“Tuneli Kinë-Shqipëri” dhe “bomba atomike në Tiranë”! Komedi dhe ngjarje me personazhe realë nga “Pashallëku i Kuq”

Agron LukaNga Agron Luka

Duhet të ketë qenë, ndoshta shfaqja dhe finalja më triumfale komiko-teatrale e dashurisë lesbike midis motrës së madhe Kina dhe motrës së vogël Shqipëria dhe njëkohësisht e dashurisë midis dy timonierëve dylberë-ashikëve Mao dhe Enver, rivalë për klasikë teoricienë të V të “fesë së re” të marksizëm – leninizmit, në mbylljen e dekadës së viteve famoze 60-ta të shek XX.

Mao mbahej si “Buda i Ri mbi Tokë”, ndërsa Enveri fillimisht (aty nga vitet 1953-1956) ishte mjaftuar vetëm me identifikimin simbolik si, “Princi i humbur në shkretëtirë i Jueçzhejve”. Perandori i lashtë kinez kishte pasur një aleancë me paraardhësit e iranianëve, me persianët, kundra “Djajve të Bardhë”, por Princi i Jueçzhejve/Persianëve (Dari i ndoshta?) na kishte humbur në shkretëtirë! Perandori dërgoi një ekspeditë nëpër shkretëtirat e Azisë Qendrore, por Princi nuk u gjet…

Se ku qëlloi për sherr që Li Hsien Nieni më 1953, e “zbuloi strofkullën” se ku na kishte përfunduar “Princi i Humbur”! Me atë rast në Shqipëri, krahas kutive me qumësht pluhur, erdhi edhe një literaturë me këtë mitologji burimore…

Më 1956, kandidati për Pejgamber, Enver Hoxha çapi në Kinë, pasi më parë si rikonjicion i kishte dërguar Maos, një delegacion me Hyllen Nexhmije (Delikaten) bashkë me Rrito Vigjëluesin (Kralin Marko/Marko Kraljeviç), si garanci.

Mao e priti Enverin, e qerasi edhe me mish gjarpri, një lloj bolle e majme e gjerë e jo shumë e gjatë, që kinezët e kishin si gatim tradicional, për miqtë e zgjedhur. Çapiri i vogël jeshil-verdhë, po i mëkonte gojë më gojë gjarprit bullarit verdhacuk, një lëndë të parë si katalizator për prodhimin e helmit. Kryetari Mao, me atë rast urdhëroi artistët edhe për një “Tabllo Legjendare”, ku dukej sikur e kishte pritur Enverin në Çangsha, në fshatin e tij. (Shih fotoskanimin 1)

Të dy liderët kishin dyshime të forta teorike, nëse klasa punëtore e “Botës Perëndimore” duhet të ishte apo jo si lideria hegjemone e revolucionit proletar, përgjithësisht dyshonin në të gjithë popujt e racës së bardhë, sepse kishin bindjen se në botë kishte edhe disa popuj të lindur si revolucionarë nga natyra. Rolin hegjemon mund ta kryente për bukuri edhe klasa fshatare… Ish aleanca e lashtë kundra “djajve të bardhë” mund të ripërtërihej dhe mbase kësaj radhe do funksiononte…

Në preludin e viteve 60-të, Enveri dhe Mao ishin dakord në pikën kryesore të përcaktuar sipas Citateve të Maos: “Pse e bëni këtë luftën bërthamore kaq të tmerrshme? Edhe sikur të zhduket gjysma e botës, gjysma tjetër që do të mbetet, do të ngrejë një qytetërim 1000 herë më të lartë”! Mao, llogariste në fakt një shkapetie bërthamore amerikane – sovjetike aso kohe, sepse Kina ende nuk ishte fuqi bërthamore.

Ndërkaq, Mao ishte dakord me Deklaratën e Enverit, në Mbledhjen e Moskës, të 81 Partive Komuniste të Botës: “Neve duhet të na jepen armët bërthamore. Pse të mos na jepen? Populli ynë ka një fjalë të urtë, Frika i ruan vreshtat”.

Logjikë më trime, racionale dhe praktike s’ka si bëhet: BRSS duhet t’ia jepte edhe Kinës edhe më të vegjëlve si Shqipëria, armën bërthamore falas! Kështu sigurohej vatha/kampi dhe kjo ishte edhe si shprehje konkrete e internacionalizmit proletar!

