Uashington, mbretëresha e bukurisë në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale

Në epokën e lëvizjes #MeToo, Miss-i i kryeqytetit amerikan, Miss District of Columbia 2019, po e përdor titullin e saj për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë problem. Ajo quhet Katelynne Cox, një 25-vjeçare që krahas të qënurit Miss është edhe drejtore ekzekutive e organizatës “Heshtja nuk është Bashkëpunim”. Kjo organizatë rehabiliton të mbijetuarit e dhunës seksuale, si dhe përgatit fëmijët se si të parandalojnë dhunën seksuale.

Çdo vit, Miss-i i Distriktit të Kolumbisë vlerëson vajza me rezultate të larta që jetojnë apo punojnë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.

Katelynne Cox është fituese për këtë vit.

“Organizata Miss DC është pjesë e programit Miss America dhe ofron çdo vit mbi 25 mijë dollarë bursa studimi për pjesëmarrësit. Fituesja fiton edhe një bursë prej 10 mijë dollarësh. Ka gjithashtu edhe një mori çmimesh për akademikët”, thotë Katelynne.

Oganizata jo vetëm u ofron pjesëmarrësve një platformë për të treguar talentin e tyre, por është edhe një mundësi për të zgjedhur një inciativë me ndikim social për të cilën kanë ndjenja të forta. Për Katelynne, është të ndihmojë viktimat e përdhunimeve.

“ ‘Heshtja nuk është Bashkëpunim’ është një organizatë që krijova në vitin 2016 për të ndihmuar në rehabilitimin e të mbijetuarve të sulmit seksual. Dua të ofroj mundësinë e paralajmërimit të hershëm… Unë jam vetë e mbijetuar e një sulmi seksual. Më përdhunuan në kolegj. Doja ta shndërroja eksperiencën time të tmerrshme në një mënyrë për të ndihmuar të tjerët. Prandaj krijova organizatën dhe fillova lobimin për një projektligj të quajtur ‘Viktimat të parat’, thotë Katelynne.

Ajo thotë se do të vazhdojë të lobojë tek ligjvënësit në Uashington për të ndryshuar mënyrën se si trajtohen viktimat.

“Do të thoja se sipas politikave aktuale, viktimat trajtohen si mjete në funksion të prokurorisë dhe jo si viktima, të cilat duhet të shpëtohen. Kjo është ajo që unë dua ta ndryshoj”, thotë zonja Cox.

Katelynne thotë se ajo do të kryejë edhe funksionet e Miss DC 2019, së bashku me punën për të ndihmuar të mbijetuarit e sulmeve seksuale. Do të jetë një vit i ngarkuar, ndërsa ajo përgatitet për konkursin e Miss America 2020 që zhvillohet në muajin shtator.

VOA