Uashigtoni njofton sanksione të tjera ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione shtesë ndaj Iranit si rezultat i sulmit të tij ndaj trupave amerikane në Irak këtë javë, tha sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

Në një konferencë shtypi të premten në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, zoti Mnuchin tha se sanksionet do të vendosen edhe mbi disa zyrtarë të lartë iranianë të përfshirë në sulmin e së martës ndaj trupave amerikane.

Nga ana e tij zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara kishin informacione specifike rreth një kërcënimi të menjëhershëm nga Irani ndaj ambasadave amerikane.

Synimi i fushatës sonë, tha zoti Pompeo është të ndërpresim burimet e regjimit Iranian për të kryer një politikë të jashtme destruktive. Ne duam që Irani të sillet si çdo vend normal dhe besojmë se sanksionet e vendosura sot e forcojnë objektivin e strategjisë sonë.

Fushata e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit tha kryediplomati Pompeo përbëhet nga elementë diplomatikë dhe ekonomikë që synon të heq nga duart e regjimit miliarda dollarë të ardhura që janë përdorur për të përhapur vrasje dhe shkatërrime në rajon.

VOA