Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik

Kolec Topalli (Hylli i Drites)

Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, me faqe historie të përgjakshme por të lavdishme, me tradita e zakone fisnike, të ruajtura e të kultivuara brez pas brezi e me përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur gjallë besën e të parëve. Banorët e kësaj treve, të izoluar nga kohët e pushtimeve, por edhe të lidhur me besë e burrni me pjesët e tjera të atdheut, kanë mundur të ruajnë si gjënë më të vyer gjuhën, shqipen e kulluet e të pastër, ashtu siç janë përpjekur të ruajnë lirinë, qenien e tyre shqiptare e çdo gjë që i lidh me tokën, ajrin, fushën e malin. Edhe pse kjo krahinë u nda padrejtësisht në dy shtete, duke u kufizuar shqiptarët me shqiptarë, banorët e saj e kanë ruajtur identitetin dhe unitetin, duke trashëguar në brezat më të rinj gjithçka të bukur që lanë të parët, gjyshat e stërgjyshat.

E folmja e Hotit, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen, e cila pasurohet vazhdimisht prej gurrave të natyrshme që e ushqejnë, njëra prej të cilave është edhe ajo e Hotit. Karakteri konservativ i kësaj të folmeje lidhet me historinë e kësaj krahine, e cila, e strukur në vetvete dhe e vendosur për t’i bërë ballë furive e rrebesheve armike të njëpasnjëshme, ka mundur të ruajë thuajse të paprekur visarin e trashëguar të gjuhës së të parëve.

Po mbushen tri vjet që kemi nisur punën për hartimin e një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, mungesa e të cilit është e ndjeshme duke u bërë pengesë për studimet albanologjike. Gjatë punës sonë na është dashur të hulumtojmë e të nxjerrim në dritë shumë fjalë dialektore, fjalë plaka e të harrueme, siç thoshte Bogdani, pa të cilat shqipja nuk do të ishte ajo që është sot dhe nuk do të mund të frenonte sadopak valën e pandalshme të fjalëve të huaja, që po depërtojnë me shumicë në epokën tonë të globalizmit. Prandaj, studimi i të folmeve që kanë ruajtur shumëçka nga visari i trashëguar ka qenë një objektiv i punës sonë për të pasqyruar këtë pasuri leksikore në fjalorin e ardhshëm etimologjik të gjuhës shqipe. Nga e folmja e Hotit, duke u mbështetur në mbledhjet në terren të akad. Gjovalin Shkurtajt1, kemi nxjerrë shumë materiale të vlefshme për shpjegimet tona duke i dhënë dritë e shkëlqim edhe vetë kësaj krahine, që ka ruajtur thesare të mëdha gjuhësore.

Për të shpjeguar këtë rol që luan një e folme e tillë me pasuri kaq të çmuara, do të ndalemi në disa raste të veçanta, me të cilat mund të shtjellojmë rolin e madh që luan një e folme e ruajtur si kjo e Hotit për shpjegimet etimologjike të fjalëve të shqipes. Nga shembujt që do të paraqesim, disa janë të tillë që i përkasin vetëm kësaj së folmeje, disa kanë shtrirje më të gjerë në gegërishten veriperëndimore, disa kanë paralelet e tyre te shkrimtarët e vjetër; por të gjitha këto shërbejnë si ndihmesë e vyer për të depërtuar drejt etimonit të fjalës. Nga fusha e leksikologjisë, ndër fjalët me interes të veçantë gjuhësor vëmë në dukje emrin dele, që në të folmen e Hotit del edhe në trajtën delme me prapashtesën -m, me të cilën formohet shumësi, si në rastin djalë ~ djelm. Trajta delme është një relikt gjuhësor, që ka mbetur aty-këtu në të folme të shqipes, në Kosovë dhe në Jug në Gjirokastër, në sintagmën qumësh i delmur. Sipas krahasimit që i kanë bërë ilirologët kësaj fjale, me trajtën delme është lidhur emri i një fisi ilir, Delmatae, si edhe krahina e Dalmacisë: Dalmatia, Delmatia me kuptimin “fushë që ushqen delet”, e cila, sipas përshkrimit të kronistëve të botës antike, është quajtur kështu si vend delesh. Ky relikt gjuhësor i

së folmes së Hotit është treguar prodhimtar në krijim fjalësh të reja, si: delmer “bari dhensh”, që del me variantet delmuar, dylmyer, në arbërishten e Italisë dhe delmier, delmir, delmëtor në krahina të tjera. Me emrat delmere e dylmere quhet edhe “bishtatundësi, lat. Motacilla”, meqenëse ky zog i ngjitet tufës së bagëtisë, prandaj quhet edhe zog delesh apo zog dhensh. Fjala ka depërtuar edhe në toponimi, në pikën e quajtur Curri i Delmeres në Veri.

