Treni Tiranë-Durrës-Rinas, BERZH zgjedh kompaninë që do mbikqyrë punimet

Banka Evropiane për Rindërtim  dhe Zhvillim ka përmbyllur procedurat për përzgjedhjen e  kompanisë që do të kryejë mbikëqyrjen e punimeve për rehabilitImin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të linjës së re drejt Rinasit.

Përzgjedhja e kompanisë shënon një avancim në realizmin e një prej projekteve më të rëndësishme në fushën e  infrastrukturës hekurudhore.

Sipas BERZH  nënshkrimi I kontratës do të bëhet në datën 31 tetor 2019, ndërkohë që kohëzgjatja e saj do të jetë 44 muaj.

Financimi do të bëhet nga kredia që BERZH ka akorduar për realizimin e këtij projekti dhe kap vlerën e 1.5 mln eurove. Ndërkohë që në total ky institucion do të financojë veprën me një hua prej 36 mln euro, ndërkohë që kosto totale arrin në 90 mln euro.

Përveç kredisë së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,  16 mln euro financohen nga buxheti I shtetit, ndërsa 35.4 mln euro janë grant i Bashkimit Evropian. Sipas projektit, linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h.

Ndërkohë që, linja e re që synohet të shtohet, fillon në km e 27-të nga Durrësi dhe përfundon me një terminal pasagjerësh në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Pavarësisht se nuk është vendosur ende, çmimi i biletës pritet të kushtojë nga 1-1.2 euro.