Thethi, kjo kërshëri e bukurisë magjepsëse të bjeshkëve

Nga Albert Vataj

Liri dhe nënshtrim, zbrazje e thellë dhe përcikje e epërme zotërimi, kjo është sinteza e tokësores që mëton në kumt dhe joshje turistike, Thethi, kjo grackë e mrekullive të natyrës. Frymëmarrja në këtë thellësi që ther qiellin, i ngjan një shpendi mitik, fluturimi i të cilit është një shigjetim etern që depërton që prej Ujvarës dhe Kanionit të Grunasit, Vaskave të gurta të Ndërlysës, Syrit të Kaltër të Kaprrës, kapluar prej rrokaqiejve natyror të Radohimës, Arapit, Paplukas, e gjithçkasë që ka gdhendur me pasion këtë manifestim festiv bukurie natyrore. Nga Tirana në zemër të mistikës së alpeve, Thethit, janë 128.3 km rrugë, dhe pafund ëndje, për ta lënë pas këtë distance, e për tu kredhur trup e shpirtë në krahët e një përjetimit të patëdytë.
Saora kemi sosur në Theth, ballaz këtij hutimi dhe shastisjeje i’a beh përmendje delikate e të zotëve të shtëpisë, në ballin e të cilëve përthyhet dritimi i kësaj inkandeshence që zbret si kushtrim deri në truallin e mirëseardhjes, kësaj gostie që kurrkund tjetër nuk mundesh me gjet të shtrume me kaq thjeshtësi dhe gajle. “Bujrum, mirë se erdhët”, i gërmëzon me një grykore të thellë dhe me pak dramacitet, ky portret burri, i tipizuar prejqyshkuri nga mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Edith Durham, për nder të së cilës është ngritur edhe një obelisk kujtese, këndejpari.
Gjallnimi dhe turri i jetës këndejpari ka kap një dimension të tjetërllojtë, ngase e ka jetu kjo luginë, kjo sofër e bujarisë alpine. Dita-ditës, Thethi sa vjen e popullohet. Vera lëshohet turraz, në ngulmet e tankujt që ka rranjë e degë, fis e farë kësaj ane. Nuk është mënjanë kësaj lakmie as Gjetoja, 74-vjeçari, i cili bubrron me blegtori e turizëm familjar për të vënë edhe ai gjurmën në një krep thethian.

Në thellësinë njerëzore të bjeshkatorëve
Relieve të alltysta, thadruar në thellësi nga era dhe cerga, bora dhe akulli, kushtrimet dhe kujat, qasen të gërmojnë në vullnesën tonë për ta shijuar, duke na joshur në këtë depërtim trup e shpirtë, në vorbullën e kohës, në përjetësinë e pakthyeshme të ndodhive dhe gjënezës, të cilat e kishin pagëzuar këtë krahinë dhe banorët e saj më shumë si personazhe legjendash, sesa njerëz që jetojnë të përditshmen e tyre të zorshme, mbushur përplot me derte dhe mundësi. Këta banorë krejtçfarë kumtojnë është e tjetërllojtë ngase të mbërthen përreth frikshëm dhe sundues, mrrylët dhe prepotent, natyra. S’paku ata munden me fsheh masmirit dhunën spartane të kungimit të jetës mes këtyre krepave dhe hekave. E kanë shfaq anatominë e malësorit në thellësinë e kohës, gjithsesi kjartë. Gojtarë e shkrues nuk janë kursy së sejdisuri dhe mylmyeri bujarisht, si vetë zemra e tyre, përshkrimin që kanë fosilizu në të shkumen, e që munesh me e ndesh dhe me u përball me të hap pas hap.
Gjithsesi, ashpërsia e relievit, mrazi i dimrave të gjatë, varrët e gjakut e zakoneve, kanë gdhend me daltën prej rrufeje shumëçka në formëzimin e karakteristikave, personalitetit dhe bujarisë. Anipse sërish ata kumtojnë tjetësi, janë më të ngrohtë se bora e veri që u than fytyrën e u mardh durt. Janë më modest dhe më të tolerant sesa kapardisja dhe prepotenca e maleve që u gërmushen përsipër si Shpatë Demokleu. Gjithçka që ky reliev i mraztë ka shkruar në kodin e tyre gjenetik, është krenaria, besa, virtyti dhe zemërbardhësia.

