Top Channel Exclusive: Greqia financon portale në Shqipëri. Kush i ka marrë ato para turpi?!

Ekskluzivja e “Top Channel” rreth financimeve antishqiptare greke nuk duket se ka marre vemendjen e duhur si ne Shqiperi, ashtu edhe ne Maqedoni. Shitja e interesave kombetare shqiptare, politikat shoviniste antishqiptare greke kane kaluar pa mundesine e trajtimit si nje alarm. Kjo deshmon se vetedija kombeare eshte ne nivele mjeruese. Kjo deshmon se te tjere tregtare blejne çdo dite te sotmen dhe te ardhmen e ketij vendi. Te gjithe jemi kthyer ne shites dhe te shitur. Ata qe na shesin kurre nuk do te na thone se me çfare çmimi na shiten, me çfare fature e blene te hujat historine tone, traditen tone, detin, token.

Top Channel mëson se Greqia financon me fonde sekrete portale, media dhe gazetarë në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit.

Ky lajm po diskutohet nga burime që tregojnë detajet e largimit të ministrit të jashtëm Niko Kotzias nga qeveria.

Pas dorëheqjes flitet edhe për një një skandal financiar, pasi sherri mes tij dhe ministrit të mbrojtjes Panos Kamenos ka ndodhur për shkak të parave që financohen në Shqipëri për mediat, gazetarë, zyrtarë të minoritetit apo dhe ndërtime në jug.

Një shumë prej 1 milionë euro është dhënë në muajin tetor për disa portale edhe në Shqipëri, siç mëson Top Channel.

45 milionë euro është shuma të cilën Kamenos ia faturon Kotziasit si e shpenzuar në mënyrë abuzive nga ai që konsiderohet buxhet sekret i ministrisë së Jashtme greke.

Kotzias ka deklaruar se paratë e buxhetit sekret të ministrisë, kryesisht financonin Kishën orthodokse, por edhe aktivitete të ndryshme në rajon, por pa dhënë detaje.

Burime pranë ministrisë së Jashtme në Athinë bëjnë me dije se një pjese e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh dhe ndihmash në media dhe organiza të ndryshme në rajon, për të paguar gazetarë, portale, por edhe media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni.

Gjithashtu mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo per finacimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri.

Para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.

Burime të sigurta thonë se janë financuar edhe programe të ndryshme për studime Master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë.

Në listë nuk mungojnë as fondacione mediatike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër.

Janë qindra mijera euro që jepen në aktivitete në Shqipëri, ndërsa ajo çka thuhet jo zyrtarisht nëpër korridoret e ministrisë së Jashtme greke, është fakti që për të bërë marrëveshje mes dy vendeve, duhet të paguash mirë portalet shqiptare.

Madje, janë disa portale që operojnë në Shqipëri, me domain “.al”, por që finacohen prej Athinës zyrtare.

Top Channel mësoi se ekziston një listë e detajuar e kodeve dhe llogarive, por edhe emrat e pritësve të këtyre parave, e cila shoqëron kërkesën prej nëntë faqesh të dorëheqjes, që ministri i Jashtëm i dorëzoi kryeministrit grek, Tsipras.

Para greke dhe në Shkup; Mediat në Maqedoni heshtin mbi skandalin

Mediat në Maqedoni kanë heshtur për çështjen e financimit të portaleve nga Greqia, në një kohë që Parlamenti i vendit po përpiqet të kalojë ndryshimet kushtetuese për emrin. Pas publikimit të lajmit nga Top Channel, në Maqedoni ende nuk dihen portalet që kanë marrë financime nga Athina zyrtare.

Financimi i portaleve pritet të ndajë edhe më shumë opinionin publik dhe politik në vend.

“Në Maqedoni nuk është trajtuar si temë çështja e financimit të portaleve nga Greqia. Çështja e emrit i ka lenë të ngrira çështjet e tjera që kanë të bëjnë më Maqedoninë. Në këtë rast nuk është mbuluar aq shumë skandali i përdorimit ose keqpërdorimit të mjeteve financiare të diplomacisë greke për mediat në Maqedoni ose Shqipëri”, thotë Xhelal Neziri, analist politik.

Në mungesë të lajmit, për momentin, nuk dihet se cilat janë portalet e përfshira në borderonë e ministrisë së Jashtme greke.

“Deri më tani nuk dihet cilat janë ato portale që kanë marrë mjete për të promovuar politikat greke në Maqedoni. Nuk ka një debat të hapur në lidhje me këtë temë”, shprehet Neziri.

Analisti Xhelal Neziri thotë se është i nevojshëm një hetim i plotë për zbardhjen e çështjes.

“Mendoj se nëse ky rast konfirmohet si i vërtetë do të ndikojë për keq në raportet mes Greqisë e Maqedonisë dhe Shqipërisë. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të shtetit grek në politikat e brendshme të vendeve fqinje. Duhet një hetim i detajuar i shpenzimit të këtyre mjeteve dhe nëse konfirmohen, duhet mbajtur përgjegjësi nga diplomacia greke dhe mediat që kanë pranuar në një lloj forme të luajnë rolin e propaganduesit, përcjelljen e axhendave dhe politikave të huaja në Maqedoni dhe Shqipëri”, tha ai.