Kryetari Mao, përditë e lavdëronte popullin e vogël trim dhe liridashës shqiptar. Në qoftë se Ballaban Pashë Badera kishte ngritur flamurin e gjysmë hanës mbi Shën Sofi, më 1453 edhe Enveri e kishte ngritur flamurin me shqiponjë e zezë dy krenare, mu në Kështjellën dhe në Stallën Gjeorgjevska të  Kremlinit… (Kishte tashmë edhe një goxha “Tablo Legjendare” të Guri Madhit, mbi këtë akt trimërie, mercenarizmi dhe rrenegatizmi… Shih fotoskanimin 2)

Në vitin 1964, Kina bëri me sukses bombën atomike. Një shpërthim dhe një kërpudhë e mrekullueshme, si një gonxhe karafili që çel me vesën e mëngjesit…

Në tetor të vitit 1968, Kryetari Mao e kishte krahasuar Kinën me ato gamilet me një gungë që çanin përmes shkretëtirave pafund me karvanët e Rrugës së Mëndafshit. Ato ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe të durueshme aq sa që ishin adoptuar edhe kundra ligjeve të evolucionit, ta shuanin etjen me ujin e kripur të shkretëtirave të Azisë Qendrore. Kjo, me sa duket kishte lidhje me citatin: “Të ecësh kundra rrymës është një gjë e mirë dhe jo e keqe”!  Jo çdo gjë shkon në drejtim me rrymën e lumit, ka edhe peshq si salmoni i Kamçatkës apo si trofta shqiptare e Cemit, që ngjiten përpjetë edhe kundra rrymave malore, kjo është dialektike, kupton apo jo…

Shqipërinë e vogël, Mao në vitin 1968, e quajti si një tigër të shkathët, ndoshta si i vetmi ekzemplar që kishte mbetur nga ato ish “leo pantera europeo” që kishin guxuar  të sulmonin edhe gamilet gjatë fushatave persiane në gadishullin Illyria.

Dragoi me një ose më shumë koka e kishte gjetur shqiponjën zi sterrë me dy koka…

Hë, e gjete…?

 Aty nga mesi i shtatorit 1968, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës Popullore të Kinës, një delegacion i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës Popullore të Shqipërisë, kryesuar nga ministri i mbrojtjes B. B., me specialistë ushtarakë gjitharmësh dhe i përforcuar edhe nga i famshmi Rita Marko i Sigurimit të Lartë, bashkë edhe me Koço Theodhosin, kishin vajtur në Kinë. Nga ajo vizitë pritej diçka e madhe!

(Thuhej se shoku Enver i kishte thënë: “Partia dhe Byroja Politike, ta ka ngarkuar ty Beqir këtë detyrë. Vafsh shëndosh e ardhsh shëndoshë, dhe na sill nja dy a tre bomba atomike! Pa gjë mos hajde…”)

Kontaktet midis Pekinit dhe Tiranës ishin shpeshtuar jashtëzakonisht. Pasi fikej Radio Tirana, ndizej Radio Stacioni i Bërzhitës, i cili lidhej me antenat e Radio Stacionit të Malit të Tomorrit dhe nga aty direkt e me Stacionin e Malit Komolangma Fen (Mali Himalaja), për të përfunduar në Pekin. Flitej se për këtë lidhjen Tiranë – Pekin, kishte edhe nja dy stacione ndërmjetës, një në Iran e një në Pakistan, por gjë e sigurt nuk ishte.

Një aeroplan fluturonte mbi Tiranë, kur ishin fikur të gjitha dritat dhe ishte alarm i përgjithshëm.

  • Hë, e diktove? Hë, e diktove…
  • Po, po e diktova.
  • Ou, po si e diktove?
  • Shoku ministër, drita e aeroplanit reflekton mbi liqenin artificial. Duke llogaritur distancën e gjeta… (me sa dukej piloti po hetonte nëse mund të bombardohej nga ajri KQ. i PPSH-së dhe shtëpia e shokut Enver…)
  • Oree, çentraliist, mos përgjoo…

Ai, domethënë ky eksponenti madhor, kishte dëgjuar nja tre -katër “tak” të forta, të hapjes dhe të mbylljes së çelësit të komutatorit. Këtë “takun” ne mundeshim ta bënim fare të pa dëgjueshëm, çka do të thotë se mundeshim të përgjonim fare rehat dhe pa u diktuar. Me këtë rast sigurisht duhej mbajtur fryma.

Të nesërmen, ia mbërriti komandanti i regjimentit H. K., shefi i batalionit që ishte edhe vëllai i tij Sh. K., komisari politik i regjimentit dhe Shefi i sigurimit të ushtrisë, vëllai i kapterit M. S., …

  • Çohu, gatii-tu! Qendër Ndero! Shoku komandant i regjimentit, gjatë shërbimit nuk kemi asgjë të re!
  • Ashtu ë! Mirë, mirë, qetësohu! More çentralist, kemi ne një gjë të re. Përse e ke përgjuar mbrëmë një bisedë?
  • Shoku komandant i regjimentit, sipas rregullores së shërbimit të mbrendshëm të centralit, e kam për detyrim që në intervale kohore të sigurohem nëse biseda zhvillohet normalisht. Këto ndërhyrje janë diçka më të shpeshta kur përdoret aparatura e forcimit dhe e dendësimit të frekuencave. Ne nuk përgjojmë shoku komandant, ne vetëm sigurohemi që biseda zhvillohet normalisht, kaq e kemi për detyrë dhe na e urdhëron e lejon rregullorja e varur në mur.
  • Hë e dëgjoni? Është komplet në rregull me rregulloren ki, ja lexojeni e ka të varur edhe në mur përballë. Po, mirë, nuk dëgjove ndonjë gjë të veçantë, mbrëmë për shembull?
  • Po çdo dëgjoja, si mund ta kuptosh një bisedë të gjatë me një fraksion dy-tre sekondash?

