TMERRI I NJE LUFTE/ Kujtimet e At Justinit: Si e bombarduan malazezët Shkodrën e 1912-ës

Nga Át Vitor Demaj, ofm

Shqipnia po përgatitej me dalë Zojë në veti. Po shkundte zgjedhën osmane që e mbajti për mâ shumë se 400 vjet, pa të drejtat e saj mâ themelore atë të lirisë së vetësundimit e vetëqeverisjes, dhe të lirisë së fesë. Tashmâ të tana kombet që ishin nën Perandorinë Osmane e kishin fitue pamvarësinë. Shqipnia ishte e fundit që po priste me padurim ditën e lume dhe të begatë, e të bekueme me gjakun e sa e sa bijve shqiptarë, martirë që përgjatë shkujsh e dhuruen jetën e tyne për idealin e naltë dhe fisnik atë të dashnisë për Atdheune e tyne.
Anë e kand u organizuen kryengritje kundra ushtrisë turke, tue fillue me kryetrimin Dedë Gjo Lulin, italo-shqiptarin e madh Terenc Toçin, me Ismail Qemail, Luigj Gurakuqin, Dom Nikoll Kaqorrin, Át Shtjefen Gjeçovin, e të tjerë bashkëatdhetar që zemra e tyne nuk prani për pa e pá edhe nji herë, Shqipninë Gjergj Kastriotit të pamvarun e të bashkueme rreth nji flamuri e nji ideali.
Edhe pse Perandoria turke tashmâ i kishte ditë e numrueme në vendin e arbënit, nga ana tjeter Shqipnia po kërcënohej përseri në pamvarësinë së saj: grekët në jug e në veri ushtria serbe e malazeze.
Qysh në vjetin 1910 malësorët, filluen luftën e tyne për pamvarësi, ku për me shue ket kryengritje qeveria e Turqve të Ri prej Stambolli nisi me të shpejtë nji gjakëbás, Turgut Pashën me 30.000 ushtar turq.
Këtij qellimi nuk i a arriti Turguti me ushtarët e tij, pse malësorët me në krye Dedë Gjo Lulin me 6 Prill 1911 ngritën flamurin në Deçiq, tue diftue kështu ballafaqe botës se edhe Shqipnisë i kishte ardhë ora e dita me dalë e pamvarun krahas shteteve te tjera. Kryengritjet shkojshin tue u shtue dita-ditës, për herë e mâ shumë, si ne veri po ashtu në jug të Shqipnisë. Rizgjimi kombëtar u pá jo vetëm nga ana politike për pamvarësi territoriale, por edhe nga ana kulturore me themelime kongresesh gjuhësore, botime librash në gjuhën shqipe, të përkohëshmeve të ndryshme, etj. Me 28 nandor 1912 në Vlonë u ngrit flamuri kombëtar. Edhe pse u ngrit flamuri i lirisë prap Shkodra gjindej në pragun e nji pushtimi të ri.
Shkodra ishte në rrezik jo vetëm pse ishte ende nën kthetrat e pushtuesit shekullor, por edhe se po perballej me rrezikun e nji rrethimi dhe pushtimi të mundëshem e të dukëshem nga ana e Malit të Zi. Knjaz Nikolla ambicjen e tij për me e pas Shkodren nën sundimin e vetë, po e bante realitet.
Rrethim i Shkodres nga ana e ushtrisë malazeze filloi me datën 8 tetor 1912. Të gjitha kronikat e asaj kohe e paraqesin rrethimin e Shkodres si nji tragjedi që çoi qytetin drejtë nji shkatërrimi të dhimbshem në të gjitha aspektet themelore të jetës së saj.
Shumë kanë marrë mundimin me na i lanë kujtimet e tyne mbi rrethimin e Shkodres në vitet 1912-1913, në forma të ndryshme, ditari, kronike, kujtime e përjetime, etj. Krahas këtyne librash i shtohet edhe nji libër tjeter me kujtime historike, ai i gjuhëtarit të njohun Át Justin Rrotës. Botimi i librit të Át Justinit ban pjesë në serinë e botimeve françeskane që ka arritë në 32 vepra të botueme. Âsht kjo nji ndihmesë e përvujtë që të bijt e Shen Françeskut duen me ja bâ popullit shqiptarë.
Dihet se lufta nuk sjell lule. Ajo mbart me vete shkatrrim, vuejtje, mizori të ndryshme, vrasje, uri, sidomos sjell vuejtje te mâ të dobëtit, gratë, femijët, pleqët.
Prandej për me krijue nji ide se çka do me thanë me qendrue nën rrethim, e i ngujuem nji vend e në rasën tonë Shkodra, Át Justin Rrota me stilin e tij të bukur prej gjuhëtari e shkrimtari na e banë të pranishem, para syve tanë, atë realitet të dhimbshem që hoqi Shkodra përgjatë disa muejve të rrethimit të saj të vjetit 1912-1913.
