TERHEQJA E SHBA NGA MARREVESHJA E PARISIT/ Kina mund të marrë rol udhëheqës në çështjen e mjedisit

Kina mund të jetë duke marrë rolin e udhëheqësit global për çështjen e ndryshimeve klimatike, ngaqë Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Marrëveshja e Parisit; por Pekinit do t’i duhet të paguajë një kosto të lartë për këtë veprim, ngaqë tërheqja e Uashingtonit mund të sjellë një pakësim të ndjeshëm të fondeve të caktuara për projekte të mjedisit dhe Kinës mund t’i duhet të kontribuojë më tepër.

Pak pasi Presidenti amerikan Donald Trump bëri të njohur vendimin e tij për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, Kina përsëriti përkushtimin e saj ndaj marrëveshjes dhe bëri një deklaratë të përbashkët me Bashkimin Europian, ku shprehej se “përkushtimi ndaj energjisë së pastër është kolona kryesore në partneritetin e tyre bilateral”.

Kjo deklaratë bëri që të përhapeshin spekullime se Kina mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara në rolin e tyre udhëheqës për pakësimin e çlirimit të gazit të dëmshëm të dyoksidit të karbonit.

Por aktivistë të mjedisit thonë se Kina do ta ketë të vështirë të marrë rol udhëheqës në çështjen e mjedisit, në kushtet kur kompanitë kineze investojnë në ndërtimin e minierave me qymyr dhe industri të tjera, që njihen si ndotëse të mjedisit. VOA