Turqi, opozita arrin fitore vendimtare në Stamboll duke i shkaktuar një disfatë të ndjeshme presidentit Rexhep Tajip Erdogan

Në Turqi, opozita arriti një fitore vendimtare në rivotimin e debatueshëm të zgjedhjeve për kryebashkiak të Stambollit, duke i shkaktuar një disfatë të ndjeshme presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Fitorja nënkupton humbjen e bazës së pushtetit në Stamboll për zotin Erdogan që ai e mbante prej 25 vjetësh.

Kreu i Bordit të Lartë Zgjedhor njoftoi të hënën se Ekrem Imamoglu i Partisë Popullore Republikane, një parti laike e njohur si CHP, siguroi 54.21% të votave, një diferencë shumë më e madhe votash sesa fitorja e tij e ngushtë tre muaj më parë ndaj kandidatit Binali Yildirim, të përzgjedhur nga vetë Presidenti Erdogan. Kjo përkthehet në rreth 700 mijë vota më shumë, krahasuar me diferencën prej vetëm 13 mijë në votimet e 31 marsit.

Duke folur para një turme të madhe mbështetësish entuziastë, zoti Imamoglu tha se fitorja e tij ishte një nxitje për demokracinë:

“Kjo shoqëri do të shpërblehet me shumë liri, kjo shoqëri do të ndreqë shkeljet e bëra, do ta shihni. Uë kam besim tek populli ynë, besoj gjithashtu se njerëzit kanë besim tek demokracia. Falënderoj presidentin tonë, Tayyip Erdogan dhe rivalin tim, të cilët më uruan.”

Presidenti Erdogan e uroi zotin Imamoglu me një koment në Twitter, ku shkruante: “vullneti i popullit u shfaq përsëri”.

Zoti Erdogan bëri që autoritetet zgjedhore ta anulonin fitoren e parë të zotit Imamoglu me arsyen teknike se vëzhguesit zgjedhorë ishin të pakualifikuar.

Presidenti rrezikoi prestigjin e tij politik në këtë rivotim. Megjithatë, zgjedhësit, shumë prej të cilëve ndërprenë pushimet për t’u kthyer dhe për të votuar, mbështetën mesazhin e zotit Imamoglu për demokracinë dhe pjesëmarrjen politike.

Ngritja e zotit Erdogan në pushtet nisi me fitoren e tij në zgjedhjet bashkiake të Stambollit në vitin 1994.

Vëzhguesit thonë se në vend është rritur pakënaqësia lidhur me stilin gjithnjë e më autoritar të udhëheqjes së Erdoganit pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti kundër tij në vitin 2016, që u pasua nga spastrime masive dhe goditje të ashpra ndaj biznesmenëve, gazetarëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut.

Fitorja e rëndësishme e opozitës në Stamboll pritet të rrisë trysninë ndaj zotit Erdogan dhe Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, ose AKP, për të thirrur zgjedhjet e parakohshme.

VOA