Shkodra ka pá e ka perjetue disa herë momente kritike rrethim, ja se si na e paraqet Át Justin në rolin e historianit e jo të gjuhëtarit rrethimin e Shkodres në shekuj: “Shkodrës sonë jetike nuk ishte, si dihet, ky rrethim, ma i pari, që i tokonte me pësue. Vendue qyteti, për natyrë, në një pozicjon strategjik fort t’aftë për qëndresë, për me e shtî në dorë, anmikut përherë i u desh me hjekë fort keq. Këndej, kanë mbetë të përmenduna në histori faktet burrnore, heroike e legjendare, që rrokull shekujvet shenjohen nga historjografët se ndodhnë, si prej anet së sulmuesvet, si, posaçe, prej anet së mbrojësvet.
Mjafton të çekim këtu, sa ngusht i a çoi Romakut edhe sa shumë flî i kushtoi këtij, kur desh t’i a hiqte doret Shkodrën mbretit të saj të pafat, Gjencit, Gjenerali romak i famshëm, Luc Emil Pali, vjetin 168 p.K.- Kujtojm këtu, sa punën i a qiti turkut vjetin 1474 e 1478, Shkodra e qëndrueme në kështjellin e Rozafatit, për me e marrë me luftë e ma fort me û.- Shtojm sulmet vigane, që bani vjetin 1811 Mustafa Pasha i Bushatit, për me e shtî në dorë Shkodrën zamadhe.” (Át Justin Rrota, Ditët e mbrame të Turqisë në Shkoder ase rrethim i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër 2010, fq. 19)
Ndërmarrja për me shkrue këto kujtime për Át Justinin nuk qe e lehtë, tue e pá rrethanat në të cilat shkroi Ati Françeskan, e sidomos tue pasë parasysh edhe se çështja e rrethimit të Shkodres âsht trajtue shumë herë në mënyra të njëanëshme e subjektive që nuk pasqyronin aspak ngjarjen reale e historike të atyne muejve. Qe, pse, bash në parathanjen e librit Át Justini shkruen tue largue prej sish çdo hije dyshimi për njianëshmëni: “Ndërkaq, na prej anet sanë, tue krye këtu detyrën e kronistit të ndërgjegjshëm, do të mundohemi ndër shprehje gjithkun të diftohemi sa ma objektiv, të drejtë e të paanshëm, sidomos në theksimin e ngadhnjëmevet të të dyja palëvet.” (Po aty, fq. 19).
Jo vetëm se âsht përqendrue në kujtimet e tij, por âsht bazue e ka konsultue krejt bibliografinë që flet mbi atë rrethim tragjik: “Kemi konsultue, mund të thomi, krejt bibljografín përkatëse, botue deri më tash nga auktorët e vendit e të huaj. Do t’i shfrytzojm mundsisht të gjithë, sidomos përsa i përket kronologjís ekzakte të ngjarjevet të këtij rrethimi, që, si thámë, njehet sigurisht ndër ma të gjatët e tragjikët, që regjistron historia.” (Po aty, fq. 19).
Rrethimi i Shkodrës zgjati plotë 8 muej. Këto “momenta tragjik për qytetin” siç i quen gjuhëtari Rrota e gjunjëzuen Shkodren si në aspektin politik e administrativ, edhe në atë humanitar deri në mungesë totale të elementeve kryesore për jetesë.
Kryekomandanti i ushtrisë turke Hasan Rizaja si strateg i mirë me kulturë e formim gjerman e mbrojti shumë mirë Shkodrën, tue mos u lanë hapsinë aspak ushtrisë malazeze të dëpertoj brenda rrethimit. Në pamundësi të thymjes së rrethimit ushtria malazeze filloi bombardimin e qytetit, tue krijue panikë, vujetje, frikë, terror e viktima nder qytetarët e pafajshem. Gjatë bombardimeve nuk pati dallime lagjeve apo zonave, u fillue me bombardimin e vendbanimeve myslimane, mandej me lagjet e të krishteneve, të përfaqësive nderkombëtare, si dhe me institucionet fetare myslimane e katolike. U bombardue Katedralja e kompanjeli i Shkodrës, Kuvendi Françeskanë, shkolla e Stigmatineve, etj. Át Justini na e rrëfen shumë mirë strategjine e kryekomandantit e qendresën e shkodranëve për me qendrue deri ne pikën e fundit në mbrojtje të qyetit.
Rrethimi prej disa muejve shkatoi shumë humbje në njerëz, nder ushtar turq e malazezë, si dhe në civila e njerëz që kishin dalë në mbrojtje të qyetit. Shkodra u rrethue nga të gjitha anët tue nderpre çdo lidhje e kontakt me jashtë. Ushtria malazeze kishte zanë vend afer Taraboshit e bregut e Bunes, Fushat e Shtojit e në Kodrat e Bardhajve, etj. Në të gjitha anët kishte luftime mes ushtrisë turke e asaj malazeze, që ma vonë i erdhi në ndihmë edhe ajo serbe. Prej këtyne vendqendrimeve ushtria malazeze bombardonte pa prà mbi Shkodër.
