Tragjedia e Kishës Katolike Shqipiptare, dha e Kryqit Shqiptar, nga Kryqi tek Ringjallja, Profile Martirësh


Lexuesi, ka të drejtë të befasohet, që autor i këtij libri të jetë një njeri, që në detyrën e tij, nuk është klerik, historian as shkrimtar. Këtë përshtypje e ka pasur nga fillimi e deri në fund edhe vetë autori…, por që më në fund, ka arritë në përfundimin, se ishte thjeshtë e premtuar prej Zotit, një detyrë e ngarkuar dhe e zgjidhur vetëm prej Tij.

Autori, i përket një familjeje të krishterë, të dokumentuar sëpaku, që nga koha e Kuvendit të Arbërit (1703). Në një dokument, gjetur kohëve të fundit, të famullitarit të Tophanës don Pal Kamsit (18.VI.1737), në listen e familjeve të vjetra katolike shkodrane (lagjen Arra e Madhe). Asokohe pjesa më e madhe e të krishterëve, ishin këthyer në islam, një pjesë në “laramanë” (në shpirt të krishterë). Të paktat ishin ato familje qytetare, të mbetura dhe deklaruar hapur si të krishterë. Më 1858, kur vihej guri i themelit i Katedrales së Shkodrës, në atë foton historike të pjesmarrësve, gjendet edhe stërgjyshi, Jak Pepa.

Edhe mbas afro 50 vjetësh tjera, është këtë rradhë gjyshi, Pjetër Jaku, të cilit, autori i trashëgon edhe emrin, (“Pranë dhe Larg” f.13), qe gjëndet pranë Misionarëve Shetitës, si: atë Ded Passi, atë Frano Genovizzi etj., duke i shoqëruar ata, që me rrezik jete, shkonin për të përhapur dritën e dijes dhe fesë, në skajet më të largëta e më të thella të malësive shqiptare.

Në Arkivin Qendror të Shtetit në Shqipëri (Tiranë), gjendet një dokument, ku, provohet se dy klerikët e mëdhenj, atë Anton Harapi O.F.M. (1886-1946) e atë Mark Harapi O.F.M. (1886-1974), u zbuluan pikerisht nga keta misionare ne Obot, e qe, si pranuan deshiren e tyre për xhakoj, duke qenë ende të vegjël në moshë, i strehuan në shtepinë e qytetarit shkodran Pjeter Jaku (asokohe katekist), pranë Misionareve Shetitës dhe kafaz pranë Konsullatës Italiane.

Ndoshta, për këtë ndihmes modeste, në ditën e vdekjes së tij (nëntor 1929), në revistën “Kumbona e së Dielës”, është shkruar: “Më një mënyrë të veçantë, po jau porosisim lexuesave shpirtin e Pjetrit Jakë Pepës, i cilli në djelmni të vet, për shumë vjet, kje shok shumë besnik i Misionarëve t’ onë*, tuj u ndihmue me vepren e vet si katekistë, edhe kje ndimtàr i madh i Rektorve n’Uratore të Zemres së Krishtit.-Zemra e hyjnueshme e Jezu Krishtit i dhashtë shperblimin per ato vepra aq shejte!” (“Pranë dhe Larg”, v.2000, f.269)

Tradita vazhdon. I jati i tij Ndoc Pepa, gjithë jetën e tij mbeti mik e ndihmëtar i ngushtë i etërve françeskanë e jezuitë, jo vetëm në ditët e lulëzimit, por edhe të rrezikimit e të ndeshkimit të rëndë te tyre. Kjo ndikoi edhe tek vetë autori i librit, i cili, duke u gjetur, që në fëmijërinë e tij të herëshme, gjithnjë pranë institucioneve fetare dhe sherbyesve të saj, njohu shumicën e tyre. Ai mbeti i lidhur gjatë gjithë kohës me jetën, veprimtarinë dhe vdekjen e tyre. (“Dosja e Diktaturës”, 1995 f.600; “Pranë dhe Larg” 2000, f.15).

Një fotografi e thjeshtë dhe e vogël, por me domethënie të madhe, është ajo e vitit 1953, kur autori tashmë njëmbëdhjetë vjeç, gjendet në Merçijë të Lezhës, ku, festohet, edhe në kushtet e mbaskomunizmit, 250-vjetori i Kuvendit të Arbërit; (ndërsa 50 vjet më vone, Nunci Apostolik Giovanni Bulaitis i dhuron nje nder te paktat kopje), të Kuvendit të Arberit, botuar nga Selia e Shenjte, në 300-vjetorin e mbajtjes dhe botimit të tij (1703-2003).

