen me Të dhe zë vend në shpirtin tënd, në sytë e tu, në zemrën e zërin tënd. Sepse ajo është drita, që jeton në sajë të flijimit, në saj të besimit që më shpërblen me riardhjen Tënde. Qiriu ndriçon, duke shkrirë vetveten, shuhet duke më ndritur, vdes duke më mrekulluar me ngjalljen. Jep dritë e ngrohtësi ky shkas mrekullimi, duke dhuruar vetveten.
Deri në fund të fundit! Bëhet, kështu, simbol mahnitës i misterit të Pashkës së Krishtit, i cili, duke dhuruar vetveten, na jep Dritën e madhe.
Në këtë cak të shpërblesës që meritoj, në të hyjshmin bekimin e Emri dhe vullnesës Tënde, Jezu Krisht, jam i prekur në çdo përçapje ndritjeje me mrekullinë e ringjalljes, mëkimin e dritës.
Ti që ke lënë veten në mëshirën e mëdyshjes dhe dyshimit, ti që lëngon në peshën e përdhunës së vesit dhe pështjellimit, ti që vuan nga e pamundura e së mundshmes të pakufishme, ti që dashurinë e kë kthyer në plaçkë dhe shet e blen me mish e nder gjithçka që të mungon pa mundur të shpëtosh nga skamja dhe bollëku, ti që gjithçka ia atribuon vetvetes duke mohuar se çdo gjë që të mbush zemrën është shpërblimi që meriton, ti që ke nevojë për gëzim, mirësi, dashuri dhe begati, beso te mrekullia e ngjalljes, beso te drita që të ndrin ditën, drita që të mbush shpirtin, beso te dhurata që Hyu sjell në prehrin tënd, në vullnetin tënd për të besuar te Ai.
Mrekulloftë shpirtin tuaj kjo prekje mrekullie që zbret nga qielli këtë ditë të madhe,
këtë ditë të Ngjalljes së Krishtit,
këtë ditë të përtëritjes së shpresë dhe besimit,
këtë ditë të të themeltave forca sublime që drejtojnë jetën tonë.
Ti që dyshon, nuk ke mëkatuar.
Askush nga ne nuk është i përsosur, por çdo besim te ringjallje na sjell dritën në mundësitë tona për të parë më qartë veten, të tjerët, rrugën që bëjmë dhe veprën që na përfaqëson.
Unë besoj te ringjallja, besoj sepse ndjej, ndjej në veten time nevojën për këtë energji, për këtë dritë, për këtë mrekulli që vjen për të më treguar rrugën që më çon te gjithçka që dua, te gjithçka që meritoj.
Në kohën e sotme mosbesimi nuk është vetëm një trend, shumë më shumë, është një rrënim i shpresë, një dorzanje e vetes në duart e të rastësishmes, në mëshirë të dëshpërimit dhe fatalizmit.
Sot Ngjallja e Krishtit është sublime e të drejtës për të ndaluar tatëpjetën e mëtejme në boshin e kotësisë, vulgariteteve dhe kohëvrasjes.
Kurrë nuk është vonë për të thënë MJAFT,
… mjaft, nuk dua të jem më një viktimë,
dua të ringjallem,
dua të përtërihem,
dua të nis të ndërtoj vetën dhe botën time siç unë e meritoj,
dua që çdo ëndërr të më përcaktojë themelet e dëshirimeve të realitetit,
dua të jem ai/ajo për të cilën nuk duhet të pendohem një ditë,
dua të jem shëmbëllim i asaj krenarie që duke lumturuar fëmijët tanë do të na motivojë në çdo përpjekje tonën për të ndryshuar duke sfiduar të sotmen.
Dua shumë gjëra, të cilët sot më mungojnë!
Do ti kesh të gjitha ti i zgjedhuri, ti që mban mbi vete shëmbëllimin e të përsosurës, t’i që ke në vullnesë atë që krijuesi të ka besuar.
Duaj çfarë të duash dhe gjithçka do të jetë e mundur në saj të besimit që ngjallet sot, që rivjen sot në jetë përmes shembullit të së përsosurës, birit të perëndisë, të lumtit Jezu Krisht!
Amin!