Udhëheqësit e BE-së shqyrtojnë reforma të reja të emigracionit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë reformat për të zgjidhur krizën e imigracionit ndërsa filluan një takim dy-ditor të nivelit të lartë të enjten në Bruksel. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se takimi mund të vendosë fatin e vetë bllokut, i cili është përballur me ndasi të thella për trajtimin e krizës së imigrantëve. Takimi vjen mes paralajmërimeve se lëvizjet autoritare dhe “antievropiane” do të përfitojnë në se 28 udhëheqësit nuk do të arrijnë të qetësojnë tensionet mbi politikat e imigracionit.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën për të shqyrtuar mënyra të reja për të ndaluar valët e emigrantëve që hyjnë në Evropë, të dëshpëruar për të siguruar që dallimet e tyre mbi menaxhimin e flukseve nuk do ta përçajnë bllokun prej 28 vendesh.

Presidenti francez Emanuel Macron tha se ekziston një alternativë e thjeshtë për zgjidhjen e krizës që është bashkëpunimi.

” Sot ekziston një alternativë e thjeshtë që na parashtrohet të gjithëve: A duam zgjidhje kombëtare apo besojmë në zgjidhjen evropiane të bashkëpunimit? Unë do të mbroj zgjidhjen evropiane të bashkëpunimit brenda Bashkimit Evropian, brenda Shengenit, të bashkëpunimit brenda kuadrit të marrëveshjeve aktuale dhe modernizimit të tyre “.

Numri i imigrantëve që shkojnë në Evropë ka rënë ndjeshëm, por partitë nacionaliste kanë konsoliduar pozicionet e tyre duke fituar vota dhe duke shfrytëzuar frikën ndaj të huajve.

Kriza politike e shkaktuar nga paaftësia e BE-së për të ndarë përgjegjësitë për ata që hyjnë, po minon udhëheqjen e Kancelares gjermane Angela Merkel.

Pasojë e saj ishte ardhja në pushtet e qeverisë anti-evropiane në Itali.

Kryeministri italian Giuseppe Conte tha se “takimi do të jetë një pikë kthese”.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme, presim që fjalët të kthehen në fakte. Në fakt, Italia nuk ka më nevojë për sugjerime dhe deklarata verbale, por fakte konkrete. Sot është një rast i mirë për këtë. Nga ky këndvështrim, ky takim do të jetë një pikë kthese dhe unë jam gati të merrem me pasojat”.

Kryeministri hungarez,Viktor Orban e cilësoi imigracionin në Evropë si një “pushtim” që “duhet të ndalet”. Zoti Orban këmbëngul se, përtej mbylljes së kufijve, shtetet anëtare të BE-së duhet të mbështesin edhe ata që kanë mbërritur tashmë.

“Është koha për të filluar një periudhë të re ku të përpiqemi të rindërtojmë demokracinë evropiane dhe më në fund të bëjmë atë që duan vërtetë njerëzit. Ata duan dy gjëra: e para jo më imigrantë, pra t’i ndalim ata. Dhe e dyta ata që janë këtu, të kthehen. Shpresoj që kjo të ndodhë sot.”

Kreu nacionalist i krahut të djathtë ka kritikuar demokracitë liberale, duke thënë se qeveria e tij do të përpiqet të ndërtojë atë që ai e quajti një “demokraci të krishterë”.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, numri i migrantëve që vijnë në Evropë nga Deti Mesdhe ka rënë dukshëm nga mbi një milion në vitin 2015 në rreth 172,000 vitin e kaluar. Numri i të ardhurve nga deti këtë vit ka qenë 44,000 deri tani. Popullsia e BE-së është rreth 510 milionë banorë.

Përpara samitit, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk shkruajti në një letër se numri i kalimeve të paligjshme të kufirit ka rënë me 96% që nga kulmi i krizës.

Politikat e zbatuara deri më tani kanë ndihmuar për ta ulur këtë numër, ndër to një marrëveshje e arritur me Turqinë për të ndërprerë shtigjet e emigracionit, si dhe për të ripranuar ata që ja dalin të kalojnë drejt Greqisë.

Bashkimi Evropian filloi gjithashtu punën për të trajtuar në origjinë problemet që i shtyjnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre.

Zoti Tusk propozon reforma të mëtejshme, ndër to edhe krijimin e “platformave rajonale të zbarkimit”, ku me ndihmën e agjensisë së OKB-së për refugjatët dhe Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, BE-ja mund të shqyrtojë jashtë territorit të saj rastet e azilkërkuesve, duke mos lejuar kështu aktivitetin e trafikantëve dhe kalimin e rrezikshëm përmes deteve.

Zoti Tusk po u kërkon gjithashtu vendeve anëtare të BE-së që të bashkëpunojnë me vendet e origjinës, në veçanti me Libinë.

Gjithnjë e më shumë njerëz po fillojnë të besojnë se vetëm autoriteti i dorës së fortë, me frymë anti-evropiane dhe anti-liberale, me një tendencë drejt autoritarizmit, do të jetë në gjendje të ndalojë një valë emigracioni”, shkruajti zoti Tusk. “Nëse njerëzit e besojnë se vetëm kështu mund të ofrohet një zgjidhje efektive ndaj krizës së emigracionit, ata gjithashtu do të besojnë edhe gjithçka tjetër që mund t’ju thuhet. Momenti është tepër i rëndësishëm dhe koha është e pakët”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila në kulmin e krizës u radhit mes mbështetësve të politikës për të mirëpritur emigrantët, ndodhet tashmë nën presion nga kritikët në vendin e saj, të cilët thonë se Gjermania ka qenë më tepër mikpritëse se ç’duhet.

Bisedimet për Brexit

Udhëheqësit evropianë i thanë kryeministres Theresa Maj të enjten (28 qershor) që të zbusë disa nga kushtet për marrëveshjen e Brexit, duke paralajmëruar se koha po kalon dhe Britania mund të dalë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje.

Në takimin e nivelit të lartë të BE-së që u përqendrua më shumë në një krizë mbi migracionin sesa në Brexit, udhëheqësit e rajonit shprehën pakënaqësi në rritje për mungesën e përparimit në bisedime, vetëm nëntë muaj përpara se Britania të largohet.

Kryeministrja May ka ngurruar të përcaktojë plane të hollësishme për largimin e Britanisë nga BE-ja për shkak të ndarjeve në Partinë Konservatore dhe qeverisë në pushtet mbi kushtet e zhvendosjes më të madhe të politikës së jashtme të Britanisë në pothuajse gjysmë shekulli.

Zonja May ka premtuar të zgjidhë mosmarrëveshjet mes ministrave të saj kryesorë në një takim në fillim të muajit të ardhshëm dhe synon të paraqesë një dokument politikash që përcakton qëllimet e qeverisë për një partneritet të ardhshëm me BE-në pas Brexit.

Zyrtarët e BE-së i kanë kërkuar gjithashtu Britanisë që të shpejtojë vendimmarrjen e saj në mënyrë që një marrëveshje tërheqjeje dhe marrëveshje mbi lidhjet e ardhshme të arrihet deri në tetor, për t’i dhënë vendeve anëtare kohë ta ratifikojë atë përpara ‘Ditës së Brexit’ në mars.

VOA