Emrin puçik e ka e folmja e Hotit për “gropë të vogël nëpër rrasa e shkëmbenj të mëdhenj që mbushet me ujë shiu”, prej së cilës ka dalë kuptimi figurativ “gropëz e vogël që u formohet disa njerëzve në faqe kur qeshin”. Po ta gjurmojmë më tej, këtë fjalë e ka mbledhur Cordignano-ja2, për të cilën jep kuptimin “fossa rotonda che fa l’acqua anche nella pietra”. Dhe pranë saj është shënuar edhe një trajtë tjetër, puçigâ me shpjegimin “fossa, baratro, inferno, stagno”. Fjalët janë huazime prej italishtes; puçik nga pozza me prapashtesën -ik; puçigâ nga it. pozzanghera “pellg i vogël, gropë me ujë”, që ka marrë prapashtesën -â nga -an brenda shqipes, duke u lidhur të dyja fjalët me it. pozzo prej lat. puteus “pus”.

Emri kripshë i së folmes së Hotit, me të cilën emërtohet “një shkurre me gjethe gjithnjë të gjelbra dhe me lule si vile, që përdoret kryesisht për dru zjarri, lat. Phillyrea media”, dëshmon formën më të vjetër të kësaj fjale, e cila ka edhe format më të reja krishë, grifshë, krefshë, grishë, etj. Për etimologjinë e fjalës, emri i kësaj shkurreje ka dalë nga tufa a xhufka e saj, prandaj burimi i fjalës është emri krip “flokë”, që ka marrë prapashtesën -sh. Prandaj forma më e vjetër e fjalës është ajo që e ka ruajtur Hoti me formën kripshë, kurse krifshë është më e re dhe ka dalë me hapjen e bashkëtingëllores -p- para një mbylltoreje tjetër duke krijuar një grup bashkëtingëllor të njohur në gjuhën shqipe.

Foljen jes ~ jet e ka e folmja e Hotit për “mbes, mbet”. Nga këto dy folje, jet është më e vjetër, sikurse e dëshmojnë të folmet arbëreshe të Greqisë e të Italisë me formën vjetem për “mbetem”, si edhe Buzuku, ku fjala shfaqet për herë të parë: pā zhdo të tjerë tek jesënë endë trekt pā punë. Për burimin e fjalës, jet është forma e vetës II shumës të foljes *es- “me qenë” në një paradigmë të hershme: jemë ~ *jetë ~ janë, ku forma e vetës II shumës është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me *-nṎō: jeni si bani/ bëni. Kësisoj, folja jet krahasohet në plan indoeuropian me format e vetës II shumës me mbaresën -t: gr. εστὲ, sll. vj. jeste, got. sijuþ. Kjo mbaresë, që në gjuhën shqipe del në të pakryerën ishit, në të kryerën e thjeshtë qetë e në mënyrën dëshirore qofshit, ka qenë edhe në të tashmen dhe gjurmët e saj kanë mbetur te folja jet, që ka zhvilluar një zgjedhim të plotë sipas shembullit të foljes mas ~ mat. Një rrjedhojë e kësaj foljeje është emri jetë duke u lidhur si në gjermanishte, ku leben lidhet me bleiben3.

