Thaçi takon kryeministrin rus, i kërkon vendosjen e komunikimit midis dy vendeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk Erdogan, ka takuar sot në Ankara të Turqisë kryeministrin rus Dmitry Medvedev, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se nga kryeministri Medvedev ka kërkuar që të vendoset një komunikim fillestar midis dy vendeve.

Postimi i Thaçit:

“Në kuadër të ceremonisë së Inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, zhvillova një takim të shkurtër me Kryeministrin e Federatës së Rusisë, Dmitry Medvedev.

Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.

Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona.

Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjell paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”,ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/