Turizmi malor në Malësi të Madhe ka marrë goditje nga pandemia

Malësia e Madhe është një nga bashkitë e Shqipërisë që, vitet e fundit, ka zhvilluar më shumë turizmin malor, mbështetur në pozicionin e saj gjeografik ku përfshihen Alpet e Shqipërisë. Por, muajt e fundit, për shkak të situatës së pandemisë, ky sektor i rëndësishëm i ekonomisë së banorëve të malësisë po përballet me vështirësi.

“Me datën 8 mars ishim plot dhe kishim shumë rezervime nga e gjithë bota për komplet sezonin, duke fillu nga muaji prill. Flas për pushuesit e huaj, pa përjashtuar frekuentimin e madh të pushuesve shqiptarë. Papritmas, gjithçka u mbyll dhe ne u vumë në vështirësi të jashtëzakonshme. Në rradhë të parë ne na duhej të mbronim punëtorët tanë të cilët, në një farë mënyre, janë familja jonë sepse ata kontribuojnë në sipërmarrje dhe të përpiqeshim të komunikonim me ta sepse ishte një situatë e pakuptimtë”.

Pronari i resortit “Kulla e Artë” në Razëm, Fredi Stërkaj, thotë se tashmë turizmi malor në Malësi të Madhe ka marrë goditje dhe se do të duhet kohë që ta marrë veten. Kjo, shton ai, do të varet nga vecuria e masave që pritet të marrë qeveria për lehtësimin e situatës së pandemisë.

“Pandemia, si në të gjitha fushat e ekonomisë edhe në turizëm ka ndikuar negativisht, por shpresoj që shumë shpejt kjo gjendje të kalojë dhe gjithçka të shkojë aty ku ishte më parë. Por, gjithsesi, ka ndikuar negativisht në zhvillimin e turizmit, por edhe tek fuqia mbështetëse e turizmit, tek punonjësit dhe shitja e produkteve, tek lëvizja e njerëzve. Por, mbesim me shpresën si gjithë të tjerët që kjo gjendje të kalojë sa më shpejt”, thotë ai.

Zonja Kastrati thote se masat per mbrojtjen nga covidi nuk zbatohen kudo njëlloj dhe se ka sipërmarrje që po zhvillojnë lirisht aktivitetin e tyre, gjë që çon në një konkurencë të pandershme. Ndërkohë, ajo shton se, në këtë situatë të pandemisë, edhe turizmi malor duhet mbështetur nga qeveria ashtu si edhe sektorët e tjerë të ekonomisë.

“Dhe unë nuk e kuptoj si mund të ndodhë që një qendër tregtare, që frekuentohet nga njëmijë, dymijë, tremijë veta në ditë dhe ku rreziku i virusit është shumë më i madh, të hapet dhe unë që i zbatoj të gjitha rregullat e distancimit dhe pres 50 veta në lëvizje të mos hapem dhe të mos ndihmohem aspak?”

Vitin e kaluar, thotë pronari i resortit “Kulla e Artë”, megjithë problemet e veta, turizmi malor pati një ecuri pozitive. Ai shpreson që situata e pandemisë të tejkalohet ndaj, thotë ai, po punojmë për të qenë të gatshëm në momentin e rifillimit të aktivitetit.

“Kemi shfrytëzu këtë periudhë për shtimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve me qëllim që, me hapjen e sezonit, pushuesit të kenë kushte më të mira dhe të ndjehem më komud kur të vijnë.”

Dhe ndërkohë që, në këto ditë të para të muajit maj, pika turistike e Razmës ndjen mungesën e vizitorëve vendas dhe të huaj, pronarët e resorteve dhe vetë banorët e këtij fshati turistik malor presin lehtësimin e masave kufizuese për mospërhapjen e virusit.

VOA