Turizmi malor ka nisur të jetësohet edhe në Lepushë të Kelmendit-Malësi e Madhe

Turizmi malor ka nisur të jetësohet edhe në Lepushë të Kelmendit, në Malësine e Madhe, vetëm pak kilometra larg nga Shkodra.

Kryeministri ka postuar në Facebook disa foto nga turistët që po pushojnë në Lepushë të Kelmendit, duke shijuar bardhësinë e dëborës.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje përrallore nga Lepusha e Kelmendit, në Malësine e Madhe, vetëm pak kilometra larg nga Shkodra ku ka nisur të jetësohet turizmi malor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.

Vermoshi dhe Lepusha janë fshatra në komunën Kelmend në rrethin e Malësisë së Madhe të Shqipërisë.

Emri Lepushë rrjedh nga një bimë barishtore me lule të verdha, që quhet Lepushtra, që rritet me shumicë në fshat.

Fshati ka kater grupime shtëpish, që shtrihen në dy pellgje ujëmbledhëse: në atë të Vermoshit dhe në atë të Cemit, në lartësinë mbi 1260 m. Lepusha vlerësohet si bukuria e rrallë e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve Shqiptare. Male të larta me bllokun shkëmborë të Shenikut në Bjeshkët e Namuna dhe mallet përreth. Shquhet për kullotat e gjelbra dhe pyjet e dendur që harbojnë gjatë stinës së verës.

Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lepushës. Bie kaq shume borë në dimër, saqë trashësia e saj ka arritur edhe 4 metra, më e larta në vendbanimet shqiptare. Banorët e parë u vendosën në Lepushë në fillim të shekullit të XX. Ata erdhën nga Vukli dhe Nikçi.

Dega kryesore e ekonomisë është blegtoria dhe pak bujqësi me kulturë pataten. Përpunimi artizanal i drurit është një tjetër burim ndihmës për ekonominë e banorëve.Së fundmi si ekonomi ndihmëse ka filluar edhe turizmi sidomos në stinën e verës. Në Lepushë gjenden njësi tregtimi dhe shkolla 8-vjeçare.

Lepusha ka qenë një vend i rëndësishëm për kuvendet e mbarë kelmendasve dhe për festimin e përvitshëm të Shën Prendes (Logu bjeshkëve) Lepusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale për zhvillimin e turizmit malor për alpinizëm, rrëshqitje mbi borë, për njohjen e florës, gjuetinë e kafshëve të egra dhe kulinarinë tradicionale të zonës.

Kjo zonë edhe në dimër tërheq mjaft vizitore e turistë të huaj. Janë kryesisht ata që pëlqejnë ngjitjet malore,aventurën,sportet e borës dhe natyralistët.

ATSH-Gjergji Mima