Duke rrëmuar gjënezën
Ndërsa ndjen veten teksa çapitet në shkumëzimin e Niagarës së alpeve, e flladi të ledhaton, siç di ta bëjë kjo bukuri vetanake, më ndërmendet krejtçfarë është sejdisur prej qëmtuesish dhe hulumtuesish të kakohshëm. Fillesa e Thethit dhe e Shalës gjehet e lidhur me fisin ilir të Labeatëve. Duke mbamendur shfletuesit dhe shkruesit e historisë, pikasim se Thethi është vendbanim shumë i hershëm, kryekëput e vërtetuar kjo nga arkeologët. Sipas tyre, kësaj ane kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas, e ndoshta edhe grupe të tjera popullsie të panjohura. Në shekullin e VIII-të, kjo zonë ishte pjesë e Pultit, i cili ndahej në Pultin e Sipërm dhe Pultin e Poshtëm. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës dhe daton në vitin 1485, me emrin Fusha, asokohere përbëhej vetëm nga 7 shtëpi të mëdha.
Në shekullin e XVI-të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Kësisoj Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, të tri zonat të njësuara, Shala, Shoshi dhe Pulti janë pjesë e Dukagjinit. Në vazhdën e gërimimit arrijmë në shtresime të tjera historike duke hasur saora në faktin se, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti të trupzohej me Bushatlinjtë e Shkodrës. Me gjas kjo ka bërë vaki në fillim të shekullit të XIX-të. Në kqyrjet e pastajme thënëse ngërthehemi pas gojtarëve dhe shkruesve, tëk të cilët mbamendim se Thethi spariherë është cituar në përpilimin nga Coronelli në hartën e vitit 1688. Përgjatë moteve 1916-1917 shkon në Theth, At Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën me dije botës. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan. Rruga automobilistike e mbërrin Thethin diku nga viti 1936. Një vit më pas, hapja e një agjencie turistike do të bëhej shëlbyese e këtij atraksioni dhe nistor i një epoke pelegrinazhi të turlillojshëm.
Duhet të vinte viti 1976 që Thethi të merrte statusin e “Parkut Kombëtar”. Transformimet e ‘90-tës u lëshuan turraz, si solidaritet ndryshimi, absurd i cili e stopoi vërshimin gjallnues, lëndoi shtatin bjeshkator dhe zbehu hiret rrezatuese që natyra u kishte dhan pa hesap këty banorëve. Do të shkonin vite në këtë heqje zvarrë, derikur Thethit ti ktheheshin nderet dhe lëvdatat, ti hapeshin dyert e t’i çelej qielli, e kjo fal të huajve, të cilët si ranë hasha që prej ditës që e zbuluan atë, e s’mbrami prej vendalive që duke u rikthye u yshtën masshumti nga epshi për ta shfrytëzuar atë sesa për ta ripopulluar si qëmoti. Tash, e shkuara ështe vetëm një memuar, një mbamendje larushitëse, me hope dhe hove që dëshmojnë se ajo ka jetuar gjithherë të tashmen e vet.