Emrin ragazi e folmja e Hotit e ka për një lloj rrushi kokërrgjatë me cipë të trashë. Burimi i fjalës është turq. razakí, që në këtë të folme ka pësuar metatezë, duke u përzier me mbiemrin i zi e duke krijuar emrat ragazi, ragazezë e me antonimin e saj ragabardhë4. Ky është një shembull i veprimit të asaj dukurie që quhet etimologji popullore, kur ndërhyrja e një fjale bëhet shkak për krijimin e një forme të re. Pjesëzat niç e diç i ka e folmja e Hotit me kuptimin “pra, kështu”. Të dyja këto kanë dalë nga një formë më e përgjithshme ndiç, e formuar nga në ditësh “nëse e di”, me asimilim të grupit bashkëtingëllor5; ose me foljen ndiej “ndigjo” në shprehjen ndiej ç’, gjithsesi një fjalë-fjali, e cila dëshmohet së pari te Budi, që ka: e kush na mpson s pat, ndish në ato fjalë pak kanë me na ndimuom6.

Me interes është folja bohet për “mbarset, çiftohet”, që është forma më e lashtë, e ruajtur në Hot, prej së cilës janë krijuar dëboj, sboj, zboj, cboj, bdoj, dvoj, vdoj, të gjitha variante me parashtesa, ku ka luajtur rol edhe metateza. Buzuku, ku fjala del së pari, ka bdonj, Matrënga ka dbonj e sbonj, Budi ka vdonj e Bogdani ka dvonj. Kësisoj, kjo folje ka ndjekur rrugën e fjalëve të tjera me grupin bashkëtingëllor db-; prandaj aty ku ka borë ka edhe boj, ku ka dëborë ka edhe dëboj, ku ka zborë ka edhe zboj. Buzuku që ka bdorë, ka edhe bdonj; Bogdani që ka dvorë ka edhe dvoj. Për burimin e fjalës, boj është formim me prapashtesën foljore -o, nga një rrënjë *bi- me kuptimin “dy”, nisur nga çiftimi i kafshëve. Kështu, kuptimi i parë ka qenë “çiftoj, bëj çift”, prej së cilës kanë dalë kuptimet e tjera. Rrënja *bi- me kuptimin “dy” gjendet në shqipe te emri bigë dhe përjashta saj në lat. bis “dy herë”7.

Nga fusha e morfologjisë vëmë në dukje disa trajta shumësi të emrave që gjenden në këtë të folme, të cilat dëshmojnë për një tipar të lashtë të shqipes: lëvizjen e theksit brenda fjalës e vendosjen e tij në formantin e shumësit. Raste të tilla kemi te shumësat gjerpáj, dërpáj, etj. Shembullin e parë e ka Buzuku: As mos tentojmë Krishtnë, porsi disa qi e tentuonë, e klenë përfaruom en gjerpanjëshit. Rastin tjetër e kanë të folmet jugore. Këto relikte të ruajtura shprehin një veçori të lashtë të gjuhës shqipe me të cilën bashkohet me gjuhë të vjetra e të reja, që e kanë ruajtur në sistemin e tyre gramatikor veçorinë e lëvizjes së theksit, që ka qenë tipar i gjuhës-nënë indoeuropiane. Vëmë në dukje, nga greqishtja e vjetër, në sistemin rasor: νύξ, νύκτα, në rasat emërore e kallëzore, por νυκτός, νυκτί në rasat gjinore e dhanore; në latinishte, në sistemin foljor, veta I laudo, por shumësi laudamus, në shqipe njëjës dhandërr, por shumësi dhandurrë8.

Me rëndësi për historinë e gjuhës është përemri pronor yj, që në shqipen e sotme është zhdukur nga përdorimi, por e kanë ruajtur krahinat gege veriore, ndër të cilat edhe Hoti është një relikt gjuhësor, që e ka edhe Buzuku: përse Ati yj e di se ju kini nevojë en gjithë sosh. Ky përemër ka qenë i vetës II numër shumës për gjininë mashkullore, duke dalluar gjininë e pronarit, aty ku sot përdoret përemri juaj për të dyja gjinitë. Për nga gjeneza e tij, ashtu si përemri juaj që është formuar nga jo + u, edhe përemri yj është formuar nga i + u, ku elementi i parë është i gjinisë mashkullore duke përfaqësuar përemrin ai, njëlloj si ajo te përemri juaj, kurse përemri i dytë është u-ja, që përfaqëson përemrin ju. Nga bashkimi -i- + -u- ka dalë zanorja y-, që ruan tiparet e të dyja këtyre zanoreve, karakterin qiellzor të -i-së dhe karakterin buzor të -u- së; ndërsa bashkëtingëllorja fundore -j është një shtesë epitetike, ashtu si te përemrat e tjerë të kësaj natyre dhe ndajfoljet, si: saj, tij, tej, pastaj, etj.

