Terrori i “shtetit ligjor”, cunami i sezonit të pushimeve në brigjet shqiptare

Ndoshta për shumëkënd ajo që po ndodh këto ditë në disa nga plazhet e vendit është sa e pabesueshme aq dhe papranueshme. Bëhet fjalë për aksionin “Plazh i lirë”, që institucionet e shtetit po zbatojnë në pikun e sezonit të pushimeve, jo rastësisht pak ditë pas legjitimimit të zgjedhjeve njëpartiake për pushtetin vendor.

Ti pushues, mund të shkosh të rehatohesh në vendin që kontraktori privat të ka paracaktuar sipas një kontrate të paravendosur nëpërmjet parapagimit, dhe të të vijë polici të të kërkojë të ngrihesh se jeni në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

Ke lënë plazhet më të famshme të botës dhe ke ardhur të harxhosh ato para në vendin tënd, dhe… të të zënë “me shqelma”, kjo është pak e tepërt, por jo e pamerituar.

Ke mohuar vakancat në vende përrallore të botës, tek shumë prej të cilave, nuk do të të duheshe të harxhoje më shumë se këtu në vendin tënd, ku mungojnë shumë gjëra por ty të mjafton veç malli dhe atdhetarizmi, dhe… të duhet t’i bësh temena policit fatkeq, i cili vjen të të prishi rehatinë e pushimeve, në pikun e vapës, se i duhet të mbledh çadrat e shezlonet, sepse kemi pranuar dhe jemi dakordësuar në bërjen e shtetit ligjor.

“Shëngjin -Velipojë,  vijon operacioni ” Plazh i lirë”. Lirohen nga Policia e Lezhës në plazhin në Kune, Shëngjin, rreth 8000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 500 cadra e shezlongë.Procedohen nga Policia e Lezhës 5 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim taksash”.Procedohen penalisht 2 Drejtorë pranë Bashkisë Lezhë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.Lirohen në Velipojë rreth 2500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige).Procedohen nga Policia e Shkodrës dy pronarë subjektesh që kishin zaptuar hapësirën publike në plazh.Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit në plazh, në Kune, Shëngjin. Si rezultat, janë konstatuar 5 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike, pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë. Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit N.K., Sh.L., E.L., L.K., dhe M.T., për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe ” Mospagim i taksave”. Gjithashtu, është proceduar edhe shtetasi A.N., me detyrë Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme, si dhe shtetasi S.T., Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Lezhë, pasi në kundërshtim me ligjin ka lëshuar leje ndërtimi në zonë të mbrojtur.Aksioni ka vijuar në Velipojë, ku janë liruar 2500 m2, plazh i zënë në mënyrë të kundëligjshme nga dy subjekte.Gjatë aksionit u sekuestruan 235 komplete (shezlongë + karrige + çadër plazhi), si dhe u proceduan penalisht shtetasit L.M. dhe SH.N., pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektet e tyre në zonën e Plazhit në fshatin Pulaj-Plazh, rezultoi se këta shtetas kishin zënë hapësirë publike rreth 2500 m2, duke vendosur përkatësisht 135 komplete shezlongë shtetasi L.M. dhe 100 komplete shezlognë shtetasja SH.N., të cilat u sekuestruan nga Policia”.

Telegrafisht kjo është panorama e djeshme e betejës së vonuar dhe luftës qëllimligë që antishteti po zbaton në kulmin e sezonit të pushimeve, dhe… jo rastësisht, harta e kësaj luftë është e përqendruar kryesisht në ato zona ku më parë kanë qenë bastione të së djathtës, sundime të drejtuesve lokalë dhe qendror të këtij spektri politik.

Ajo që po ndodh është sa ligjore aq dhe antiligjore.

Ligjore, sepse realisht bregdeti është në të gjithë gjatësinë e tij nën sundimin e sipërmarrësve privatë, shumë prej të cilëve e kanë përfituar këtë të drejtë si favor politik apo shkëmbi interesash. Ata jo vetëm që shmangin detyrimin ligjor, përkundrazi, nëpërmjet tarifave të larta, ata ndëshkojnë pushuesit dhe privojnë hapësirat publike, të dedikuara për ata që nuk duan ose nuk munden të paguajnë.

Antiligjore është ky aksion, sepse ndërmerret me qëllimsi të pastër politike dhe selektive, sepse veprohet në një kohë totalisht të papërshtatshme dhe në konflikt të hapur me interesat e palëve.

Shteti që shkul çadrat dhe konfiskon shezlonet, i rimburson pushuesit, të cilët kanë të paguar së bashku me dhomat e akomodimit edhe hapësirën e dedikuar në plazh nga kontraktori privat? Shteti, natyrisht që nuk merret me rregullimin e marrëveshjeve paraprake dhe të parapaguara mes palëve, pushuesit dhe privatit në këtë rast, sepse po të kishte një vullnet të mirë në balancimin e ekulibrave, ai duhet të përfshihej në këtë betejë ligjore në një kohë të mëhershme ose të mëvonshme dhe zonat ku policia do të përqendrohet në zbatimin e ligjit nuk duhet të lënë hije dyshimi nëse kemi të bëjmë vërtetë me një luftë ndaj pushtuesve të plazheve publike, apo një hakmarrje me prapavijë politike duke përdorur ligjin dhe çfarë ai sanksionon në lidhje me plazhet publike.

Ky aksion, kjo bastisje, kjo betejë e paprecedentë ligjore, nuk është dhe nuk mbetet e besueshme për një fakt shumë të thjeshtë. Ajo nuk është as e para dhe nuk do të mbetet as fundit në përcaktimin e një ligjësie detyruese për të gjithë sipërmarrësit privat që kanë veprimtarinë e tyre në gjatësinë e bregdetit shqiptar. Ajo është uzurpuar nga privatët dhe bastisur nga “shteti ligjor” sa herë, por pa marrë formë të prerë dhe kadegorike. I vetmi vend i dedikuar si “plazh publik” kanë qenë centimetrat katrorë ku autoritetet lokale kanë ngulur tabelën “Plazh publik”. Gjithçka tjetër në rërë e në det, shteti e ka shitur, e ka parcelizuar, e ka ofruar si favor politik dhe me gjasë kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet. Edhe kjo betejë e “shtetit ligjor” do të katandiset si gjithë të tjerat në një fushatë mjerane plaçkitëse ndaj atyre që shpërdorojnë bregdetin për interesa përfitimi personal.

Shteti nuk mund të zgjidhte një mënyrë më të përsosur se kjo për të përndjekur shtetasit e vet, për të shkatërruar një sezon të tërë pushimesh, për të nënshtruar me forcën e ligjit, vetë “ligjësinë” e shpërdorimit të plazheve publike, e toleruar prej saj.

Nuk do të kishte një rast më të volitshëm se ky, për të bindur ata që kanë mbetur ende mes dy alternativave, të ikin apo të qëndrojnë? Ja ku u mundësohet atyre edhe një arsye tjetër se ky vend ka pak shanse të bëhet, se ky shtet ka minimumin e vullnetit të mirë t’u shërbejë shtetasve të vet. Do të ishte naivitet të besonim se kjo e drejtë po vepron në emër të ligjit… dhe Maliqi.

Cilido qoftë qëllimi i këtij aksioni, ai është dashakeq, ia pabesueshëm dhe i papranueshëm, për kohën dhe mënyrën e funksionimit.

Albert Vataj

Zeri i Malsise