Uashington, vendet e Ballkanit garantohen për angazhimin amerikan

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor thanë se përmirësimi i marrëdhënieve me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë thelbësore për stabilizimin e rajonit që disa ekspertë e përshkruajnë të ekspozuar ndaj influencave të huaja anti-perëndimore.

Në një konferencë në Uashington rreth strategjisë së Shteteve të Bashkuara në rajon, zyrtarët i thanë Zërit të Amerikës se zgjerimi i anëtarësimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO është thelbësor për sigurinë evropiane dhe ruajtjen e demokracisë.

Nikola Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë, vend kandidat për në BE dhe NATO që në vitin 2005, tha se “nevojitet forcimi i demokracive të qeverisura nga shteti ligjor. Rajoni ynë qarkohet nga vende anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Duhet konsoliduar Evropa. Siç e provoi edhe kriza e emigrantëve, duhet të sigurohemi që rajoni të jetë pjesë integrale e sistemit të demokracive të kontinentit tonë. Është e vërtetë se kemi tensione të rritura në rajon si pasojë e ringjalljes së antagonizmit ndërmjet Perëndimit dhe Federatës Ruse. Nuk ka të bëjë me pyetjen nëse na pëlqen apo jo Rusia. Nuk mendoj se duhet të jetë kjo zgjedhja. Ka të bëjë me zërin e qytetarëve tanë që dëshirojnë ta shohin Maqedoninë pjesë të aleancës (së NATO-s). Ky është fati ynë. Ky është rrugëtimi ynë”.

Anëtarësimi në BE

Pas 17 cikle planesh veprimi për anëtarësimin në BE, Maqedonia pritet të fillojë ciklin e radhës më 11 dhjetor.

Zoti Dimitrov i tha Zërit të Amerikës se “është momenti i duhur për ta përfunduar procesin. Do të jetë mirë për rajonin; do të jetë mirë për NATO-n dhe për çdo vend të cilit i intereson stabiliteti i rajonit; duhet që ta mbështesin anëtarësimin tonë në NATO”.

Një raport i ri i botuar nga Këshilli i Atlantikut e përshkruan Ballkanin Perëndimor “si punën e papërfunduar për një Evropë të plotë dhe të lirë”. [[ http://www.atlanticcouncil.org/images/Balkans_Forward_web_1128.pdf ]]

Konferenca u pasua nga takime mes ministrave të Ballkanit dhe zyrtarëve amerikanë, ndër ta A. Wess Mitchell, Ndihmës Sekretar Shteti për Evropën dhe Euroazinë, si dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, tha se “zoti McMaster foli shumë seriozisht për ato që SHBA-ja i konsideron si sfidat më të mëdha të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk po e humbasin interesin dhe se nuk kanë ndërmend të jenë joaktivë në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, SHBA-ja është shumë e interesuar për arritjen e stabilitetit dhe demokracisë, si dhe ka vullnetin të mbështesë integrimin Euro-Atlantik të vendeve të Ballkanit që e dëshirojnë këtë gjë”.

Mali i Zi, vendi më i vogël i Ballkanit, filloi bisedimet për anëtarësimin në BE në vitin 2012 dhe u bë vendi i 29-të anëtar i NATO-s gjatë një ceremonie në muajin qershor në Departamentin e Shtetit, megjithë kundërshtimet e forta të Rusisë.

Dikur pjesë e ish-Jugosllavisë, një bastion i Moskës, Mali i Zi u bë republikë e pavarur në vitin 2006, kur malazezët votuan në një referendum për ndarjen nga Serbia.

Gjatë fjalës së tij në konferencë, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se Beogradi synon ta vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, ndërsa do të vazhdojë të ketë marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë dhe Federatën Ruse. Zoti Daçiç e përshkroi BE-në si “partnerin parësor në politikën e jashtme” dhe vuri në dukje përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për projektet e përbashkëta infrastrukturore, zoti Daçiç tha se “në Ballkanin Perëndimor, ne jemi (me SHBA-në) partnerët më të rëndësishëm ekonomikë”.

Prania ushtarake

Raporti i Këshillit të Atlantikut propozon ruajtjen e përhershme të një pranie ushtarake amerikane në Kosovë, për të mbrojtur rajonin nga përpjekjet ruse për të ushtruar influencë politike. Zoti Daçiç u pyet nëse ky propozim vjen pas shqetësimeve të SHBA-së për një Qendër Humanitare Serbo-Ruse në qytetin serb Nish.

Nëse pesë rusë, katër serbë dhe një qen perceptohen si të barabartë me Bondsteel-in, kjo më tmerron”, tha zoti Daçiç, duke iu referuar Kampit Bondsteel, një bazë ushtarake e SHBA-së dhe NATO-s, e vendosur në Kosovë që në vitin 1999.

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu shqetësimin në muajin qershor për qendrën e re që Rusia menaxhon në Nish. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shikojnë këtë qendër si kamuflazh për një bazë ushtarake, që synon survejimin e interesave amerikane në Ballkan.

Zoti Daçiç i tha Zërit të Amerikës se “dua ta theksoj këtë gjë: Kur elefantët dashurohen apo grinden, bari dëmtohet sido që të jetë. Serbia nuk dëshiron të jetë bari, pra me fjalë të tjera, në pozitat e të dobëtit. Prandaj, duhet të kujdesemi për interesat tona”.

Serbia, e cila ka filluar negociatat për anëtarësim në BE që në janar të vitit 2014, nuk planifikon të anëtarësohet në NATO, aleancën që bombardoi Jugosllavinë në vitin 1999.

Situata është e kundërta për Shqipërinë, e cila është vend anëtar i NATO-s që në vitin 2009, por, që është ende në pritje për çeljen e bisedimeve me BE-në, vendim i cili pritet të merret në fillim të vitit të ardhshëm.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i tha Zërit të Amerikës se vendi po përparon drejt reformës në drejtësi dhe masave të tjera që do të lehtësojnë këtë bisedime.

Zoti Bushati u shpreh se “dua të theksoj luftën tonë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, progresin për konsolidimin e reformave në administratën publike dhe për respektimin e të drejtave të njeriut. Unë pres që, dhe mendoj se është krejtësisht e mundshme, që viti 2018 do të jetë viti që Shqipëria do të fillojë negociatat për anëtarësimin në BE dhe do të ulet në tryezën e negociatave me rezultate konkrete nga reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Garancitë e ofruara gjatë takimeve

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, tha se ndjehej më i garantuar pas takimeve me diplomatët amerikanë dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Takimi me zotin Wess Mitchell ishte shumë i rëndësishëm, pasi pikasa vendosmërinë për të ndihmuar rajonin dhe Bosnjën, në rrugëtimin përpara dhe vazhdimin e zbatimit të reformave”, tha zoti Crnadak, vendi i të cilit, me një shumicë myslimane, shikohet si jetësor për mbrojtjen e Evropës ndaj organizatave terroriste ndërkombëtare që synojnë kontinentin evropian.

Bosnja, një vend kandidat për në BE, synon gjithashtu të anëtarësohet në NATO që në prill të vitit 2010, kur përfitoi një Plan Veprimi për Anëtarësim, gjatë samitit në Tallinn.

Në një deklaratë për shtyp, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare McMaster vuri në dukje se “Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një përparësi e lartë për Shtetet e Bashkuara”, si dhe theksoi se administrata Trump “mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj aspiratave Euro-Atlantike të rajonit dhe përpjekjeve për integrimin evropian”.

VOA