Tsipras sulmon Micotakis: Një veto ndaj Shqipërisë për në BE, kundër interesit kombëtar grek!

Votimi i protokollit të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut në parlamentin grek u parapri nga debate maratonë me tone të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Tsipras akuzoi opozitën se nuk ka një qëndrim të qartë për politikën e jashtme me vendet fqinjë, por vetëm përpiqet të pengojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kreu i qeverisë i bëri apel shefit të opozitës Mitsotakis të jetë më serioz në lidhje me deklarat e tij për diplomacinë.

“Partia Demokracia e re nuk pajtohet me asgjë. Na thoni mos përparoni negociatat për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, mos zhvilloni bisedime me turqinë, mos vijoni zgjidhjen për çështjen maqedonase, mos lejoni anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Europian.

Nëse zoti Micotakis mbështet veton për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit, ai nuk po vë në pikëpyetje vetëm një qëndrim kombëtar të Greqisë, por edhe një qëndrim të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian”, tha Tsipras.

Ndërkaq kreu i partisë opozitare Mitsotakis kërkoi menjëherë zgjedhje të parakohshme për të sjellë një katharsis politik sa më shpejt të jetë e mundur që sipasi tij Greqisë i nevojitet:

“Në vend që të shkojë në zgjedhje, Z. Tsipras përpiqet të mbajë të lidhur vendin pa legjitimitet politik. Greqia kurrë nuk ka kryer veprimet që po përjetojmë javët e fundit. Republika e Greqisë po jeton momente të tregtisë politike. Para syve tanë shohim shantazh.”

Pas votimit të protokollit të NATO-s, të Maqedonisë së Veriut në parlamentin grek, tashmë procedura duhet të vijojë me parlamentet e vendeve të tjera, ku Bullgaria ka deklaruar se do të procedojë javën e ardhshme.

/a.meta