Nga fusha e sintaksës, albanizma jam i hot është një relikt gjuhësor me interes të veçantëshkencor. Me të tregohen etnika, si: i pukës, i mirditas, i hot, i shkodran, i tragjas etj., duke  shënuar banorë të një krahine të caktuar, prejardhjen e tyre dhe duke pasur shtrirje në të gjithë shqipen, çka flet në të mirë të vjetërsisë së saj. Ata gjenden më shumë me prapashtesat -ës, -as, si: i pukës, i mirditës, i kelmendës, i dukagjinës, ose i pukas, i mirditas, i kurbijas, etj., por ata dalin edhe me prapashtesa të tjera, si: i shkodran, i dibran, i matjan, i vlonjat, në disa emra edhe pa kurrfarë prapashtese, si: i hot, i tragjas, i dukat, i kuç, i has, i krasniqe. Sintagma të tilla i gjejmë tek autorët e vjetër. Kështu, Buzuku ka: e dërgoi tek aj ElizeỊ një të lajm, tue i thashunë “misitque ad eum Eliseus nuncium, dicens”9, Bardhi ka: i katundas për “Paganus”, i temalas për “transmontanus”, i arbëneshë, i shkodërnjanë10; Bogdani ka: i misiras, të vendasitë11; Figlia ka: i Arbreshë12.

Meqenëse në këto raste kemi të bëjmë me emra kryesisht me burim toponimik, edhe këtu nyja e tyre e përparme e ka origjinën nga sintagma gjenitivale, në rastet e përdorimit të gjinores pa emër përpara, si rezultat i një elipse në rastet jam i Palit domethënë “jam djali i Palit” asht e Gjergjit “asht vajza e Gjergjit”, si rrjedhim edhe jam i Pukës “jam i fisit të Pukës”, jam i Mirditës “jam i krahinës së Mirditës”. Ndërkaq, mbaresa -ës e trajtës së shquar të rasës gjinore në ndërgjegjen gjuhësore është interpretuar sikur të ishte prapashtesa -ës, prandaj krahas formës së vjetër, nisi të përdoret edhe forma e re -as e kësaj prapashtese duke iu ngjitur edhe emrave të gjinisë mashkullore, si: i pukas, i kelmendas. Prej këndej nisi veprimi analogjik edhe në emra me prapashtesa të tjera (i shkodran, i matjan), si edhe në emra pa prapashtesa (i hot, i dukat). Në emrat e fundit, që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, mbaresa -it e gjinisë mashkullore ka rënë me anë të haplologjisë, meqenëse ajo ishte e njëjtë me bashkëtingëlloren e rrënjës së fjalës; domethënë nga jam i Hotit në jam i hot, nga jam i Dukatit në jam i dukat. Kjo gjen mbështetje në thjeshtimin që ka pësuar rasa gjinore e trajtës së shquar të disa emrave që mbarojnë me bashkëtingëlloren -t, dukuri që ka përfshirë të folme të Veriut e të Jugut; p.sh., në Veri, në Toplanë të Dukagjinit: Qafa Mjet për Qafa Mjetit, në Jug, në çamërishte: mori vajzn e mbret për “vajzën e mbretit”13.

Në kufijtë e një kumtimi të shkurtër nuk mund të zgjatemi më tej; por materiali i paraqitur është i mjaftueshëm për të krijuar idenë e vlerës së veçantë që ka e folmja e Hotit për fushën e etimologjisë dhe në përgjithësi për pasurimin e shqipes. është detyra jonë si lëvrues të gjuhës t’i nxjerrim në dritë këto visare të rralla dhe t’ia bashkangjitim thesarit të madh të gjuhës shqipe, për t’i ruajtur e për t’i zhvilluar ato më tej.

 

1.Shkurtaj: DSH II 1974, 405 v.

2.Cordignano: Alb.-It.161. 94

3.Meyer: EW 163; Barić ARS I 76; Tagliavini AD 134; Orel AED 250; Çabej SE V (ms.) 537.