Thethi, zanafilla e emrit
Hamendjet dhe hipotezat, përngjasimet dhe përthithjet gojore, jo rrallë kanë bërë që toponimet e vendeve të ndryshme të zanafillohen pikënisur prej trajtesave që ngjizeshin në kryeherë prej pozitave gjeografike. Edhe Thethi nuk bën përjashtim prej kësaj, anipse kurrkush nuk e ka vërtetu kryekëput se nga erdhi ky emër. Mbështetur në të dhënat hulumtuese të grumbulluar, në toponimet që gjenden në këtë fshat dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë sparihërë tek fjala “thep”.
Pozitat gjeografike e vendosin Thethin midis malesh të larta dhe të thepisura. Në përditshmërinë e mbijetesës banorët e kësaj ane dhe këndejpari duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e të tjera bubrrime, shpreheshin: “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Është e pamohueshme se në Teth ka jo pak vende që pagëzimet e tyre që vërtiten rreth fjalës “thep-a, -i, -at”, kujtojmë; “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Për tu qasur në përafri të tjetërllojta hasim te sinonimi “kuj” (kunj), e pamëdyshtë përafria e saj me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka jo pak, kësisoj gjenden, “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj.
Krahas këtyre, malet e larta dhe të mprehta si “thika” që njerëzit në mënyrë të zakonshme e përdorin shprehjen “…në thika të majave…”, “…në thika…”, “…prapa atyre thikave që duken…”, e te tjera, mund të shkojnë në favor të prejardhjes së emrit Theth nga fjala “thep”, i cili ka përparësi me emrat “kunj” dhe “thika” në kuptimin e vendit që emërtojnë.
Duke zhvilluar një bujqësi ekstensive, duke prerë e djegur pyjet, banorët mbillnin thekër, dhe jo vetëm. Atëherë nga përdorimi i shprehjes “në thekën”, në të folurën krahinore, “…po shkoj në thekën”, “…isha në thekën…”, “…thekën”, “Thekna”, rrugës deri në fiksimin e emrit, evoluoi dhe na erdhi “Theth”. Toponime me emrin “thekën” ka disa në Theth si “Theknat” disa : “Thekna e Hasës”, “Zhari i Theknës” e të tjera.
Thethi është gjithashtu një gropë e thellë, në krahasim me malet që e rrethojnë atë. Edhe si luginë është bajagi e thellë në drejtim të burimit të lumit të Shalës, saqë edhe banorët më të afërt janë mbi një orë larg. Gjatë përditshmërisë së tyre, banorët dhe bujtësit mund të kenë përdorur shprehjet : “…isha atje thellë…”, “…në thellësi…”, “…thellë…” e kështu me kalimin e kohës u formua emri “Theth”. gjithpoaq, sot Thethi është i tillë, duke mbetur jo tjetërçka edhe në enciklopedi, rrëfyes të bollshëm e sendërtues mediatik shumëgjuhësh.

Kurora mes maleve
Thethi, kjo thirrje që gufon mes kreshtash, rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që strukin në brendësinë e tyre, natyrën me gjithë finesën dhe fantazinë shprehëse dhe kumtuese, me të cilat ballafaqohen alpinistë, speleologë, botanistë, gjeografë dhe më s’shumti adhurues të alpeve. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike dhe bujtina pritanake të turizmit familjar, të mbetura dhe këto nën juridiksionin krahinor të tendencës. Krejtkjo mbështillet nga një panoramë jehuese, e ashpër dhe joshëse. Ky amfiteatër natyror ngërthen gjithkah me një hir të vrazhdë dhe të frikshëm bukurie, gjithsekah vështrimi jonë shkapetet horizonteve që i kurthojnë malet, si zogu i turitun në kafaz. Nën këmbët e këtyre majave epike, përnën peshën e gojdhanave dhe legjendave, prania jonë shtryllet si ulliri për me nxjerr më të mirën tonë adhuruese, përjetimin. Çdo kapriço e egos sunduese, përkundrull këtij zotërimi të pakapshëm, është një kotele e tulatur nën sofër.
Sos në këtë tërheqje, jepem kësaj dorzanie vullnetlirë për të qenë veçse rob i një tiranie mrekullimi natyror. Kurrçka nuk ka mundur me e nënshtru gjinjen e kësaj anë, as lufta e as gjaku, as harrimi e as hasmi, as dimri e as skamja. Ata e kanë rrënjëzu jetën në këtë vend të gjerë e të egër, e kullat i kanë shtatu mbi shkëmbinjë vetanakë që kanë mbirë andejpari.

Shëtitimi në gjallimin e kësaj magjie
Kjo ashpërsi e gatuar në havanin e thellë të kohës, do të kishte ta përkohëshme nusërimin e saj natyror, nëse nuk do të kungonte në gjirin e vet një pasuri gjalluese. Bujaria e kësaj gostie të shtruar mes malesh, pasurohet me llojshmërinë e kafshëve, si ariu, dhia e egër, derri i egër, kaprolli, dhelpra, ujku, lepuri, rrëqebulli, zardafini e iriqi. Krejtkjo ngas kësaj ane gjuetinë, për të cilën zotnitë e Shkodrës din me folë fort mirë për të, një nga pasionet që e ka renditur Thethin e rrethqark si një mundësi e pashoqe. Jo vetëm kaq, edhe pyjet dhe kreshtat e kësaj ane lëshojnë qiell pa hesap për zotërit e lirisë, shpendët, listë të cilen e nis shqiponja, për të vazhduar me skifterin, thëllëza, pëllumbin e egër, gjelin e egër dhe pulat e egra, e fluturakë të tjerë të rrallë. Kurrqysh nuk mund të ishte e plotë ky panoramim i florës dhe faunës së Thethit, pa futur në të edhe rrëshqanorët dhe peshqit. Këto të fundit na sejdisen nga vërshimi kristalor i Lumit të Shalës, që piknis rrugëtimin e vet nga burimet e Okolit, dhe Lumi i Kaprës. Në to, karakteristikë e ujrave të ftohta, gjendet trofta pikaloshe e kryemadhe. Për ta përplotësuar mozaikun, hedhim sytë nga liqeni i akullt i Tërthores, ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.