Át Justini gjatë shkrimit të kujtimeve të tija nuk u ndal vetëm në paraqitjene e gjendjes së luftës, por edhe në pershkrimin e jetës së brendshme të qytetit gjatë këtij rrethimi. Se si njerëzit filluen me ndie peshën, çmimin e kësaj lufte në pikëpamje ekonomike e psikologjike. Ndihej mungesë në ushqime të para për jetesë, njerëz që msyenin furrat e bukë nga uria, lypsa rrugësh, taksa në gjithçka. Simbas rrefimeve të Át Justinit mbretnonte në zemrat e shkodranëve nji anarki e plotë, lufta nga njena anë e gjendja keqe brenda me mungesën e gjanave thelbesore të jetës e kishin kthye qytetin ne nji vend pa jetë e pa shpresë.
Ndërkohë po baheshin perpjekje të Arqipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqi me Hasan Rizan për të mirën e Shqipnisë si dhe për ngritjen e flamurit ne Kala të Shkodrës. Át Gjergj Fishta caktohet si ndërmejtës. “Ndër kondita tjera që i vente Hasan Rizás Arqipeshkvi, ishte kjo: të piqeshin një herë bashkë edhe të studjoheshin planet e mënyrën e veprimevet të kryengritjes. Në këte rasë do t’i jepej një sigurim popullit, se qeveria otomane ishte tue punue kështu për të mirën e dobín e Shqipnís; edhe si shenj dokumentár, Kryekomandanti do të ngrehte flamurin e Shqipnís në kështjellin e vjetër të Rozafatit, nën flamurin e Turkís. Hasan Riza Beu i pranonte këto propozime t’Argjipeshkvit, me të vetmin kusht, që malsorët katolikë shqiptarë të rrokshin armët kundra serbo-malazezësh. Detajet e veprimevet u lánë me u bisedue për një ditë tjetër në mjedis së kryekomandantit e të delegatit t’Argjipeshkvit. Ky përfaqesues i Argjipeshkvit ishte një ndër kryetarë Françeskaj (Gjergj Fishta). Takimi do të bâhej në një barakë të veçantë ndër kodrat e Dervish Tepes, mbasi ishte vendi ma i përshtatshëm për këso bisedimesh. Me 30 kallënduer pra, 1913, ditën e ejte, n’orën 15.30 do të vinte i naltpërmenduni përfaqesuesi i Françeskanëvet, P. Gjergj Fishta, në shtëpínë e Esat Pashës. Mendimi i Hasan Riza beut ishte, që kryengritja kundra serbvet të fillonte në jugun e Zadrimës, në katundin e Nenshatit, simbas instrukcjonevet të dërgueme prej si nga Shkodra.”

Kryengritja e vitit 1912

Mbas vrasjes tradhëtisht të Hasan Rizas që ndodhi me 31 kallnduer (janar) 1913, qytetin e mori në dorëzim Esad Pashë Toptani. Ky i fundit ua lëshoi në dorë qytetin malazezëve. Me 22-23 prill 1913 u nënshkrue akti i dorëzimit të Shkodrës mes Esad Toptanit e Princit trashigimtar Danili. Me 24 prill në Tarabosh filloi me valvitë flkamuri i Malit të Zi. Po atë ditë ushtarët malazezë hyn në Shkodër.
Pushtimi i Malit të Zi në Shkodër nuk zgjati shumë. Pakënaqësia e parisë së Shkodrës dukej tashma për gjithë vend. Kleri katolik nga ana e tjeter organizonte takime, mbledhje për me e nxjerr Malin e Zi prej Shkodres, dhe për me e shpall Shkodrën kryeqytetin e Shqipnisë. Át Gjergj Fishta shkruen nji shkrim të posaçem në Hyllin e Dritës për me bâ Shkodres kryeqytet të Shqipnisë.
Prandej për me krijue nji idé të qartë për mbi rrethimin e Shkodrës gjatë viteve 1912-1913, libri i Át Justinit âsht mâ i miri sot për sot për shtjellimin me imtësi, në mënyrë origjinale e me besnikëri të atyne ngjarjeve që ende sot kanë peshën e tyne historike në jetën e Shkodrës.
Në keto pjesë të zgjedhuna të librit që po paraqesim për lexuesin del në pah pakënaqësia e populli dhe klerit katolik ndaj pushtuesve të rij. Në Troshan ku ishte edhe qendra ma kryesore e françeskajve në atë kohë u organizue nji mbledhje për dëbimin e malazeve, e kështu me e shpall Shkodren kryeqytet të Shqipnisë si dikur motit në kohën e mbretenve ilir.
