Tiranë: OSBE dhe BE kërkojnë respektimin e lirisë së medias në draftet e qeverisë

OSBE dhe BE thanë sot në Tiranë se janë ende në pritje që një variant i ri i projekt – amendamenteve për median, që po përgatitet nga qeveria, të respektojë standartet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes.

Përfaqësuesit e këtyre dy organizatave i bënë këto komente në tryezën vjetore “Forumi për Zhvillimin e Medias”, kushtuar situatës së gazetarëve dhe mediave shqiptare.

OSBE dhe BE mbështetën sot mediat shqiptare, të pavarura, profesionale online dhe u bënë thirrje ligjvënësve, që gjatë përgatitjes së projekt-amendamenteve të kësaj fushe të sigurojnë standartet më të larta të lirisë së shprehjes përmes një debati të hapur mbi shqetësimet e të gjitha palëve.

Përfaqësues të OSBE-së dhe BE-së kërkuan transparencë dhe debat publik për ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria mbi rregullimin e mediave.

Zyrtatët duhet t’u përgjigjen letrave dhe pyetjeve që kanë marrë dhe marrin prej përfaqësuesve të shtypit mbi këto shqetësime – tha ambasadori Borschardt.

“Tashmë është në rritje ndërgjegjësimi për rëndësinë e dekriminalizimit të shkeljeve nga media – tha drejtuesi i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borschardt. – Ne duam që ato të mbeten jashtë Kodit Penal dhe do të vazhdojmë të kërkojmë për dekriminalizim. Po ashtu përqëndrimi i pronësisë së medias nuk ndihmon zhvillimin e tyre dhe mund të kufizohet me ligj”.

Ndërsa drejtuesi i Delegacionit të Komisionit Europian, ambasadori Luigi Soreca, tha se gazetarët punojnë në kushte të vështira dhe shpesh gjenden nën presione politike.

“Financimet tona po trajtojnë edhe çështjet e të drejtave të punës për gazetarët shqiptarë. Ne duam të mbështesim gazetarinë e pavarur investigative. Organizatat e gazetarëve kanë gjithë mbështetjen e ndërkombëtarëve që të përmirësojnë gjendjen e shtypit”, – tha ambasadori Soreca, duke theksuar komentet mbi nismën e fundit ligjore të qeverisë mbi mediat.

“BE ka bërë thirrje që kjo nismë të jetë plotësisht brenda direktivave europiane mbi mediat audio – vizuale. Një version i ri u shqetësimet e pasqyruara u paraqit, por sidoqoftë kjo nuk mjafton. Një projekt i pajtuar plotësisht me standartet e lirisë së shprehjes dhe me politikat e BE-së ende duhet të sigurohet. Komisioni Europian ndan të njëjtin shqetësim me organizata të jera ndërkombëtare sa i takon mungesës së sigurisë juridike sa u takon mediave audio-vizuale dhe autoritetit që merret me rregullimet ne media. Ne vlerësojmë se kjo do të ndikojë në lirinë e shprehjes. Komisioni Europian beson në përpjekjet për vetërregullim, që i vendos gazetarët dhe përdoruesit të parët. Padyshim që lajmi i rremë është i keq, por sidoqoftë ne duhet të kemi respekt të plotë për parimet e lirisë së shprehjes. Ne presim që projekt-ligji i ri të jetë plotësisht në përputhje me këto parime. Ne kemi të njëjtat qëllime; të krijojmë hapësira që gazetarët e aftë të veprojnë” – tha ambasadori Soreca.

Forumi i përvitshëm i OSBE synon të lehtësojë dialogun profesional mbi temat më të rëndësishme të medias shqiptare dhe sot zhvilloi edicionin e pestë.

Një grup organizatash ndërkombëtare të lirisë së shtypit vizituan Tiranën dhe bënë një raport të përbashkët ku shprehën shqetësimin se projekt-amendamnetet e reja mund të kufizojnë liritë e shtypit dhe veprimtarinë e gazetarëve shqiptarë.

VOA