The Guardian:19 nga 23 lojtarët e Francës, emigrantë. “Liberté, Egalité, Mbappé!”

“Liberté, Egalité, Mbappé!”. Slogani francez u rishkrua për të festuar golin fitues të 19-vjeçarit nga periferitë e Parisit, i cili po e dhuron për bamirësi edhe shpërblimin e fitores, ngaqë, siç thotë ai, është nder të luash për kombëtaren.

U përhapën shumë debate gjatë kësaj vale krenarie kombëtare, për faktin që 19 nga 23 lojtarët e ekipit të Francës janë ose emigrantë, ose fëmijë emigrantësh. Po ashtu edhe për refleksin e lojtarëve myslimanë, si Paul Pogba dhe Djibril Sidibe, të cilët u lutën pas fitores. Si mundet një vend i mbushur me kaq paragjykim ndaj pakicave kombëtare, të mbështesë një ekip që përfaqëson të kundërtën?

Një raport i kohëve të fundit nga Komisioni Kombëtar Francez i të Drejtave të Njeriut thotë se “myslimanët janë një nga pakicat që pranohen më pak. Refuzimi vjen kryesisht për shkak të islamizmit si dhe të atyre që e zbatojnë.” Myslimanët e Francës po e çojnë kombin e tyre drejt çmimeve më të mëdha botërore, megjithatë, 44% e francezëve besojnë se islami është kërcënim për identitetin francez.  Edhe lutjet janë problem për 30% të francezëve, të cilët mendojnë se “nuk përputhen me shoqërinë franceze”. Asnjë pakicë nuk tolerohet në masën 80% nga francezët. Po vëllazëria, “Fraternitè”?

Në Francën e sotme, një mysliman që praktikon fenë ka katër herë më pak gjasa të pranohet në një intervistë pune se një katolik. Sipas studimit, myslimanët në Francë hasin diskriminim më të madh se zezakët amerikanë ne SHBA.

Vitin e shkuar, për të parën herë, Fronti Nacional mori më shumë se 20% të votave në një zgjedhje parlamentare. Marine le Pen vendosi një rekord të ri për numrin e votave, 7.6 milionë në total; dhe 35% të atyre që votuan në raundin e dytë.

Iluzionet që patëm në vitin 1998 për multikulturalizmin, pas festimeve “të zinj, të bardhë, arabë”, janë zëvendësuar tashmë nga një cinizëm i thellë, i drejtuar ndaj angazhimit që i ka bërë Franca një identiteti kombëtar që i përfshin të gjithë burrat dhe gratë të vendit në një platformë të barabartë për këdo. Realiteti është që 20 vite më vonë, futbolli është një nga të vetmet fusha ku mund të kenë sukses francezët që vijnë nga periferitë e klasës punëtore. Vëllazëria e krijuar nga futbolli nuk e maskon dot përçarjen që ka pësuar shpirti i kombit.

Megjithatë, larg sportit, beteja e një personi kundër shtetit duket se jep një rreze shprese. Në Shkurt, qeveria miratoi disa nga ligjet më të ashpra në lidhje me azilin, duke dyfishuar kohën e mbajtjes së emigrantëve të paligjshëm në qeli (në 90 ditë), dhe duke e kthyer kalimin e paligjshëm të kufirit në shkelje penale që dënohet me një vit burg dhe gjoba. Shoqatat bamirëse iu referuan ligjit të ri si një shkëputje e padiskutueshme nga tradita e Francës për azil.

Këtë muaj, një djalë i ri ferme me emrin Cédric Herrou, pasi kishte paditur shtetin francez për moszbatim të vlerave bazë “liri, barazi, vëllazëri”, e fitoi gjyqin. Edhe pse nuk pati histerinë ndërkombëtare që rrethon Botërorin, është e sigurt se ky vendim do të ketë një nënkuptim shumë të gjerë.

Herrou është një fermer ullinjsh nga lugina Roya, që shtrihet midis Francës dhe Italisë. Ai mori vëmendje publike pasi u gjobit me 3000 Euro ngaqë kishte ndihmuar dhjetëra emigrantë. Ai tha që ishte përndjekur bashkë me miqtë e tij për një “krim solidariteti”.

Ata që e kundërshtojnë, thonë se veprimi i tij po vë në rrezik një komb ku emigrimi lidhet vazhdimisht me sigurinë dhe terrorizmin. Për mbështetësit, ai përfaqëson vlerat që Franca thotë se mbron: liri, barazi dhe vëllazëri për të gjithë, pavarësisht shtresës ekonomike, besimit apo ngjyrës. Gjykata Kushtetuese vendosi të premten e shkuar që parimi thelbësor i Francës, vëllazëria, e mbronte Herrou-n nga dënimi. Thoshte: “Parimi i vëllazërisë përfshin dhënien e ndihmës ndaj të tjerëve, për qëllime humanitare, pa marrë parasysh nëse e kanë shkelur territorin kombëtar në mënyrë të ligjshme apo jo.” Ky vendim është domethënës sidomos në një Europë që po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj emigrantëve.

Kur takova disa nga miqtë e Herrou-s vitin e shkuar, ata shpjeguan se ndihma që dhanë nuk bazohej në ndonjë qëllim ideologjik. Si njerëz mali, siç i përshkroi dikush, ata bazohen te një kod i vjetër që është sa i thjeshtë, aq edhe kritik për mbijetesën e tyre: nëse gjen dikë të humbur në male, i ofron ushqim, strehë, dhe e ndihmon të vazhdojnë rrugën. Për njerëzit e luginës Roya ky ka qenë gjithnjë rregull. Një rregull që duhet të zbatohet nga të gjithë, pa diskutim.

Çështja e Herrou-s është një çast historik. Fushata e një njeriu të vetëm detyroi qeverinë të vërë në dyshim vlerat e saj. Duhet të na detyrojë të gjithëve të përballemi me kurthin e rrezikshëm ku futemi kur njohim si francezë vetëm ata njerëz me ngjyrë që kanë arritje të shkëlqyera, ata që shpëtojnë fëmijë që bien nga ndërtesat, e që fitojnë botërore.

E diela ishte një simbol i rëndësishëm fitoreje dhe mesazhi ishte i qartë: “këta jemi ne, me ngjyrë, myslimanë, francezë, afrikanë, periferikë, dhe ne jemi më të mirët e Francës. “

Dhe prapë, në betejën për të mbrojtur shpirtin e vërtetë të Europës, (idealet e të cilës themi se duam të mbajmë teksa përparojmë), Herrou na tregoi se është ende e mundur të kuptosh se sa shumë kemi dalë nga ajo udhë. Le të frymëzohemi nga imazhi që dha ekipi kombëtar për ne, por të mos harrojmë se nevojiten beteja të gjata, të ashpra e shpesh të harruara, për ta kthyer këtë imazh në diçka më shumë se thjesht tërheqje vëmendjeje për një çast.

Dr Myriam François, the Guardian