Në vazhdim po paraqesim disa pjesë të librit që na përshkruejnë çaste nga Rrethimi i Shkodrës i vjetit 1912-1913.
“Momenta kritik!
Ana e krishtenimit lëvizin e punojnë si nën dhé, tue u vû në përpjekje të padáme me fshatarët për rreth, ku thonë se kanë fillue kryengritje plot. Prap mandej, ka ardhë fjala këtu, se malsorët e Mbishkodrës kanë vrá nja 3 malazez. Këta, por sidomos Hoti e Kastrati, kanë çue fjalë, se janë gati me u ulë e me i rá Shkodrës, ditën që të marrin vesht, se qyteti i âshtë shenjue definitivisht me i mbetë Malit të Zí.
Ma fort se kurrkun por, kazani âshtë tue vlue në fushën e Zadrimës. Aty flasin, se janë ngrehë shumë shoqní a komitete, pjesëtarët e të cilavet kanë bâ bénë e madhe, se duen me e pá Shkodrën të librueme prej malazezësh, e të bame kryeqytetin e Shqipnís së ré. Ndërkaq por, qeveria provizore ban çmos, për me e shutitë këtê propagandë. Ka vû roje të madhe sidomos mbi gjithata që hýjnë e dalin prej urës së Bahçallekut.
Mbi tjerë, Kleri posaçe âshtë marrë më sý prej qeveriet. Disa prej fretënsh e priftënsh, tue e dijtë se janë vû si në shenj për ndiesí atdhetare që kanë diftue kurdoherë, mendojnë me u largue sa për një herë prej qytetit tinëz, natën, ditën a kurdo, ndërrue petkash, për mos me u njoftë.
Ndërkaq, qeveria e kishte bâ gati një shpallje popullit, edhe i a kishte dërgue Arqipeshkvit të qytetit, Timz Ják Serreqit, për me e nënshkrue. Po, por Arqipeshkvi nuk ndëgjoi me vû dorë. Kjo punë qeveritarëvet u ka rá fort në sý, edhe u ka bâ një përshtypje të kthelltë. Arqipeshkvi këso dore, tue mos ndëgjue me vû dorë n’atë shpallje, vjen si me dashë me mësue popullin shqiptár përmbi mënyrën, si do të siellen ndaj qeverís e Malit të Zí.
Në Troshan prap âshtë tue u bâ këso ditësh një mbledhje e jashtëzakonshme, ku marrin pjesë qinda e qinda krenësh së popullit, disa Ipeshkëvîjsh, ndër të cilët i përmenduni e fort i njohtuni prej popullit, Imzot Prend Doçi, Abati i Mirditës. Ndër ta edhe shumë krenësh myslimanë nga Mati e Dibra; Të tanë një mendimi, me e shpallë Shkodrën si kryeqytetin e Shqipnís në veti.” (Át Justin Rrota, Ditët e mbrame të Turqisë në Shkoder ase rrethim i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër 2010, fq. 182-183.)
Fuqitë e mëdha detyrojnë Krajl Nikollen me e lanë Shkodren të lirë. Ushtria malazeze largohet prej Shkodre me 13 maj 1913: “E vërtetë, malazezët po shkojnë. Por edhe, me dalë e me e lanë një qytet, që për me e shtie në dorë kanë ndêjë ma se 6 muej tue luftue, tue hjekë ditën e zezë dhe tue derdhë gjithatë gjak, sigurisht që do të jétë për ta e vështirë; zemra e tyne e di!
Shkodra njëmend ka tagër e ta thotë arsyeja, që jétë shqyptare; por n’anën tjetër, as malazezët s’kanë faj e të dhimben kahë i sheh njeri tue u endë si miza pa krye, të rrêjtunë e të tradhtuemë prej fatit a rrezikut të vet!
Ç’i ka gjetë!… Mbas gjithatij gjaku, me dalë e me e lanë Shkodrën, ushtarët të duken si me kenë ata të mujtunët e vërtetë të luftës, jo mujtsët!
Krajli i Malit të Zí, s’ka pasë kahë me i a mbajtë; i a dashë përdhuni me e çue në vend urdhënin e fuqivet të mëdhaja, edhe ka urdhënue me i tërhjekë ushtarët e vet prej Shkodret; por ushtarët sod, mbas gadi 7 muejsh luftet, mbasi kanë shkue tue mbulue mal e fushë me të dèkunë e të varruemë, mbasi kanë shkue tue kuqë me gjak të vet tre lumej, ata sod s’munden, s’u bâhet kurrsi me dalë e me e lanë një qytet, për të cilin u shkrinë e u fikën me të gjitha!” (Po aty, fq. 183-184).
Kryekomandanti i operacjonevet.
Në krye të gjitha fuqivet ushtarake ndodhte aso here, fati i Shkodrës, një burrë fort trim e i zoti, Hasan Be Rizaja.
