U “dogj” për 32 të qindtat e sekondës në kampionatin Europian në Berlin, Luiza Gega: Isha pa fat

Luiza Gega garoi në 3 mijë metra me pengesa por edhe pse ishte në grupin kryesues në shumicën e kohës, mbylli gjithçka në vendin e katërt në një finish emocionues

Një provë emocionuese dhe plot grintë ishte për atleten shqiptare, Luiza Gega, gara në kampionatin Europian në Berlin. Pavarësisht përpjekjeve të sportistes kuqezi, Gega nuk arriti dot të hyjë në zonën e medaljeve. Ajo u “dogj” vetëm për 32 të qindtat e sekondës në Europianin e Atletikës dhe këtë sfidë e ka komentuar në facebook. Mbi ecurinë e saj, ajo thotë se kishte besimin për marrjen e një medalje por që këtë herë fati nuk ishte me të. “Kampionati Europian u mbyll në vendin e katërt edhe pse luftova deri në fund për medalje, isha kaq afër por nuk arrita dot ta marr. Jam e mërzitur pasi besoja shumë që do arrija medalje por fati nuk ishte me mua”,-shkruan Gega. Ajo është shpallur edhe kampione e Mesdheut dhe është e kënaqur me rezultatet e arritura këtë vit, ku thotë se ndjehet krenare me rezultatet e arritura. “Kampionati Europian, Berlin 2018 u mbyll në vendin e katërt dhe pse luftova gjer në fund për medalje, isha kaq afër por nuk arrita dot ta marr. Të them të drejtën jam e mërzitur sepse besoja shumë të isha në zonën e medaljeve por fati nuk ishte me mua. Gjithsesi ndihem vërtet shumë krenare për çfarë kam arritur këtë vit. Rekord kombetar, rekord mesdheu, kampione mesdheu dhe vendi katërt në Kampionatin Europian dhe për më tepër jam e shëndetshme dhe ndihem vërtet e fortë dhe në formë për ato që pres të vijnë në vazhdim. Asgjë nuk do kisha arritur pa suportin super super të madh të tranierit tim, FALEMINDERIT. Si dhe dua të falenderoj të gjithë ato që mbështetën këtë vit të sukseshëm e të rëndësishëm të karrieres sime. Western Union, Ujin Spring, Koksh, Policinë ushtarake, Bashkinë e Tiranës, sigurisht familjen time si dhe gjithë ato që më urojnë e motivojnë pa fund. Faleminderit”,-shkruan Gega në postimin e plotë në Facebook. Luiza Gega garoi në 3 mijë metra me pengesa por edhe pse ishte në grupin kryesues në shumicën e kohës, mbylli gjithçka në vendin e katërt në një finish emocionues ku iu dorëzua rivaleve të pistës. Shpresa kryesore e Shqipërisë për medalje arriti me meritë në fazën finale dhe medalja u duk pranë kur Luiza Gega nisi të ngulmojë fort për të kaluar me radhë metrat e parashikuar. Sportistja kuqezi ndërroi shpeshherë vendet me Karolin Grovdal dhe Geza Krauze  por edhe pse pengesat iu afruan fundit, lodhja e zbriti në vendin e katërt, e paerakaluar edhe nga Fabien Shlumpf. Në metrat finale, Krauze bëri një manovër të bukur që i dha medaljen e artë, ndërsa Luiza Gega tentoi deri në fund për bronzing por pa arritur dot norvegjezen Grovdal, shumë pranë shqiptares. Kronometri i kohës zyrtare regjistroi 9 minuta, 24 sekonda e 78 të qindtat për atleten tonë, që mbyll gjithsesi një europian pozitiv në Berlin.