Thethi ky kushtrim i thellë për ëndje
Mes maleve të egra dhe të mrekullushme, këtij eteri tokësor që mrrylet prej gërmushjes së motit dhe shendet prej gjelbërimit dhe kthjellimit të qiellit, e stërpikin krejtkah horizontin me vendstrehëza alpine, siç bën me yjësimin, nata pa hënë. Nga Thethi ju qaset një gajle me kundru të gjitha qafat e maleve dhe majat. Ajo është kurora më e hijshme që ka kurorëzu ndonjëherë alpet e Europës. Ai e tejkaplon fiksionin e zhdërvjellët të natyrës. Trillane deri në thelb dhe depërtuese, mbetet. Kjo soditje e formëzimit të javashtë dhe të potershëm, kjo dhunë e rrëmbimit të vëmëndjes dhe përjetimit, kjo pamje e shpenguar dhe ngrehaluce, vetanake e lë atë në gjerdanin e alpeve. Këtë dëshmi e gjejmë të shkrirë në shtatin që përpjetet në majat si ajo e Radohimës, e cila naltësohet me 2570 m, e Arapit, 2217 m, duke përshku në vazhdë Paplukën, që përhidhet drejt qiellit me 2569 m, e majën e Alisë që kulmon jo më pak se 2471 m, etj. Përkundrull kësaj kapardisje ojnake, shakadahet përposhtë Thethi, kjo sofër e shtruar në lartësitë 750- 800 metër. Tiparet e kësaj jehone nisin me një reliev, pjerrësia e të cilit nis me këndin16º-35º, duke u thadruar e bërë më ulëritëse në 45º-60º e deri në 90º, të pakalueshme të shumtën e herëve, por përpirëse prej joshjes dhe piskamës që e vesh. Krejtkjo, një ngadhnjim akullnajor dhe eroziv, gjurmë të cilat shkruajnë moshën dhe urtinë. Kjo larmi vijon me Lumin e Shalës, vërshimi që ka gatuar tarracime shkëmbore dhe zallishte, ku përzihen gjurmë dhe kujtime. Paraqitja e Thethit nuk mund të mëtonte vetveten përtej mrazit dhe zemëratës klimatike, e cila nuk mund të kapardiset për kreun, por gjithqysh ajo është karakteristike e këtyre thellësive që ngërthehen përhava. Në parkun e Thethit mantel i bardhë i borës që i hidhet përsipër, nis me 1.5 m trashësi deri në 3 m vende-vende e kohë mbaskohe. Gjithashtu mund të flitet edhe për mesatare të reshjeve të shiut që varjojnë 2900-3000 mm në vit. Temperaturat luhaten nga 20ºC-26ºC në qeshor për të kulmuar në dimër me -14ºC deri -20ºC.
Duke hedhur një vështrim veçorive hidrografike kumtojmë se Lumi i Thethit buron në lagjen Okol dhe përshkon të gjithë parkun, në harbimin e të cilit fusin turrin edhe përrenj dhe burime që këndej pari janë pa hesap. Në Ndërlysë trupëzohet me përroin e Kapërres duke ngjisur Shalën, i cili derdhet në Drin. Lumi i Thethit është i kthjellët e i shkumëzuar. Prurjet e tij varjojnë 1000-1300 l/sek dhe temperatura mesatare e ujit është 7ºC. Përrenjt, këto vërshues që i harbon rrëmeti, janë ai i Dhenve, i Gurrës, i Shkafit, i Borës, i Ashtit, i Ukashit, etj.