E vërteta ishte se shefat e mëdhenj llapazanonin në mënyrë të pabesueshme vetë …

Në një rast të një loje të shtabit madhor, që imitonte luftën, bile ishte një luftë edhe me përdorimin e armëve atomike, mua më morën hua, si centralist i zoti, sepse kisha memorie të madhe.

Mbasi loja mbaroi dhe “armiku u shpartallua”, erdhën disa oficerë madhorë dhe secili më uronte me fjalët më të mira. Kisha plot 48 orë që nuk flija, 24 orë për të mësuar përmendësh kodet dhe pseudonimet dhe 24 orë që vazhdoi loja.

  • Centralist na ke zbardhur faqen… Obobo, i ziu ky çka hequr. Me zgjidhjen e tij, organizuam edhe një korrier zyrë më zyrë, sepse ky i dinte kodet dhe pseudonimet perfekt!
  • Po, pata vështirësi të pakapërcyeshme, nuk kishte rrugë tjetër. Kërkuesit nuk i respektonin as kodet e pseudonimet e veta dhe as të abonentit që ata kërkonin. Mbanin mend zakonisht vetëm pseudonimin dhe kodin e parë dhe jepi… M’u desh në disa raste të ndërhyja me inisiativë me këtë mënyrë praktike, sepse nuk dihej se kush ishin ata dhe kush ishte abonenti që i korrespondonte ekzaktësisht. Po të mos e bënim kështu kushedi, urdhrat do ishin bërë sallatë dhe lesh e li, rrezik do t’ia kishim rrasur vetes…
  • Ashu ëëë, rrinin takuar vetëm me një pseudonim, me atë të parin dhe futja si kau pelës, hajde pyka hajde dhe ushtarakë madhorë! Domethënë luftën e paskan fituar vetëm për meritën tënde…
  • Jo shoku shef, lufta u fitua sepse u dha goditja vendimtare atomike. Ishte e fituar, mjaft që vetëm ky pseudonim-kod të zbatohej saktësisht, megjithëse edhe aty mu desh të ndërhyrja.
  • Mos e bëj për zë këtë, s’të duhet gjë ty, aman ore…

Në vartësi nga koha, kodi dhe pseudonimet ndërroheshin katër herë në 24 orë, kodi i paradites, mbasdite i takon dikujt tjetër dhe kështu me radhë. Me këtë mënyrë gjeniale, as armiku nuk i diktonte dot kodet por as vetë miku nuk i mësonte dot. Dhe as më pak e as më shumë, këta ishin  shefat madhorë të të gjitha reparteve gjitharmësh, që udhëhiqnin luftën, madje kur kjo kishte hyrë në dinamikën finale. Edhe aq më tepër bela e madhe, se mua ma rrasnin nga 24 orë shërbimin, sepse kisha memorie të shkëlqyer. Me vete thoja: Po ç’ne ushtria shqiptare, me goditje atomike kundra kundërshtarit dhe duke ia rrasur e para?! E kemi ne bombën atomike?!

Por, realisht ne duhej të përgjonim edhe të ndërhynim gjithmonë. Po t’i ndërpritej biseda ministrit, gjeneral Beqirit ose po t’i hynte në linjë ndonjë fillrojtës që donte muhabet me “dashnoren platonike me zë të ëmbël” ndonjë centraliste civile, ky e mbyllte vetë problemin. Ishte jashtëzakonisht miqësor me ushtarët. Por prite zot, të ndodhte ky incident me gjeneral Petrit Dumen, sidomos kur ky edhe në kulmin e lojës ushtarake, fliste me të bijat, të pinte e zeza…

Çadra madhështore e gjeneral Petritit, shtrohej me gurë me kashtë, me dërrasa të niveluara dhe me një goxha hali persiane bardh si bora, ku oficerët duhej të lanin këmbët dhe të hiqnin çizmet para se të hynin… Gjenerali e kishte me merak të madh sidomos kur ia vendosnim aparatin telefonik fushor TAI -43, në kuti prej eboniti. Kësaj radhe aparati ishte kinez bardh e zi, fringo i ri…

Hallin më të madh e kishim kur duhej t’i ndihmonim radistët që nuk siguronin dot ndërlidhjen me alfabet mors, përmes linjave telefonike. Po të diktonin të priste burgu ose edhe pushkatimi!