Ky Kryekomandant i squet, emnin e të cilit qyteti i Shkodrës nuk do ta qesë kurr në harresë, kishte lé në Bagdad, vend i përmendun i Turqís Azjatike, permbi lumin e Tigrit: Qytet, që ka nderën të mburret, se ka ma të vjetrin Universitetin e botës, themelue prej arabësh.
Hasan Riza beu kishte krye këndimet e para të degës ushtarake në Stambollë; mandej shkue e dhanë fund këtyne në Berlin. Prejse qyshë heret u diktue burrë i mendshëm, i gjallë e i zoti, sidomos, në degën ushtarake, t’u këthyemen në vend të vet, në të shpejtë i duel zani si një ndër ma të mirët oficjera t’ushtrís mbretnore; edhe qyshë nën Abdul Hamidin kje çmue vlera e zotsia e tij e jashtëzakonshme. Kështu që, me gjithëse aq i rí, mbërrijti m’u emnue pashë, ase gjeneral ushtriet.
Fíll mbas Konstitucjonit (hyrrjetit) qeverís së ré nuk i a mbushshin kurr synin oficjerat e rregjimit të Abdul Hamidit. Sado të zotët e me një kulturë të gjanë, disa i kishin marrë ashtu shpejt e shpejt shkallët ma të naltat ushtarake.
Ishte koha atëherë për ashtu! Në numrin e këtyne oficjerave të rritunë në pakë kohë, ishte edhe Hasan Rizaja; Edhe ky, me tjerë, kje degradue e bâ kolonel.
Hasan Beu por, nuk e ndjeu gjithaq këte degradim. Ishte i ri, edhe kishte miq e të njohtunë plot ndër rrethet e nalta të komandës ushtarake të mbretnís. Edhe njëmend; çdo punë a zyrë, që i ngarkoi qeveria e ré, ai gjithmonë e kreu ma së mirit, tue korrë kështu lavde e simpatí përherë ma të madhe nga eprorët e vet.
Ndërkaq, shkaku i uzdajës së madhe, që të parët kishin mbi zotsín e tij, kje dërgue në Shkodër, si komandant permbi 30.000 ushtarë të rrègullt.

E mërkuere, 30 tetuer 1912.
Për herën e parë malazezët sod filluenë me hjedhë gjyle edhe përmbi qytet. Bombardimi ngjati, të thuesh, pa u këputë kurr, deri me 19 të nandorit, njashtu nja 3 javë. Kje një punë që i shtini tmerën Shkodrës! Nuk ishin mësue!
Si mos me kenë mjaft, t’i a filluenë me e gjue rreptësisht me topa edhe Taraboshin prej së gjitha anësh. Kahë muzgu i natës Mali i Zi mësyni me furi të madhe edhe llogoret e Fushës së Shtojit.
E tash qe këtu tekstualisht, si e difton fillesën e bombardimit t’atyne ditve të fundit të tetorit 1912, një plak mysliman i qytetit: “Fillimi i bombardimit të Shkodrës ka nisë së parit te Ura e Maxharrit, te fusha e Rusit të Vogël edhe ka vazhdue andej kahë Xhamia e kësaj lagjeje (“Xhamia e Begos”).
Bombardimi, zakonisht, zente fíll rreth orëvet të mbrames, mbas kumbonëvet t’akshamit, tue vijue ndër orët ma të vona të natës.
Ma e shumta e banorëvet të këtyne lagjeve të bombardueme i lêjshin shtëpiat, sado natën për terr, i madh e i vogël; me ta edhe grát me fëmijët e vogjël ngrykë a për dore. Kah i a mbajshin ashtu atë kohë?… I a mësýjshin t’afërmvet e miqvet, n’atë krah ku asi shtegu nuk mësýheshin nga bombarduesët; d.m.th. kahë çinari i Hoxhës së Dheut, apo kah Rusi i Madh etj.
Vargu i këtyne fatzezvet, të ngushtuem me marrë rrugat natën për terr nga bombardimet, mbërrîjte ndoshta deri në Tophanë, tue kërkue strehim shtëpi në shtëpi, kush t’u a çelte derën me i përbûjtë.
Ky si thámë, ka kenë bombardimi i parë i qytetit prej anet së malazezvet; të cilët gjuejshin prej Vraket e Mesit e Myselimit. Menjëherë mbas, i a filloi bombardimi edhe prej Taraboshit. N’atë rasë popullsia myslimane, mbasi këta sidomos asi shtegu ishin ma në shêj, i a mbajtnë kahë Draçi, Vekshari apor kahë Tepja.
Kryefamiljarët n’atë rasë merrshin me qirá kulla sanet e çka gjêjshin, veç si të mujshin me shpëtue gjallë me frymë.

E ejte, 14 nanduer 1912.
Viktimat e bombardimit.
Sod, njaty pak mbas mjesditet, një gjyle rá andej kahë lagjet e myslimanëvet, edhe mbytë 4 vëllazën.
