Transformimi i doganës së Hanit të Hotit, ministri Fatmir Xhafaj: Menaxhim më cilësor

Shqipëria dhe Mali i Zi, do ta kenë më të lehtë qarkullimin dhe lëvizjen falë transformimit që është bërë në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të premten ishte pjesë e ceremonisë së inaugurimit të pikës kufitare të Hanit të Hotit, bashkë me ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe me ministrin e Brendshëm të Malit të Zi. Xhafaj ka treguar për lehtësimin që do kenë qytetarët me hapjen e kësaj pike. Ministri ka treguar edhe një episod në marrëdhëniet me qytetarët, ku për të hapja e kësaj pike, do ta “shpëtojë” nga mesazhet e shumta të qytetarëve në telefon. “Më në fund edhe unë do kem mundësi që të mos kem më inboxin e telefonit tim të kem mesazhe: “”Çfarë bëhet me Morinën, çfarë u bë me hanin e Hotit, shumë vonë me Hanin e Hotit, kur do përfundohen ato punimet”. Do biem të qetë në këto ditë të nxehta gushti, e të mos kemi më korrespondenca të tilla. Qeveria shqiptare ka investuar në menaxhimin e portit. Suksesi është tregues i padiskutueshëm për drejtimin tonë politik. Turistët do marrin shërbim më cilësor. Zgjerimi i pikës hyrëse do të lehtësojë kalimin. Prioritet për ne mbetet zhvillimi i turizmit. Ky sezon turistik ka qenë më i mbarë falë masave që janë marrë për kalimin në kufi. Agjencitë ligjzbatuese do menaxhojnë më mirë kufijtë. Do kontrollojmë kufijtë detarë”,-tha ministri Xhafaj. Më tej ministri foli dhe për synimet dhe çfarë pritet të ofrojnë ambientet e reja. “Objektet e reja që përurojmë sot, do të japin ndihmesën e vet në lehtësimin e qarkullimit të shpejtë edhe të turistëve nga vendi ynë por edhe ata që hyjnë në territorin tonë. Synimi kryesor është që në këtë pikë kufitare të kemi ambiente dhe infrastrukturë të nivelit dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Shengenit. Jemi të bindur se ky investim do të realizojë pritshmëritë për të pasur një menaxhim të kufirit shumë më cilësor se në të shkuarën, e tashmë të krahasueshëm me vendet e BE-së. Duke qenë se refugjatët e shohin Shqipërinë si “rrugën e artë” për kalimin drejt vendeve të BE-së, sipas Xhafës, ambientet e reja do ti japin mundësi agjencive ligjzbatuese për të kryer lehtësisht menaxhimin e kufirit. “Ambientet e reja të ndërtuara, do t’u japin mundësi agjencive ligjzbatuese të kryejnë edhe më lehtësisht dhe me efikasitet menaxhimin e kufirit. Po kështu, këto do t’u shërbejnë autoriteteve doganore; atyre të kontrolleve veterinare e fitosanitare; etj, pra një sërë përfaqësuesish të agjencive ligjzbatuese të vendit për të kryer shumë më mirë detyrën e tyre. Gjithashtu qeveria shqiptare ka parashikuar një fond të posaçëm dhe do të nisë së shpejti punimet për një ndërtesë të re për administratën në këtë Pikë të Kalimit Kufitar”,-u shpreh Xhafaj. Suksesi i këtij projekti të realizuar në bashkëpunim me autoritetet e BE-së, është një tregues i padiskutueshëm i orientimit politik dhe aspiratave për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen e madhe europiane. “Bashkimi Europian ka lindur si një model i qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve të ndryshme por kjo nënkupton njëherësh edhe rritje të kapaciteteve për garantimin e sigurisë mes vendeve përkatëse”,-tha në fund ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.