Do vijnë në Regjimentin tonë!

 Ishte pranvera e vitit 1969. Në regjimentin e ndërlidhjes N, të Shtabit të Përgjithshëm për rast lufte, na lajmëruan se një grup nga delegacioni ushtarak që kishte qenë në Kinë, me rastin e 1 tetorit 1968, do të vizitonte repartin tonë për të na dhënë “Përshtypjet e Udhëtimit”.

Me shpejtësi në të gjitha batalionet u bënë përgatitje, u lyen me gëlqere të bardhë të gjitha zgëqet, u rinovuan ish lulishtet me tulla si dhëmbë sharre, u shkruan plot parulla të reja, ushtarëve të zgjedhur u dhanë rroba, qafore dhe këpucë të reja, dikush përfitoi edhe rrobe doku të shndritshëm kinez dhe ndonjë distinktiv me Mao Ce Dun me rreze diellore. O burra të mësoheshin edhe citate të reja përmendësh nga të Mao Ce Dunit, krahas me ajetet dhe hadithet, mësimet e shokut Enver.

Oficeri fringo i ri, fizarmoniçisti që kishte mbaruar Liceun Artistik, N. L., nga Gjirokastra, vjen me një frymë:

  • Nga dreqin jeshe fshehur mo Goni, s’lashë vend pa të kërkuar. Bëj gati kitarën, na të kam sjellë edhe një palë tela të rinj fringo, vërja se ti e lë edhe pa tela fare… Shko te kujdestari T. Y., merr rrobat dhe këpucët e reja. Pasnesër do vijë një grup me ushtarakë të lartë, ministri, shefi i shtabit Petriti dhe do kenë një takim me ushtarë e kuadro shembullorë në Këndin e Kuq. Do të ketë edhe një gosti, shoqëruar edhe me këngë e valle. Të parat do e hapin kolonjaret, lapçet e pastaj me radhë…

Edhe pse do të ishte prezent ministri Beqir Balluku, në fakt frika ishte për “gjelin e  parë”, gjeneral Petritin, me këtë rast edhe labçet ia lëshonin vendin e parë kolonjareve, të cilat përveç isove shoqëroheshin edhe me nga pak muzikë sazexhinjsh. Gjeneral Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, njihej mirë në atë regjiment, jo vetëm sepse regjimenti ishte direkt për ndërlidhjen në stërvitjet e Shtabit të Përgjithshëm, kur imitoheshin raste lufte, por edhe për një rast më specifik. Gjatë një kontrolli të befasishëm, natën e një dimri, e kishte kapur personalisht, borizanin e repartit në kokërr të gjumit. Ia kishte marrë borien, ia kishte mbushur plot me supë, te “Kuzhina e Perëndit”. Kur do t’i binte bories në ceremoninë e mëngjesit, kjo ishte ngrirë akull. Ilraritet i përgjithshëm dhe njëkohësisht një zgjuarsi e jashtëzakonshme e gjeneralit kolonjar…

  • Shef Nikolla, po ku i di unë këngët e jugut o burrë? Do bëjmë pak prova sonte?
  • Ç’llafos a derëzi, kujton se ke punë me shumë akorde si me Ferdinand Dedën? Ç’punë ke ti mo, mbaji një akord minore aty, ec mbas meje, dëngër, dëngër, dëngër. Sa të nxehen pakëz nga rakia e do ta shohëç se e vazhdojnë vetë me Petritin në kokë…

Si talent i rrallë që ishte Nikolla, i gjeti shpejt e shpejt kolonjarët, lebërit dhe grupet e tjera të eeee-ve të gatshme. Përveç këtyre organizoi nja pesë a gjashtë mikse me këngët më të zgjedhura për evenimentin: “Viti 960-të/J’Enveri prapë në Moskë; Dy luanë ka sot Bota/Një Azia, një Jevropa/Mao Ce Duniiii në Kinëëëë…/J’Enveri në Shqipëri; E tunde moj Kina Popullore eeee/ me rroketën plot me mbushje bërthamore ëëë…ëëëë” dhe këngën “Gjirokastra në shpat mali”, që e njihte e gjith Kina. Gjeti edhe nja dy çiftelia me: “Enver Hoxha e Mao Ce Duni, janë si buka e një brumi”, “Alo Moska n’ telefon”, aktivizoi edhe një gajdexhi skërfyell të gjatë me qafë të shtrembër nga Quksi i Librazhdit… Si muzikë të lehtë dhe revolucionare, se ku e gjeti një që këndonte këngën tibetiane, “Vajza Fashatare”, me një zë koke që ta therte kaptinën: EEE, heheheeeeeh, heii, aj fai fuji meji jeh han, a ha ha hahahah cinaide Mao Ce Dun”… Aq bukur e këndonte si mezin ezani…