Hap pas hapi në këtë joshje që të magjeps
Në këtë shëtitje soditëse dhe magjepsëse na shuajnë etjen dhe na njomin ëndjen, burimet e Okolit dhe Nikgjonajt. Kësaj mrekullie i lajkatohet si një vashëz ojnake, Ujëvara e Grunasit, që rrëzon gërshetin e saj shkumëzues prej një lartësie mbi 30 m, dhe ajo e Gjeçajve, të cilën e ledhatojnë shkëmbinjt përgjatë 24 metrave të kredhjes joshëse përposhtë. Kanioni i Grunasit i shtohet kësaj gostie, ai zgjaton për më shumë se 2 km dhe thepon 60 metra tatpjetë. Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, ku gurgullojnë liqene nëntokësore, galeri dhe sifone gjigande, e mylmejnë gjithnjë e më shumë hejën e kësaj urije për kandë. Thethi ka gjithashtu edhe 12 mullinjë të vegjël, do prej të cilëve blues. Syri i kaltër i Kaprrës kqyr ngulmues me blunë e allasojtë, prej Kaprrës së poshtme, e cili është dalldisja më e shpenguar e hireve që kumton shtati i alpeve. Për të behur nën këtë vështrim që të rrëmben, duhet të shtegtosh nga Kanioni i Grunasit. Nëse shkon në Theth, kurrqysh nuk mundet të ikësh pa i hedh një sy Kullës së Ngujimit, e cila ka të murosur në gurthemelin e saj krejt shtatin e mrrylët e të ftohtë, histori ngjethëse gjaku dhe ngadhnjime faljeje.
Në mbamendjen e vet kjo kullë që hedh shtat 400-vjeçar mbi një gurë të stërmadh që ka mbire si truall, janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga krejt bajraku i Shalës. Ajo shërbente si strehëz për kohëzgjatjen 15-ditore, periudhë gjatë së cilës vrasësi duhet të gjente mbrojtësit dhe të sqaronte plëqësisë mbi rrethanat e ngjarjes. Ndryshe nga ajo e Mirditës dhe tjetërkund nëpër malësi që ngujoheshin prej gjakut, Kulla shërbeu për gjyqësi dhe kuvende gjakfalejeje. Në të Kanuni i Lek Dukagjinit, ishte referencë e kodit zakonor, të drejtësisë dhe e krejt parashtrimeve që parashihen për konsiderimin e rrethanave, je kryekëput fajsi dhe ndëshkim. Kjo Kullë është simbol i Thethit anipse ajo është e Zef Kol Koçekut, ruhet dhe mbrohet tashembas nga nipi i tij, Sokol Koçeku. Kisha gjithpoaq përbën një piketë të ngasjes së vizitorëve të pafund. E ndërtuar që më 1892, ajo mishëron jo dhe aq përkatësinë e kahershme katolike të thethianëve, sesa rolin në këtë famullari të At’ Shtjefen Gjeçovi, i cili më 1917 hapi mësonjtoren e parë shqipe, traditë të cilën e vazhduan edhe priftërinjë e tjerë të kësaj kishe. Hitorikun e kësaj ngrehine shërbestarie dhe dije e pasurojne emrat dhe kontributi i At’Marjan Prela, At’ Daniel Gjeçaj, etj. Vorret në truallin e saj janë edhe tash me kryqe të punuar, ashtu siç i përshkruante Edith Durham më 1905, kohë kur ajo vizitoi Thethin, dhe shkroi për traditat dhe historinë e tyre.

I rrëmbyer prej dimesioneve
Shpëjtësia, me të cilën ikën koha kësaj behjeje kumtuese, është triumfi i efektit mbi shkakun, mbi ndjelljen dhe kredhjen, si pre e kësaj gjuetije mahnitjesh shokuese dhe kësaj thirrje kushtruese për kërshërim. Triumfi i sekujt në këtë aventurë alpine është i atypëratyshëm, depërtues dhe mishërues. I tillë është mbi kohën që rrek të mbetet në vend dhe thellësisë që harbon rrahekrah. Ashtu siç ka gërryer durimshumë gurët, uji, akulli e tufani, me të njëjten kandje e yshtje rrëmon ndër ne kjo bukuri, për të mbetur e pashoqe në llojin e vet, për të mbushur me zbraztësi eterne boshin dhe etjen që ndjen se të ka përfundur. Vetëm këtu në Theth, këtu në këtë hon të krenarisë së bjeshkëve mbërrin një gjëndje të epërme zotërimi, me kast, tuj guxu me ken ndonjë dekik edhe Zot.