U deshën 27 vite për të kuptuar se Demokracia shqiptare ishte një zhgënjim, zemërthyerje

SOT NE DITEN E DEMOKRACISE

Nga Albert Vataj

Në ndërmendjen e shumëve nga ne, 22 marsi i vitit 1992 është i përbërë prej një lënde të vezullimtë zjarrmimi, që ka mundur të përshkojë gjithë qenien tonë ëndrrimtare dhe dëshiruese. Dritëm mes territ shpresat tona të venitura. Ju dhanë një thirrje të bubullimshme që zemëratat dhe gazmimet zoritëse, kishin mbledhur brenda nesh. E qielltë ishte ajo piskamë që drithëron edhe sot pas 27 vitesh.

Kishim rilindur!

Nuk pamë se ku hidhnim hapin, vetëm ecnim si somnambul në agimin e një dite që frymonte në gërmadhat e një zezone që tashmë kishte dhënë shpirt. Urrejtjet i zëvendësuam me dashuri, dashuri të themelta për gjithçka dhe për gjithkënd që ishte pjesë e kësaj drite që sapo kishte lindur. Sa shumë ëndrra kishim për të parë, por më shumë kishim për të jetuar… sa pak na u lejua.

Kishte lindur një ditë e re, në themelet e një besimi që u mbështet në motivimin e kahershëm për nevoja të larta përuljeje dhe devocioni. Blatuam gjithçka na kishte mbetur nga kjo hekamë që na kishte shndërruar, por fatmirësisht pa mundur të na zhbënte.

Jehona e zërit dhe gëzimit tonë legjitim u përplas duke shembur të gjithë muret e ndalimeve dhe robërisë. Më në fund kishim një të drejtë, gëzonim cakun e asaj lirie sa t’i jepeshim pa frikë vetes, ta dëgjonim me zë mendimet tona dhe ta shikonim në sy ëndrrën që dëshiruam.

22 Marsi i 27 viteve më parë ishte fitorja e parë dhe e vetme e aspiratave të larta, e vullnetit të sovranit, e të drejtës legjitime për të vendosur gjithçka me votë, atë që një demokraci funksionale ka të shenjtë. 22 marsi 1992 ishte fitorja e madhe e demokracisë dhe mjerisht e vetmja në historinë e saj moderne, dhe fatalisht arsyes për të besuar se zhgënjimi më i madh vjen prej gëzimit në delir, gëzim të cilin me të drejtë festonin shqiptarët e drobitur nga diktatura, shqiptarët e rrënuar nga humbja e besimit.

Sot 27 vite më parë, më 22 mars 1992 shqiptarët mundën të vendosnin për të parën dhe të vetmen herë vlerat e vërteta të votës së lirë, të demokracisë, të vullnetit të tyre për të qenë pjesë e fatit të së sotmes dhe aspiratave të së ardhmes.

U deshën 27 vite që gjithçka që e thurëm me kaq shumë ëndrra dhe dëshirime të rrënohej, të shpërbëhej, të përdhosej, të nëpërkëmbej. Nuk ishte demokracia ajo që u godit, ishte vullneti, e drejta e secilit prej nesh për të vendosur vetë për fatin e tonë. Kaq vite u deshën për të kuptuar se sa pak mundi të na jepte demokracia.

Fatmirësisht ka ende që besojnë. Shpresa është sprovë e një vullneti ngadhnjimtarësh që nuk tërhiqen, por mund të shndërrohet edhe në një gastor për të zbavitur shpirtrat e lënduar nga zhgënjimi.

U deshën 27 vite për të kuptuar se Demokracia shqiptare ishte një zhgënjim, zemërthyerje.

Në fushëbetejat e besimit te e drejta për të merituar më shumë nga demokracia, ende ka luftëtarë që ndeshen, ende ka sfida që vënë në sprovë forcat që i bëhen krahë dëshirave tona për të fluturuar.

Albert Vataj