Thaçi në Bjellorusi – Në Kosovë seancë e jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës debaton për rezolutë mbi dialogun me Serbinë. Opozita kërkon që t’ia ndalojë presidentit të flasë për kufijtë, ndërkohë që Thaçi gjatë qendrimit në Minsk flet për mundësinë e marrëveshjes me Serbinë.

Partitë politike opozitare në Kosovë përmes një seance të jashtzakonshme dhe me një rezolutë po kërkojnë që çështja e kufijve të Kosovës të mos diskutohet në dialog me Serbinë. Korrigjimi i mundshëm i kufirit Kosovë-Serbi është një ide për të cilën po këmbëngul Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Rezoluta me të cilën synohet që t’ia ndalon presidentit të flasë për këtë çështje, u propozua nga partia më e madhe opozitare LDK. Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, thotë se Presidentit Thaci duhet t’i pamundësohet të bisedojë me Serbinë për kufijtë e Kosovës, prandaj ai kërkoi mbështetjen e deputetëve të tjerë. Sipas Hoti, Thaçi nuk e ka mbështejen ndërkombëtare për korigjim kufiri, ndërsa këtë ide ai e quajti “ide të Beogradit dhe Moskës”.

“Dëmet tani janë bërë për këto veprime të presidentit. E para, është krijuar pasiguri e madhe qytetare, ekonomike dhe sociale si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur nivelin rekord, me mbi 80 për qind të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë. E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë të Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është e qartë se këto veprime të presidentit janë anti-kushtetuese”, tha Avdullah Hoti duke rikujtuar se rishikimi i kufijve të Kosovës, nënkupton ribërjen e shtetit të Kosovës.

Në linjë pothuajse të njejtë ishte edhe shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca, i cili thotë se presidentit duhet t’i ndalohet edhe që të takohet me autoritetet serbe. “Për herë të parë një president i ka kontestuar kufijtë e vet. Kjo ia mundëson Serbisë që t’u thotë faktorëve ndërkombëtarë që për Kosovën diçka nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson dhe i jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës, sepse nëse krejt njohjet kanë ndodhur për shkak se Kosova po e kompleton shtetin e vet, tash për një moment edhe drejtimi politik i temave të cilat ne i flasim në Kosovë ndërron”, tha Glauk Konjufca.

Nga ana tjetër shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, parti kjo e themeluar nga Thaçi por që nuk e udhëheq më, thotë se kjo parti e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kërkon konsensus politik për ta përfunduar këtë proces. “Ne jemi pro dialogut, si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cënimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe të kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu çfarëdo marrëveshjeje që do të mund të arrihet me Serbinë, nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Memli Krasniqi, duke akuzuar partitë opozitare për “spekulime dhe përhapje paniku tek qytetarët për gjoja synimet për ndarje të Kosovës”.

Në kohën kur në kuvendin e Kosovës debatohej për qasjen në dialog me Serbinë dhe mundësinë që presidentit t’i pamundësohet që ta diskutojë çështjen e kufijve të Kosovës, Thaçi, merrte pjesë në konferencën për siguri të Mynihut, që po zhvillohet në Minsk të Bjellorusisë. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, presidenti foli për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, kam folur për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Theksova se tani është koha për arritjen e një marrëveshjeje  mes të Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshje që është e obligueshme ndërkombëtarisht. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen e dyanshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Lidershipi në Kosovë dhe Serbi e dëshiron një marrëveshje të tillë, SHBA-ja dhe BE-ja e dëshiron dhe po punon drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe tani, pa hamendje, të gjithë duhet të lëvizim përpara”, shkruan Thaçi në profilin e tij. Mediet serbe ndëkaq, shkruajnë se presidenti Thaçi në Minsk të Bjellorusisë ka takuar kryeministren e Serbisë, Ana Bernabiq, me të cilën thuhet se “kanë biseduar rreth përparimit në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës”, por ky takim nuk është konfirmuar nga presidenca e Kosovës. Ana Bërnabiq ka shfaqur shpresën, se do të jetë e mundur arritja e një marrëveshjeje, “kompromisi me Kosovën që do të çojë drejt stabilizimit në rajon”, shkruajnë mediet në Serbi.

Sidoqoftë, deri tash në debatin në Kosovë për dialogun me Serbinë, partitë politike nuk po arrijnë të jenë në një mendje për fazën finale të dialogut. Kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, fton të gjitha subjektet politike që së bashku të hartojnë një platformë dhe një rezolutë për dialog me Serbinë, duke shprehur bindjen se atëherë edhe presidenti Hashim Thaçi do të respektojë çdo pikë të rezolutës që do të mund të votohej për dialogun me Serbinë.