Një herë së parit kujtuenë gjindja se predha âshtë shprazë gabimisht n’atë krah; I ka shkue dora topçís, e kurrgjâ! Po fíll mbas, tjera gjyle filluenë me rá gjithnjë n’atë krah. Britmë, panik, pështjellim e tmerrë. Mali i Zí e kishte sod me lagjet e myslimanëvet; e vetëm me këto!
Banorët e krahut të bombarduem, tue lanë gjithçka kishin pasë mbas shpirtit, u çuen e iknë, qyshë ndër ato të gjuetjet e para, tue u strukë ka lagjet e të krishtenëvet. S’ishte lojë: Një minut me u pasë vonue, rrezikoheshin me mbarue me të tana.
Me i pá ! Ishin shumica grá me fëmijë të vogjël për doret. Kush kishte mujtë n’atë pështjellim, kishte marrë e bartë me veti atë grimë bukë e atë fije miell që u kishte qëllue te shtëpia: Kaq; sa mos me dekë unit. Disa grásh kishin ngrykë, pështjellë ndër shpërgâj, foshnjet e vogla; e shkojshin tue i shtrëngue për zemër, si me dashë me i pruejtë prej gjylesh s’anmikut.
Zanë vend kajherë kudo mbë rrugë të madhe, sa me marrë pak frymë; ashtu shpejt e shpejt shoqe me shoqe, tue kallëzue çka kanë pá e çka kanë lanë; Shtëpia tue u djegë e tue u shkrumue prej flakëvet; gjithkun mure tue u rrenue, gjithkahë veç të dekunë e të varruemë!… Njena thotë, se ka pá me sý të vet, jo ma pakë se 9 të dèkunë; ajo tjetra i kallëzon shoqes, se vetëm në shtëpí të vet ka lanë shtrî 6 të dèkunë!… Një nanë e shkretë difton se ka lanë trûq për tokë 3 fëmijët e vet, të mbytun prej topit!… Edhe, tue u a diftue shoqevet çka e ka gjetë, nuk kján ma as s’bërtet; thue se âshtë tue folë për të huaj; Kaq ka tretë prej tmerrit!
Të vrámë e të varruemë prej topash e shrapnelash shihen gjithkahë. Prej kahmos ndihen tue britë prej disprimit, tue lëshue namë kundra anmikut dhe tue lypë ndihmë. Por, me shkue e me u ardhun në ndihmë atyne fatzezëvet nuk ka kush, mbasi secili dro për veti. Predhat e topavet e plumbat e shrapnelavet bien gjithnjë pa i a dá një minut. Kushedi, ndoshta njandej kahë muzgu i natës, bombardimi diçka ka me prâ. Porse deri atëherë ka me kenë tepër vonë. Edhe shumica e të varruemëvet, prejse s’ka me pasë kush me u rá mbrapa menjëherë, s’kanë për të kenë të zotët të qëndrojn gjallë gjatë, edhe tash desin prej dhimbash nën peshën e rrenojavet.

E ejte e e prende 14,15 nanduer.
Lufta në frymë të qytetit
Qyshë prej oret 4 të nades vlon gjithnjë e rreptë e e përgjakshme lufta kahë Fusha e Shtojit, kahë Renci e deri ndër lagjet e Kiras. Nga qyteti ndihej batarja e pushkëvet, me t’u dridhë këmisha në shtat!… E ngjati që se bani dita, pa pushue një ças. U muzg, u err, e batarja gjithnjë s’dijti me prá. Dikur natën vonë, kahë të zbardhunit e ditës diçka nisi me u zhdavaritë.

E prende, 22 nanduer 1912.
Serbët në Dajç të Zadrimës
Ndërsa veshët e të rrethuemvet ránë diçka në fashë, prejse përnjëherë u duk se prani gjithkahë bombardimi, sod prap filloi me u ndie pushkë e top andej kahë Bardhanjorët.
Njëkohësisht, turku edhe prej kodravet të Bërdicës i drejtoi të gjuemet e topavet ushtrís s’anmikut, që synonte me i bá rrethin qytetit të Shkodrës kahë jugu. Artileria ngjati veprimet strategjike të vetat gati gjithë ditën e lume.
Moti i mirë, si pisha. Malazezët kambë-kambë njëmend, por shtýhen tue zanë pozicjone luftarake maje kodrinash, ku nemose s’janë në rrezik me u mbytë prej ujnash e kënetash e baltash.
Mbramë serbët kanë mbërrijtë deri në Dajç të Zadrimës. Lajmin ma i pari e pruni në qytet telegrafisti, i cili kishte pasë ikë si tinëz prej atij katundi. Njëherit ai bani me dijtë edhe, se telegrafa me Shkodrën kishte punue deri në ma të mbramin ças që e kishte lanë zyren.

E mërkure, 27 nanduer 1912.
Buka, buka, buka!
