Trump: Irani do të ndeshej me pasoja të rënda nëse fillon prodhimin e armëve bërthamore

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Iranin të mërkurën se do të ndeshej me “pasoja shumë të rënda” nëse do të fillonte prodhimin e armëve bërthamore pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja ndërkombëtar e vitit 2015, që kishte si qëllim ndalimin e programit bërthamor të Teheranit.

Në komentet që bëri në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara “brenda një periudhe të shkurtër kohore” do të vendosin sanksionet ekonomike ndaj Iranit, në një përpjekje për të detyruar Teheranin që të negociojë kushte të reja mbi marrëveshjen, provat e tij me raketa balistike dhe praninë ushtarake në Siri, Jemen dhe rajone të tjera në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan akuzoi Iranin për krijimin e “skenave destabilizuese dhe vdekjeprurëse” në rajon.

“Ne do të arrijmë një marrëveshje shumë të mirë ose nuk do të ketë fare marrëveshje,” tha ai.

Presidenti Trump vazhdoi ta sulmonte marrëveshjen bërthamore që Teherani arriti me Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e paraardhësit të tij, Barak Obama, duke e quajtur atë një “marrëveshje të tmerrshme që nuk duhet të ishte bërë kurrë”.

Komentet e Presidentit Trump erdhën pak kohë pasi pesë fuqitë e tjera nënshkruese: Gjermania, Britania, Franca, Rusia dhe Kina shprehën përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin. VOA