Terrorizmi dhe Pheniani tema kryesore në takimin e G-7

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se terrorizmi dhe Koreja e Veriut janë temat kryesore të takimit të G-7-ës, që do t’i zhvillojë punimet të premten në Sicili, ishullin më të madh të Mesdheut.

Duke folur gjatë një takimi me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, presidenti amerikan tha se takimi do të kete “përqendrim të veçantë në problemin e Koresë së Veriut”.

Presidenti Donald Trump dhe kryeministri japonez Shinzo Abe

Presidenti Donald Trump dhe kryeministri japonez Shinzo Abe

Derisa terrorizmi do te jetë shqetësim parësor për udhëheqësit gjatë dy ditëve të takimit në ishullin italian, provat bërthamore dhe ato me raketa balistike të Koresë së Veriut, paraqesin “problem të madh, problem botëror”, tha presidenti Trump. “Kjo do të zgjidhet një ditë. Do të zgjidhet. Mund të vini bast për këtë”, tha ai.

Tregtia është një temë tjetër me peshë tek udhëheqësit e tjerë të vendeve të këtij grupi, që është mbledhur në qytetin turistik Taormina. Ata shpresojnë të zbusin qëndrimin e presidentitTrump mbi tregtinë dhe ndryshimet klimatike.

“Ne do të kemi një debat të fortë mbi tregun dhe do të bisedojmë për atë se cfarë është (tregu) i hapur dhe i lirë”, u tha gazetarëve gjatë një bashkëbisedimi në avionin presidencial rrugës nga Belgjika për Sicili, drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Gary Cohn.

Në Bruksel, gjatë hapjes së selisë së re të NATO-s, presidenti Trump, kërkoi nga aleatët që të shtojnë kontributin e tyre për buxhetin e aleancës, duke i quajtur shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s të pamjaftueshme. 23 nga 28 vendet e aleancës, tha ai, nuk paguajnë kuotat e tyre të plota. Presidenti po ashtu theksoi se lufta kundër terrorizmit duhet të jetë një përparësi e aleancës.

Presidenti Trump është në kundërshtim me udhëheqësit e tjerë rreth ndryshimeve klimatike.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në të cilën ai shfaqi shumë qëndrime kundërthënëse, presidenti Trump i ishte referuar ngrohjes globale si “një shaka”.

Përveç Shteteve të Bashkuara, anëtarë të G-7-ës janë edhe Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe. Në takim merr pjesë edhe Bashkimi Evropian.

Grupi i vendeve më të zhvilluara përfshinte edhe Rusinë ndërmjet viteve 1997 dhe 2014 dhe njihej si G-8, por pas aneksimit të Krimesë nga Moska, pjesëmarrja e Rusisë u pezullua.