Ka fillue të përhapet në popull fjala: Tak, tuk: Shkodra pa bukë! Tash nja trí dit moti âshtë tue mbajtë s’ka ma mirë. Po, por këtê gjâ qyteti për shpírt nuk kishte me e dashë. Nuk dëshrohet sod moti i mirë, ma parë e ma dalë, pse kështu mullìjtë nuk mund të bluejn. Njata dy a tre mullìj të qytetit, s’dij çka mund të bâjn ma parë. Sadoqë nuk pushojn së bluemit as ditë as natë, prap, nuk mund të mjaftojn për popull njëherit e për ushtrí.
Ku puna e mullìjvet, ku edhe pse ka fillue me mungue drithët, ndërkaq, janë mbyllë sod edhe 5 furra tjera, në pazár e në qytet. Natyrisht populli tash kahë s’ka ku mbytet, mësýen me ma shumicë ato pak furra, që kanë mbetë çelë endè.
Por furrëtarët e këtyne furrave fatlume, kanë rá ngusht edhe fort keq kanë hjekë prej popullit, për arsye se ata dojshin me ndreqë ma para ata klientat (myshterít) e vet.
Grátë sidomos, me qinda kanë shkue sod nën dritësoret e Bashkís, tue britë si të disprueme, se kishin û e dojshin bukë, bukë!… Dita më ditë janë kahë 5-6 apor edhe ma tepër, mbasi s’ka kontroll, – që desin për bukë. Me e këqyrë, as aq shumë nuk janë këto viktimat e ûsë, kur të mendohet, se sod u banë 5 muej, qëse i a ka nisë lufta, edhe qyteti ka kenë zanë papritmas, të thuesh; s’âshtë kenë shtrëngue me bukë, për një qëndresë aq të gjatë.
Ka familje sod në Shkodër, që nuk hán, veçse një herë krye 5 a 6 ditësh, bukë thatë, merret vesht; kurrgjâ tjetër për me e mëlmye a me e përcjellë, posë ujit.

E marte, 25 fruer 1913.
Bombardimi i Katedrales e i Kuvendit të Gjuhadolit
Sistematikisht, me rrègullë, njashtu krye 10 minutash nuk pushojnë tue rá mbi ndërtesat e qytetit predhat e topavet të mëdhaj e të vogjël. Shkodra, thueja ma mirë, populli i paqët âshtë tue e pague shtrêjtë qëndresën e vet. Mund të thuhet tashma, se zakonisht bien mbi qytet, me rrègullë e me orar të caktuem, kun nja 70 apor 100 gjyle dita me ditë; e kun nja 20 a 30 në natë. E bien gjylet, pa farë rregullet, kudo; mbi ndërtesa qeveritare, mbi banesat e qytetarëvet, për mbi Kisha e Xhamia, mbi smundtore e shtëpia bamirësiet. Gjithkun, si e patën të ngrehun mbi pullaz flamurin e bardhë, si s’e patën.
Ma se 100 shtëpia janë bâ, të thuesh, rrafsh për tokë, se ma të damtueme prej topash e shrapnelash, këto s’njehen, kaq shumë janë. Kahdo të shkojsh rrugës, sheh njeriu mure të rrëxueme a kryekëput, apor për gjysmë; ndeshet njeriu ndër gropa të kthellta, të çeluna njatëherë prej gjylesh së kalibrit të madh.
Vetëm në një shtëpí predha e topit ka varrue randë 10 vetë; shumica damtue nga rryma e hovi i saj, pa i prekë ndoshta aspak thërmiat e saja.
Rreth Katedrales e Kishës së Françeskânëvet kanë shkrepë gjyle topash e mitraloza sa bari, s’njehen. Idhnimin anmiku me këto farë bombardimesh nuk ka dashë me e shfrye gjithaq drejt për drejt kundra kishëvet, sa ma fort, pse e di mirë, se priftënt e fretënt sidomos, janë të gjithë gati autonomista; nuk duen që të vîjë kush i huaji, sidomos Mali i Zí, me e sundue Shkodrën e Shqipnínë.

E mërkurre, 12 mars 1913.
Një bombardim i jashtëzakonshëm
Përcjellë prej dy oficjerësh, ministri Z. Plamenac erdhi prap me vapor e zdrypi në doganë. Ma të parën fjalë, paska pasë kërkue, t’u dorëzonte qyteti. Mbasi ndêjën tue bisedue me Esat Pashën gati tri orë, këtij nuk i u mbush mendja kurrë me i rá në dorë Malit të Zí. Atbotë i kje dhanë Shkodrës një ultimatum, që do të mbaronte mbrenda 48 orëve. Ultimatumi ngjati deri sod nade. Pa pritë pa kujtue, njaty n’orën 10 paradite t’i a filluen me rá si breshni mbi të ngratën Shkodër topa e shrapnela prej kahmos, por posaçe nga Bardhanjorët.