(Këtë këngë edhe unë e dinja mjaft mirë, madje me vete përsërisnja edhe një refren të Lekës vëllait tim, “Mao Ce Dun Kokrrun”)

Më në fund erdhi Dita Fatlume… Qy herët në agim, filloi pjekja në hell e qengjave, përgatitja e kukurecëve, u provua rakia speciale e rrushit dhe plot aktivitete të tjera. E gjithë kuzhina me shefin legjendar, Perëndi Demishakun, një 150 qillosh me qafore dhe xhaketë zhyl gjithmonë të palarë, me zëvendës kuzhinier Haxhi Likën nga Burreli dhe asistent kuzhinierin Thoma Korreta nga Llakatundi, bashkë me disa oficerë dhe një togë që kishin haber nga fërliqet, ishin të impenjuar në kulm.

Në Këndin e Kuq, ne na dukeshin ushtarakët e lartë dhe atasheu ushtarak kinez, sikur sapo kishin zbritur nga Hëna…

Mbaroi hyrja, një Fjalim, mbaroi edhe programi artistik. Siç e kishte parashikuar ekzaktësisht N. L., çdo gjë rrëshqiste si në vaj, këndo kolonjarët qit e prit lebërit, jepu mezeve, vu birra e rakia dhe vu këngët.

Në momentin më të eksituar, në emrin edhe të ministrit Beqir Balluku, u ngrit gjeneral Petriti, për të bërë përshkrimet, përshtypjet dhe mbresat e “paharruara të përjetshme” të vizitës historike, megjithëse kjo vizita kishte pak muaj më përpara…

Ra një heshtje varri, të gjithë po dëgjonim me interesimin më të madh.

  • Shokët kinezë, vëllezërit tanë, së pari na informuan se ullinjtë e Miqësisë së Përjetshme Shqiptaro – Kineze, po rriteshin të shëndetshëm dhe të mbarë…

Gjatë të gjithë vizitës, nuk patëm asnjë lloj divergjence, me përjashtim të njërës. (E gjithë salla u duk sikur u mblodh e u përqendrua te ajo “pikë divergjence”!)

Ne u thoshim shokëve kinezë edhe me porosinë e vetë shokut Enver, “Shoku Mao Ce Dun ësht udhëheqësi më i madh i Botës”, kurse ata e dini ç’na thanë? Jo, jo, jojo, shokë shqiptarë e keni shumë gabim! Shoku Enver Hoxha është udhëheqësi dhe teoricieni më madh i Botës! Hëë, fol po deshe…

Oreee, deri edhe në Komunat, më të largëta, populli i dinte përmendësh, Citatet e shokut Mao, për ne shqipot: “Mijëra male dhe qindra lumenj e ndajnë Kinën nga Shqipëria. Kemi miq në këtë Botë, nga ata sado larg që jemi, por si komshi të mirë i kemi. Në krahasim me ju revizionistët modernë janë një grumbull i madh bajgash, kurse ju jeni si një mal i lartë me borë”.

Ne iu përgjigjëm: “Në Mitingun e Madh të Tiranës, ku merrnin pjesë 100.000 vetë, Shoku Enver ka thënë: Partinë, qeverinë dhe popullit tonë me Partinë Komuniste, qeverinë dhe popullin kinez, i lidh një miqësi vëllazërore, e fortë si shkëmb dhe që nuk do të ketë mortje asnjëherë, As dhjetë mijë kilometrat, as malet, detet e oqeanet nuk na pengojnë ne të jemi pranë njëri-tjetrit, si vëllai me vëllanë, në ditë të mira dhe të vështira. Sepse kjo miqësi ka si bazë graniti marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar”.

(Zëri i Popullit, 22 shtator 1968. Shih edhe fotoskanimin)

Ne i thoshim kinezëve, “Jetë të gjatë, shumë të gjatë Kryetarit Mao”, kurse kinezët na përgjigjen: “Jetë të gjatë shokut Enver, sa malet e Komolangma Fenit, Tian Shanit, Korabit dhe Tomorrit”!  

