Thuajse gjysma e popullsisë shqiptare dëshiron që të largohet nga vendi, sipas një sondazhi

Thuajse gjysma e popullsisë shqiptare dëshiron që të largohet nga vendi, sipas një sondazhi që është kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në kuadër të Barometrit të Opinionit Publik në vendet e Ballkanit.

Të anketuarve nga i gjithë Ballkani u është bërë pyetja: A do të merrnit në konsideratë që të largoheshit dhe punonit jashtë vendit?

43% e shqiptarëve janë përgjigjur po, 52% kanë thënë jo dhe pjesa tjetër kanë refuzuar të përgjigjen. Dhe pjesa më e madhe e atyre që duan të ikin janë të kualifikuar.

Ndër banorët e shteteve të Ballkanit, të parët që duan të largohen janë shtetasit e Kosovës, me 48% që janë përgjigjur se do të merrnin në konsideratë që të largoheshin apo punonin jashtë vendit.

Më pas, vjen Bosnjë Hercegovina, me një përqindje të përafërt me Shqipërinë (44%). Më pak të prirur të largohen janë maqedonasit dhe serbët, përkatësisht me 39% dhe 32% të të anketuarve.

Sipas Raportit vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Evropian pak javë më parë, Shqipëria renditet e shtata në botë për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian në vitin 2017, pas shteteve që i ikin luftës, si Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani dhe Eritrea, me 26 mijë aplikime.

Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n.

Sipas përllogaritjeve të Monitor për numrin e azilkërkuesve për 1000 banorë për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, Shqipëria renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet, për shkak të popullsisë relativisht të vogël që ajo ka, prej 2.87 milionë banorësh.

Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian ishte 9, duke kryesuar top-listën. Të dytët renditen shtetasit nga Gambia, me 6.5 kërkesa për azil në çdo 1000 banorë, duke u ndjekur nga sirianët, të cilët po i ikin njërit nga konfliktet më të përgjakshëm që ka njohur bota, me 5.9 kërkesa për 1000 banorë, të renditur të tretët./Monitor