Thirrja e ipeshkvijve të Shqipërisë për politikanët pasqyrohet në Sir

Ndërsa, në Shqipëri, zgjedhjet administrative i dhanë vendit një ngjyrë të vetme politike e opozita njofton për protesta të reja të hënën e ardhshme, agjencia katolike Sir, jo më larg se dje, pra, pas zgjedhjeve, kujton thirrjen e ipeshkvijve të Shqipërisë për të hapur një kapitull të ri në gjendjen kritike të Shqipërisë.

R.SH. – Vatikan

“Në emër të Zotit, ne, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe më të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, duke na dëshmuar se kërkoni me vendosmëri një zgjidhje serioze e paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe. Paqja e vërtetë nuk do të thotë të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë, nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë e vërtetë. Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj”. Këto janë fjalët e ipeshkvijve, që vë në dukje agjencia Sir, duke i konsideruar të vlefshme edhe për gjendjen e krijuar pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Historia do t’u kërkojë llogari politikanëve shqiptarë

Thirrja, vëren agjencia katolike e lajmeve, u lexua ditët e kaluara nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, me shpresën që “të mos mbetet një zë në shkretëtirë, por të gjejë jehonë në mendjet dhe zemrat” e politikanëve, siç shkruhet në tekst. “Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën tepër kritike në vendin tonë të dashur, Shqipëri”, vijon imzot Frendo, duke përmendur një sërë personalitetesh, të cilët, edhe në artikuj për shtyp, “kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh për këtë situatë, duke menduar për rrezikun që ajo të keqësohet, me pasoja tepër të rënda për vendin tonë”. “Do të jeni ju – ngrenë zërin ipeshkvijtë, duke iu drejtuar politikanëve të çdo partie – shkaku i pasojave të rënda, që qëndrimi juaj mund të shkaktojë dhe, si na ka mësuar historia, në të ardhmen shoqëria jonë do t’ju bëjë përgjegjës për dëmtimin që do t’i keni shkaktuar atdheut”.

“Harroni grindjet e konfliktet”

“Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj ju kanë drejtuar juve. Harroni edhe premtimet me të cilat ua keni mbushur mendjen ndjekësve tuaj”. Kjo, kërkesa e prelatëve, sipas të cilëve “asnjë shqiptar, që e do atdheun dhe të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë, nuk do t’ju qortojë apo akuzojë që nuk keni mbajtur fjalën, nëse arrini të kërkoni një rrugë të ndryshme nga rruga që keni ndjekur deri më sot”.

“Zoti ju dhëntë guxim për të zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të paqes”

Vetë popullsia u kërkon politikanëve “vullnet të mirë për të shmangur çdo rrezik që do të na çojë drejt një humnere vdekjeprurëse”, edhe duke pasur parasysh, vëren agjencia Sir, se “mes besimeve të ndryshme, në këtë vendin tonë të dashur, – siç shkruan imzot Frendo – ekziston një traditë bashkëjetese ndërfetare në harmoni”. E nëse “fetë nuk na kanë ndarë”, theksojnë ipeshkvijtë shqiptarë, “mos lejoni që politika të bëhet shkak përçarjeje për popullin tonë”. Populli shqiptar “është i vetëdijshëm që politika nuk do të arrijë ta përçajë për t’i bërë keq vendit të vet dhe bashkëvëllezërve shqiptarë”. “Zoti – përfundon imzot Frendo, me një lutje për politikanët, që vlen edhe sot – ju ndriçoftë dhe ju dhëntë guxim për të zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të paqes!”