Në Pekin patëm rastin të shihnim shfaqjet: “Lindia është e Kuqe”, “Vajza me flokë të thinjura”, pamë filmat “Tropedinierët e Tërbuar në Detin e Stuhishëm”, “Can Ka ka fëmijë ushtar”, “A Maon e hëngri ujku”, “Biao Lin është i sëmurë”, “Mao dhe riksha Jun Su”, “Tunelet në Çen Pao”, “Lundrimi në det varet nga timonieri”, e plot e plot të tjerë. E dini ju, riksha është një njeri që tërheq një karrocë me rrota biçiklete, në vend të kalit. Dhe ç’bënte ky riksha, shoku Jun Su, natën pasi mblidhte disa grushte me xixëllonja, shkonte në bregdet, mësonte hieroglifët dhe lexonte librat e Mao Ce Dunit. Vetëm të lexosh një gazetë duhen 8000 hieroglife. Kjo shkaktoi një ilaritet të jashtëzakonshëm…

Shokët kinezë na treguan se kishin përgatitur për popullin shqiptar, një paketë me rreth 8000 filma kinezë…

(Për ato filma të shoqëruar edhe me dokumentarë, tipe Ta Çai e Ta Çini, në Shqipëri me humor nga shkaku i hieroglifëve pa mbarim thuhej: “Paksan marrë pjesë, si aktorë, gjysma e Kinës”! Shyqyr që ra banda e Liu Shio Çisë dhe filmat dolën me defekte ideologjike, si për shembull, në një detashment të rrethuar në një humnerë mali në Marshimin e Madh, komisari u hodh i pari. Gabim ideologjik i rëndë, komisari duhej të hidhej i fundit! Petriti që ishte rrumullosur mirë me raki Skrapari vazhdoi monologun.)

Ne u njohëm me përgatitjet dhe rezultatet e larta të luftimeve trup-me trup, me bajoneta ose thika, se kinezët janë si farë hithrash oree, nuk e kanë problem ushtarin. Ne pamë tunele nga më madhështoret me një labirint hyrjesh e daljesh. Pamë edhe një filëm, ku edhe shpërthimin bërthamor kinezët e shoqëronin me një ofensivë të këmbësorisë dhe kavalerisë, duke u vënë njerëzve dhe kuajve maska kundragazi dhe veshje kundratomike antiradioaktive. Sihariqin më të madh e morëm, kur shokët kinezë na thanë: Shokë shqiptarë, vëllezërit tanë të vegjël, së shpejti do t’jua gëzojmë shpirtin edhe juve me armatim të rëndë, por juve ndërkohë duhet të hapni sa më shumë tunele dhe sa më të thellë.  (Një “Ah” xhani shpirti u dëgjua…)

Pastaj të dashur shokë oficerë, nënoficerë dhe ushtarë, ne u shpjeguam shokëve kinezë strategjinë e artit tonë ushtarak, të përpunuar nga shoku Enver, në përputhje me kushtet tona specifike. Neve shqiptarët jemi pak dy milionë e ca, prandaj taktika dhe strategjia jonë ndryshon nga ajo e luftimit “trup me trup” dhe e superioritetit njerëzor, e juaja. Shoku Enver, mendon se dera hyrëse për në Shqipëri, nga pjesa lindore është e ngushtë, sepse përbëhet nga male. Është si një derë ku armiqtë nuk futen dot përnjëherë, kështu mjaft që të qëndrojmë prapa derës dhe mund t’i asgjësojmë një e nga një. Problem ne kemi vetëm bombardimet me aviacion nga ajri, zbarkimin e desantit ajror dhe bregdetin që e kemi pak të zbuluar. Desantit, do t’i dalim nga tunelet papritur aty ku ai nuk e imagjinon dhe do ta asgjësojmë pjesë-pjesë, përveç faktit që një shumicë e tyre do të vetëngulen në kunja-pykat prej hekuri që i kemi vendosur në të gjitha pemëtoret dhe hardhitë e vendit tonë. Siç e kemi llogaritur çdo ushtarit tonë i bie të asgjësojë 200-300 armiq dhe kështu domoosdoshmërit na nevojitet ca “armatim i rëndë”. Për sa i përket bregdetit, shoku Enver po bluan edhe një ide gjeniale fortifikimi, por ndërkohë ne na nevojitet armatimi i rëndë, nga ai më i rëndi, kupton apo jo.

Siç e kanë thënë shoku Mao Ce Dun dhe shoku Enver ka thënë: “Lufta atomike dhe Lufta e tretë duhet të fillojë në Evropë! Bombën atomike kur ta disponojmë, ne shqiptarët kurrë nuk do ta përdorim të parët! Vetëm po na e hodhi armiku i pari, ne do ta përdorim për interesat sublime të atdheut tonë të shenjtë”!