Pesë vite më vonë, në 1958, edhe ai, si gjyshat e tij shekuj më parë, gjëndet ndër protagonistët e Festës së madhe të 100-vjetorit të Katedrales, në korin e punimet e shumta, që kryhen me këte rast, e një goditje në koke, një rrjedhje gjaku mbi themelet e elterit të ri, që ndërtohet, mbetën dëshmi e lidhjes së tij të pandashme me Kishën dhe klerikët e Saj. (“Pranë dhe Larg”, f.19).

Në përiudhën e bukur e të vështirë të ndryshimeve demokratike, shtyrë nga vullneti i Zotit ai , është në krah me një tjetër qytetar shkodran, z.Mark Morana, që thërret don Simon Jubanin, për Meshën e Parë (4 nëntor 1990), çka do të thotë, se pati fatin e madh të shohë, mbas sa dekadash, në Fushën e Rrëmajit. Disa jave mbas, ndihmon në hapjen e Kishës “Zoja Rruzare”, tek lagja e tij, ku kishte ndihmuar meshë, që në fëmijërinë e tij (“Pranë dhe Larg”, f.73)

Pas kësaj, të thuash fare rastësisht, ai lë bluzën e bardhë dhe e sheh veten në Parlamentin shqiptar, si përfaqësues i forcave demokratike, posaçërisht i pjesës së krishterë. Një kujtim i fëmijërisë, një thirrje gjithë dëshpërim e babait: “Po këta kanë vra kot patër Faustin me shokë … po ai ka kenë shejt”, bëhet shkak për gjurmimet në arkivat deri atëhere tabu të Sigurimit famëkeq të shtetit diktatorial komunist, që e çojnë në tubime të shumta e në dekorimin e tyre si “Martirë të Demokracisë” e më pas në botimin e librit “Dosja e Diktaturës”, 1995, për të cilin, Kardinal Mikel Koliqi (1902-1997), do të shprehej: “Një meritim i madh, për të mbetë në histori…”

Gjatë punës afro gjashtë vjeçare ne Parlament, duke mos e harruar asnjëherë detyrën e vet si katolik e duke mbajtur qëndrim të hapët në mbrojtje të Klerit dhe Fesë së krishterë, një ditë, ai përballet me një incident të bukur. Juristi Fehmi Abdiu, gjatë një seance parlamentare, që përmes televizorit, përcillej në gjithë Shqipërinë, në zemrim e sipër, duke dashur t’a fyej e shanë “katolik” dhe merr një përgjigje, prej një faqeje gazete, ku, ai i tregon, se cili, ka qenë kontributi i krishtërimit në botë e në Shqipëri dhe pse diktatura komuniste, ishte kaq e tërbuar me Klerin e krishtërimin shqiptar… Kjo gazetë, që shitet ne Shkodër, mbrenda disa orëve e me kaq jehonë, bën që imzot Frano Illia (1908-2001) t’a emërojë atë, si përfaqësues të Klerit katolik në Parlamentin shqiptar (“Pranë dhe Larg” f.117)

Dhe ndoshta, si shpërblim i punës së deri atëhershme, në vitin 1997, shkon ambasador pranë Selisë së Shejtë dhe Shejtit Atë Papë Gjon Pali II (Karol Wojtyla 1920-2006). Ndodhi si pakuptuar, që edhe vetë ai, në mbylljen e jetës, e sheh veten si një qytetar, që për 50 vjet mbeti i pandarë ndarë nga Kisha, Institucionet dhe sherbëtorët e Saj, me lidhje miqësore, të hapta dhe të fshehta, sipas përiudhave të ndryshme, që Ajo kaloi, duke njohur personalisht afro 100 klerikë nga të gjithe ata, që u ndodhën përballë “furtunës së tërbuar komuniste”.