Ky s’kje, veç shenjë se do të zente fíll bombardimi i përgjithët. Kështu që me të parën u duk, cilat krahina të qytetit ishin dá me gisht, për me gjuejtë atë ditë nga qendrat e ndryshme të malazezvet. Andej prej Zogaj gjuejshin Pazarin edhe Parrucën; prej Bardhanjorëvet synojshin me e dyndë anën e krishtenimit. Ata tjerët, prej Mesit e Myselimit qitshin pa dá, me topa edhe ma të mëdhaj, përmbi ndërtesa ma në shenj e ndër disa pika të caktueme. Ky bombardim i përgjithët ngjati gjithë ditën. Njandej kahë mbramja e la për ndonjë orë; mandej i a nisi prap.
Hidhshin mbi qytet kësi shtegu ma fort shrapnela. Këta, ashtu dame të mëdhaja me bâ nuk banë, e vërtetë; por i a qitën popullit frikën; edhe i u desh dikuj-dikuj me dalë e me e lanë atë strofullin e vet e me kërkue strehim ngjeti.
Rrenime e dame të mëdhaja por, për kundra, banë topat me gjyle 21 e 24 mm hjedhë përmbi qytet prej Mesit e Myselimit. Ata, po, trandshin e zhgulshin shtëpiat që prej themelit; murin ase avullín e rrëxojshin, edhe gati njashtu një cope e hidhshin një herë përpjetë deri në 10 a 15 metra nalt, që shkonte e binte kun larg, prej ku e kishte zhgulë.
Mandej sod, më sa dukej, anmiku e kishte me Kishën Katedrale të qytetit. Po ma se 20 gjyle aso së mëdhajash i kanë rá Kishës së madhe, ku gjindeshin strukë nja 1000 vetë, gati të sigurtë, se aty nemose do të gjêjshin shpëtim, mbasi Mali i Zí deri atëherë kurr nuk kishte synue vendet shêjte.
Por atë ditë qitën edhe këtu. Mbytën 9 vetë edhe varruen plot tjerë. Predhat, sa uji, kanë rá sidomos në pjesën e të hýmit të Katedrales. Ballin gjylet i a kanë repë faret e i a kanë shëmtue keqas. Ashtu edhe anash, pullazi e lterët, shumica kjénë çartë e vojtë me t’u dhimbtë. Shkurt, Kisha e madhe e Shkodrës e ka ndie fort: ma se gjysma, prej bombardimit, ka vojtë dam. Sakristia mandej, âshtë rrenue e bâ të thuesh, një grumbull germadhash, tue çue dam gjithato petka meshet e orendí lterësh fort të kushtueshme, që ndryente mbrendë. Prej sakristiet zjarmi, mbasi ishte aty ngjitë me tê, u kap edhe te kumbonarja. Nuk mbeti kush pa kjá ndër katolikë atë natë a zemër pa u lkundë, kur natën për terr filluen me u dukë prej dritësoresh të kumbonares shkulmet e flakëvet e fjollat e tymit. Edhe kumbonët të gjitha, të pêstat djegë e shkrumue kasteli që i mbante, ránë mbë tokë, tue u bâ copë e grimë.
Bombardimi i qytetit ka ngjatë gjithë natën e lume mbramë edhe ka vijue sod gati gjithë ditën. vetëm sod mbasdite n’orën 3 deri në 5, njatëherë diçka na kanë pushue veshët. Malazezët i a kanë dalë qëllimit. Mbasi nuk mujtën me e marrë Shkodrën me armë, tash janë tue bâ çmos, për me i a shtie frikën e panikun popullit të shkretë, i cili tashma ka vojtë prej mjerimit e disprimit ke s’ve’ ma: Me t’u dhimbtë!
Ngarkue mbi shpinë dyshekë e jorgana, shihen të shuemët tue ngá andej e këndej, si miza pa krye. Shkojnë tue kërkue vendet diçka ma të sigurta, të cilat Mali i Zí i ka kursye e s’i ka rá në mendë, a s’dihet pse, me i bombardue.
Ndërkaq, gjindja janë bâ si të marrë prej friket. E ngasin të shkretët për të kërkue vend ku me u strukë, sa me shpëtue me krye. Njëkohësisht por, nën njatë breshní topash e shrapnelash janë të ngushtuemë me e kërkue kun për një kafshatë, që s’dijnë as ata vetë, ku merret. Mandej, edhe kur u del m’e gjetë një grimë odë, paksi ma të sigurtë prej bombardimit, njaty do të struken 20 deri në 30 vetë, tue u rreshtue mbrendë si fyshekët në qese.
Jase, po s’mujtnë me gjetë kun ndonjë strofull, sa me shtie kryet, zanë vend kudo, njashtu, ndihmo Zot, rrugës, mbas ndonjë shtëpiet së madhe, a mbas ndonjë muri së naltë; ku janë në rrezik doemos, me mbetë si nën bat prej një çasi në tjetrin.

Gazeta Sqiptare