Kina është tjetër gjë, kinezët mund ta përdorin armën bërthamore edhe për të mbrojtur interesat e larta të popujve revolucionarë të botës. Shoku Mao Ce Dun, i deklaroi delegacionit tonë: “Po na sulmuan revizionistët sovjetikë dhe imperialistët amerikanë, kësaj radhe ne do ti asgjësojmë dhe do ti zhdukim ata totalisht dhe përfundimisht”! (Duartrokitje frenetike, brohoritje të gjata Enver Mao Ce Dun – Mao Ce Dun Enver, Kina Popullore…)

“Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne”, ia ktheu shokut Mao Ce Dun, shoku Beqir Balluku… Ju shoku Mao Ce Dun vetë keni deklaruar: “Kush do të guxojë ta prekë qoftë edhe një fije floku Shqipërinë, atë nuk e pret gjë tjetër disfatës së plotë, të turpshme dhe të pashmangshme”! (Zëri i Popullit, 22 shtator 1968, f 1 e 2. Shih edhe fotoskanimin)

Në pritjen e madhe në Pallatin e Popullit, Kryetari Mao përsëri deklaroi: “Qoftë edhe një qime floku po ta prekin Shqipërinë, Bota nuk do të njohë më kufij shtetesh, ajo do të ndizet tym e flakë. Brenda 24 orëve, 20 milionë ushtarë kinezë, do të lajnë fytyrat në detin Adriatik!”

 [Me veten time po mendohesha se ku mutin e kisha dëgjuar për herën e parë këtë version Deklarate? Diçka më kujtohej se e kisha imituar dhe kishim qeshur me lot, sidomos babai ynë desh u mbyt… “na u ba qimja e Mao Ce Dunit, si, “Qimja e Muhamedit”! Kur befas u kujtova, këtë e kishte cituar edhe Myftiu i Tiranës, Manushi, pakëz pagojc e gojështrembër, që e lëvizte edhe kokën pak djathtas ritmikisht, si zog pule: “Me rastin e denoncimit të Traktatit të Varshavës, Kryetari Ma Ce Dun ka paralajmëruar të gjithë armiqtë e vendit tonë, revizionistët modernë sovjetikë dhe shërbëtorët e tyre, po të guxojnë të prekin qoftë edhe një fije floku (ose bythe), Shqipërinë, ata nuk i pret gjë tjetër veç disfatës së plotë, të turpshme dhe të pashmangshme. Për këtë Përshëndetje të Zjarrtë (atomike) shoku Lin Biao, shoku Çu En Lai dhe shokët Enver Hoxha e Mehmet Shehu kanë shprehur mirënjohjen e pakufishme ndaj Kryetarit Ma Ce Dun”! (Zëri i Popullit, 22 shtator 1968, “Fjala e shokut Manush Myftiu”. Shih edhe fotoskanimin)

Me zor të madh duke kafshuar buzën e poshtme u desh të përmbahesha pa ia plasur gazit. Nuk bëhej fjalë për çfarëdo lloj qimeje, si qime bythe për shembull, por për qime, fije floku koke… Ishte meritë e madhe që nuk qesha se do kisha përfunduar në burg ose në pushkatim!]

E gjithë salla e Këndit të Kuq, përfshirë edhe vetë ministrin Beqir Balluku dhe atasheun kinez, kishin shtangur nga këto Deklarata histerike të çakorduara të shefit të dehur… Papritur, një zë e theu heshtjen, sikur ta kishin shpuar me një biz në prapanicë:

  • Ouu! Oree shoku sheef, me leje të bënj një pietje uuu?
  • Bëje, bëje!, – i përgjigjet i përgjigjet gjeneral Petriti, të cilit i pëlqeu ky guxim fshatari me dialektin lab.
  • Ore, po qysh mund të vinjë ata maluketër, njëzet meleonë, në dhjetë mijë e kusur qillometro, brenda njëzetekatër orëve?!
  • E eee, punë për të, e ka menduar hollë shoku Mao Ce Dun… Po ja për shembull, ti vetë ç’na thua? Pa hëë, jepi njëherë…
  • Pyetësi ishte asistent kuzhinieri i formacionit të kuzhinës së Perëndi Demishakut, Thoma Korretua, një lloj tipi Sanço Panço, i lindur. Por, tashti kaq papritur, ky ngeli si një zog i zënë në trapol. Mençurisë fshatare labe, që deshi ta sfidonte, i hasi shara në gozhdë me mençurinë kolonjare. Edhe më keq akoma, duhet ai vetë t’ia kthente përgjigjen pyetjes së vet, me Urdhrin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm!

Ishte bërë bardh dhe me pak buzëqeshje të ngrirë, e filloi Deklaratën: “Jarabi nuk na përkasin qoftë edhe një qime floku armiqtë revizionistët sovjetikë dhe imperialistët amerikanë! Oree, janë për t’iu q… tëmën këta kinezët dhe Mao Ce Duni, do kenë bërë nonjëë tunel dhjetë mijë qillometro nga Kina në Shqipëri dhe q’andej do kenë futur ushtarët dhe bombën atomike! Ç’të them më tepër unë i varfëri, kaq ma pret”.

Bomba e parë atomike, kishte plasur aksidentalisht në daljen e tunelit në Evropë, në Tiranë. Ilariteti ishte i menjëhershëm, histerik dhe i papërmbajtshëm, përfshirë ministrin, gjeneralin, suitën e tyre dhe atasheun. Ushqimi që e kishim përlarë si të babëzitur, po na dilte për hundësh. Krahas shpërthimit të madh, pati edhe shpërthime laterale “pordhësh syfyri”, që e shumëfishuan akoma më shumë shpërthimin, me disa valë goditëse.