4.Boretzky: TE II 112; Çabej SE VI 279; Dizdari: FOGJSH 833.

5.Çabej: SF 4, 1964; 87; Orel AED 285.

6.P. Budi: SC.

7.Bugge:

BB XVIII 1891, 174; Meyer: AS IV 44; Jokl: IF 37, 1916/17, 119; Walde-Pokorny: II

155; Walde-Hofmann: I 483, La Piana: SLA I Varia 23; Mann: Lg. 28, 1952, 32; Çabej: SE III 212,

Topalli: Fërk. 123.

8.Topalli: Thek. 54.

9.Buzuku: LI b – Mbretërit IV 5, 10; Bogdani: Nji i lajm për të çpejtë kje dërguem prej së dȳ motrash (CP II 84, 1).

10.Bardhi: Dict. 81, 175, 218, 221.

11.Bogdani: CP I 131, 6.

12.Figlia: CC 53/24.

13.Haxhihasani: DS II 1974, 122

Bibliografi

Bardhi, Frang: Dictionarium latino-epiroticum per R. D. Franciscum Blanchum. Romae, 1635

(Dict.).

Barić, Henrik: Albanorumänische Studien, I Teil. Sarajevo, 1919, 1-142 (ARS I).

Boretzky, Norbert: Der türkische Einfluss auf das Albanische. Wiesbaden, I 1975, II 1976 (TE).

Budi, Pjetër: Speculum Confessionis. Roma, 1621 (SC).

Bugge, Sophus: Beiträge zur etymologischen Erläuterung der albanesischen Sprache. BB XVIII

1891.

Buzuku, Gjon: “Meshari” I, II. Tiranë, 1968 (Buzuku).

Cordignano, Fulvio: Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese (il nuovo Jungg), Parte

Albanese-Italiana. Milano, 1934 (Alb.-It.).

Çabej, Eqrem: Studime rreth etimologjisë së gjuhës

shqipe, I-XXVIII. BUST SSS 4, 1960 – 4,

1963; SF 1, 1964 – 3, 1968. Studime etimologjike në fushë të shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III

1987, IV 1996, V (i pabotuar), VI 2002, VII 2006 (SE).

Dizdari, Tahir: Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë, 2005 (FOGJSH).

Figlia, Nicola: Il Codice Chieutino. A cura di Matteo Mandalà. Palermo, 1995 (CC).

Haxhihasani, Qemal: Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Çamërisë. DS II 1974

(DSH).

Jokl, Norbert: Beiträge zur albanischen Grammatik 4. Die Verbreitung der Dehnstufenbildungen im

Albanischen. IF 37, 1916/17, 90-122.

La Piana, Marco: Studi linguistici albanesi. Varia. Palermo, 1949 (SLA Varia).

Mann, Stuart E.: The Indo-Europian Consonants in Albanian Language. 28, 1952 (Lg).

Meyer, Gustav: Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg, 1891 (EW).

Albanesische Studien. Wien; IV: Das griechisch südrumänisch-albanesische Wörterverzeichnis des

Kavalliotis (herausgegeben und erklärt), 1895 (AS).

Orel, Vladimir E.: Albanian Etymological Dictionary. Leiden, 1998 (AED)

Shkurtaj, Gjovalin: E folmja e Hotit. Dialektologjia shqiptare II. Tiranë, 1974 (DSH).

Tagliavini, Carlo: L’albanese di Dalmazia. Contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo

Erizzo presso Zara. Firenze, 1937 (AD).

Topalli, Kolec: Theksi në gjuhën shqipe. Tiranë, 1995 (Thek.). – Fërkimoret e afrikatet e gjuhës

shqipe. Tiranë, 2003 (Fërk.).

Walde, Alois – Hofman, J. B. Lateinisches etymologisches Wörterbuch von A. Walde. Dritte

neubearbeitete Auflage von J. B. Hofmann. Heidelberg, I A-L, 1938; II M-Z, 1954 (WaldeHofmann).

Walde, Alois – Pokorny, Julius: Vergleichendes Wörterbuch der indogermanischen Sprachen,

herausgegeben und bearbeitet von J. Pokorny. Berlin – Leipzig; I 1930, II 1927, III 1932 (WaldePokorny).