Kishte afro 10 vite punë, kërkime e botime, mbi sakrificën dhe martirizimin e tyre, dhjetra libra me autografe, dhuruar nga personalitetet e kësaj kishe si Koliqi e Ilia; Masafra e Sinishta, Mirdita e Simoni, Pllumbi e Nogaj, Jubani e Gjolaj, Luli, Gardini e Sinishta, e sa e sa emra, kujtime e dhurata klerikësh e martirësh, nga Shqipëria në Itali e  Amerikë. Pra, njohje personale, që shkonin nga më i vogli e deri tek më i madhi, deri te Papa Gjon Pali II e Nënë Tereza, në pragun e vdekjes por edhe të Shenjtërimit të Saj…

 

Frut e ketyre njohjeve dhe kujtimeve, behet libri tjetër: “Pranë dhe Larg”. E, kur në 60-vjetorin e ditëlindjes dhe në promovimin e disa botimeve modeste, mendoi se tashmë i ishte afruar fundit, çka do të thoshte të pushonte pak. E përfundimisht…, ja ku vjen edhe detyra më e madhe e më e vështira…

Imz.Masafra, në emër të Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare e ngarkon me detyrën e re, atë të Komisionit Historik për Kanonizimin e martirëve katolikë shqiptar, çka do të thoshte të fillonte sërish një pune sa delikate e të rëndë. Sërish me kujtimet e deshmitë, me dokumentat e arkivat, Qendrore apo të Sigurimit të Shtetit, me shkrimet e botimet, të dikurshme dhe të tashmet.. Ndoshta, nuk ishte me koha për një detyrë të tillë, por… pikërisht kjo, e bën më bindës faktin, se ishte e premtuar prej Zotit. Ai duhej t’a pranonte atë për shumë arësye.

Falë gjithë asaj, që u parashtrua më lart, falë përvojës e mundësisë, se tashmë bëheshin së paku dhjetë vjetë, që nuk i ndahej atyre temave, falë mundësisë, për t’ iu futur sërisht atyre arkivave, ku, tjetërkush nuk ishte futur e nuk mund t’i futej pa lejet e posaçme.

Ja pra, se pse ai medoemos duhej ta pranonte këte detyrë e këte ndèr! Ndèr i madh, sepse mjerisht në Shqipëri, martirët dhe dëshmitarët e Fesë, ishin më të shumtë se kudo tjetër.Vuajtja dhe qëndresa, kishte qenë më e fortë se kudo, mbasi edhe vetë diktatura kishte, qenë më e egër dhe kishte jetuar më gjatë…

Përgjegjësi e madhe, sepse ata ishin martirë të vërtetë, por të torturuar e të baltosur nga një djall i vertete. E kishin fituar me vdekjen e tyre të lavdishme martirizimin, por diktatura, kishte zhdukur gjithçka duhej ditur mbi jetën e veprën e tyre.. e madje, edhe kishte përbaltur gjithçka.

Dhimbje e madhe, sepse do të jetonte me vuajtjen e sakrificat e tyre e të familjeve, me nënën, që mbeste pa djalin e vetëm, me motrat e vëllezërit, që fillonin kalvarin sapo humbisnin me të afërmin e më të dashurin e tyre, me misionarët, që kishin lënë atdheun e familjen e tyre, italiane e gjermane, që vinin për t’i sjellë dritë e kulturë, besim e shprese, këtij populli, kaq të prapambetur e të humbur. Ata lanë eshtrat, në vendet e panjohura, në një zall lumi apo një hendek rruge. Ndërsa, në anën tjetër, do të ndeshej me torturat, që nuk mund të përshkruhen, që nuk gjenden as në shekujt e mesjetës e për të cilat, flitet aq shumë, duke lënë në heshtje e harresë ato të shekullit të XX, që i pranonin e i tregonin vetë kriminelët, me deshmitë dhe dokumentat e tyre.

Ju vu punës, i bindur si gjithmonë, se Ai, që e premtoi, do t’a ndihmoj, ta kryej edhe këte detyrë të vështirë. E, mbas disa viteve pune, më në fund, paraqet sot këtë punë modeste, që padyshim, ka për të pasë mangësitë e dobësitë e veta, por që lexuesi zemër gjërë ka për t’ia falur, i bindur se e bëri për të vetmin qëllim fisnik, për nxjerrjen në pah të sakrificës së pashembullt të Kishës dhe Klerit katolik shqiptar, e cila, meriton shumë më shume dhe do ta marrë atë në shumë vepra tjera më të përkryera në të ardhmen.

Ajo qe mund te them, me kete rast, është fakti, se nga bukuria, dhembja dhe vlera e këtij libri, nuk i përket asgjë autorit, por vetëm jetës, veprës e vdekjes se atyre, që lumturisht vuajten dhe ranë për binomin me të shtrejtë të të gjitha kohërave Fe–Atdhe. Le të jetë kjo vetëm një pikë uji, në oqeanin e mirënjohjes, ndaj sakrificës së tyre të pashembullt.

Klajd KAPINOVA, New York