Vetëm Thomai, kishte ngelur krejtësisht serioz, nuk pyeste për radioaktivitetin, ishte zverdhur dhe kishte ngelur në këmbë si k… i ngritur. Ai ishte një djalë i shkurtë e shumë trashaluq, ishte kuqo dhe mbrapa kokës kishte një copë të mirë të rrjepur pa flokë, si ata këndesat qafë gjatë e lafshë kuqë. Ishte nga Llakatundi i Vlorës. Vetëm një ekzemplar si ai, pa asnjë lloj paramendimi e keqdashje, mund ta realizonte një skenar kaq origjinal.

Më vonë, vazhdoi kënga, të ngrënët dhe të pirët deri në fund. Ministri Balluku, e kaloi pa bërë zë fare këtë incident dhe më duket se kjo ishte zgjidhja më inteligjente, që mund të  bënte zv/strategu dhe kompetenti i luftës atomike në Evropë, mbas shokut Enver, shokut Mehmet dhe shokut Hysni. Kjo ishte treshja e parë e Zonës së Parë Operative, si me thënë këta ishin Kreshnikët, Agajt e Jutbinës, të tjerët ishin si puna e Plakut Qefanak ose si puna e Arnaut Osmanit.

Flitej aso kohe se Beqiri ia kishte kërkuar Mao Ce Dunit bombën bërthamore, me porosi speciale direkt nga shoku Enver, por Çu En Lai i poshtër (duke harruar edhe mirënjohjen e pa kufijshme!) e kishte kundërshtuar, aty për  aty, sy më sy edhe të vetë Ma Ce Dunit!

  • Nuk na mbushet mendja, shoku Balluku për sa thatë. Sa të transportohet me det bomba e pjesë-pjesë e çmontuar, juve ju pushtojnë dhe ju shtypin si një plesht për dy orë, megjithë atë bregdet të hapur që keni. Hë për hë ne nuk mund t’ju pajisim juve me armatim të rëndë…

I shkreti Beqir, e kishte filluar si atentator i njësiteve guerilje, kishte kërcënuar të gjithë ambasadat për kokën e shokut Enver, kishte qenë kryetari i komisionit të internim-dëbimeve… dhe po e përfundonte misionin me një kapele republika si Fernandeli, duke i lënë selamin nga aeroporti i Sinkiang – Ujgurit në Urumçi, pa bombë bërthamore!

Çu En Lai i poshtër, çoku i kishte lënë ndonjë shpresë, për një laborator atomik, kishte thënë blini në Çeki mbeturina uraniumi të varfëruar, ose kërkoni dhe nxirrni ca uranium edhe në Shqipëri, mbushini me uranium radioaktiv edhe predhat e zakonshme, pastaj, shohim e bëjmë… Kombinatin metalurgjik do t’jua ndërtojmë, edhe fabrikat e armëve do t’jua ndërtojmë, aeroportin për aeroplanët supersonikë do t’jua ndërtojmë edhe aeroplanët do t’jua dërgojmë, hë prapë nuk jeni të kënaqur …

Duhet t’ju them se kjo ngjarje dhe sidomos ky oreks skicofrenik për armët bërthamore, kjo histeri – megallomani luftënxitëse, ka qenë e vërtetë. Një këngë labe thoshte: ”Do t’i kthejmë ata në kërma aaa, ëëëë ë ëë oi, oi, o mbushe, mbushe moreee, mbuçeee buçeee”. Dhe heqësi nuk e kishte fjalën për mbushje bërthamore, por për mbushje me iso polifonike blegërimash…

Kur Enveri, në kompensim të bombave bërthamore, pretendoi se kishte zbuluar një sistem fortifikimi me bunkerë fushorë bregdetarë, Beqiri si dikur Çu En Lai guxoi dhe çoç shprehu pakëz dyshim, dhe…

Enveri Ynë, nuk ishte si Maua që i dërgonte për riedukim ideologjik në universitetin e Çangshasë, i pati bërë kurbanë fërlik komplet Shtabin e Përgjithshëm, bile e hëngri edhe Shehun e Kryministrisë…

Për ta mbyllur, formula popullore e folklorit të jugut e kërkon: As përrallë s’ju dëfteva, por desha dhe paksa ju gënjeva, ndërsa folklori verior e ka: “Përralla me lesh (me qime) shëndetja prej nesh”.

(Aktualisht Republika e Shqipërisë, ka hyrë nën ombrellën atomike të USA – NATO-s dhe ndodhet midis goditjes së parë atomike dhe të dytë atomike … Duket sikur na e ka zënë rrota bishtin, por kemi edhe Pakistanin…)