Të vërtetat në librin “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1942” të Çelo Hoxhës që ka trazuar gjakrat

Kjo eshte nje ekspoze e gjerave interesante qe gjenden ne kete liber, i cili duket se nuk ka gjetur shume dakordesi. Nuk kanë munguar reagimet dhe “rebelimet”. Gjithsesi te vertetat e ketij libri ndoshta jane ato qe flasin me shume se sa çdo pakenaqesi dhe zemerim i atyre qe pretendojne se i jane cenuar zoterimet, qofshin keto duke kercenuar edhe “epopene e lavdishme te Luftes Nacionalçlirimtare.

Bardhyl Selimi në një parakalim të shpejt përcakton se ku jane pikat nevralgjike te ketij komunikimi te librit me lexuesin.

f.16

Më 8 shtator 1943, ditën që Italia shpalli kapitullimin. Partia Komuniste Shqiptare, e cila drejtonte ushtrinë partizane, i shpalli luftë Ballit Kombëtar.

f.21-24

Në Orenjë  partizanët vranë për t’iu marrë teshat, 130 italianë dhe në Matjan (Lushnjë) vranë 65 (63) ballistë nga 172  gjithsej të zënë robër ( të Isa Manastirliut). Italianët u vranë dy muaj pasi kishte kapitulluar Italia Fashiste dhe repartet e saj ishin shpërbërë..

Në prill 1944, partizanët dogjën fshatin Starovë në Pogradec, sepse “Starova është depo e çetave mercenare të Ballit”, shkruan Enver Hoxha në urdhërin për djegien e saj…

Ushtria partizane iu sul vendbanimeve shqiptare, sidomos në zonën e Veriut (me Jugun kishte mbaruar punë gjatë luftës) dhe vriste, burgoste, internonte, digjte shtëpi, grabiste pasurinë e qytetarëve etj. Kjo dhunë, në forma të tjera vazhdoi për gati gjysmëshekulli.

f.31-32

Me një radiogram, Enver Hoxha urdhëron që Zai Fundo të torturohet dhe pastaj të pushkatohet. Djegia e Starovës u bë me urdhërin e përbashkët të Spiro Moisut dhe Enver Hoxhës.

f.35-36

Në Matjan, sipas Xhelal Staraveckës, komandant batalioni të brigadës I, që udhëhiqej nga Mehmet Shehu, me zevëndëkomisar Dushan Mugoshën, i hoqën mënjnanë disa fshatarë ortodoksë dhe pushkatuan vetëm myslimanët. (Dushan Mugosha ishte ortodoks jugosllav).

f.46

Në Gjirokstër, në një rast u vranë 11 vetë nga të cilët vetëm një ishte italian…

f.52

Zef Ndoja ishte dënuar më 20 maj 1943 me vdekje në mungesë nga italianët, pasi ishte arratisur nga burgu bashkë me Koçi Xoxen.

Komunistët (Koçi Xoxe) e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan më vonë (1943) në një përrua të fshatit Priskë, në rrëzë të Dajtit.

f.62

“Për ne (komunistët) çdo parti dhe çdo grumbullim ushtarësh dhe çdo komandë jashtë Frontit Nacional-Çlirimtar dhe të Ushtrisë sonë janë parti dhe ushtri që duhet të luftohen se objektivisht bëjnë lojën e armikut dhe përgatisin ardhjen në fuqi të klikave dhe personave…” (Letër e Enver Hoxhës për Ramadan Çitakun)

f.90-91

Në afërsi të Selenicës, Çeta Llakë e Vlorës e Neki Ymerit zuri robër italianë. Këta ai ia dorëzoi Mehmet Shehut, i cili pas disa ditë torturash, i vrau të gjithë. Italianët që u zunë robër nga ballistët e Isuf Luzajt qëlluan me fat, ata i çarmatosën dhe i lanë të lirë.

Mehmet Shehu në fshatin Velçan të Mokrës goditi për vdekje me thikë dy nipërit e Hasan Beut. Në fshatin Çorrush (vendlindja e tij në Mallakastër) ai torturoi dhe vrau kapitenin Idriz Dizdari. Në fshatin Çepan të Skrapasit, ai torturoi Seit Çepanin, të birin e Asllan bej Çepanit, duke i prerë me sharrë të dy këmbët dhe duke e lënë të vdesë në agoni.

Nga mesi i korrikut 1944, Mehmet Shehu dogji fshatin e Tërnovës në afërsi të Dibrës, duke vrarë 130 gra e fëmijë. Më 5 gusht, në Kostenjë, në rajonin e Çemenikës, divizioni i tij masakroi 32 të pafajshëm, mes të cilëve edhe disa të porsalindur. Menjëherë pas Breneshit, në zonën e Zaranikës, ai vari në litar 18 persona, për t’u hakmarrë për vdekjen e një partizani. Shehu u sul në zonën e Matit, në lindje të Tiranës, ku në ditët e fundit të gushtit, pushkatoi dhe dogji 76 persona.

f.106

“Do të jeni të pamëshirshëm me reaksionarët…

Edhe kur fshtrat ju presin mirë juve duhet të gjurmoni reaksionarët dhe t’i ndëshkoni.” (Letër e Nako Spiros për Dali Ndreun)

f.130

“Nga robërit thuhet se janë dënuar dhe ekzekutuar 20 ballistë. Në Starovë thuhet se nuk kanë mbetur më shumë se 6-7 shtëpi. Ballistët janë tërhequr në drejtim të Podgonës…Mësohet se janë 260 robër dhe 100 të vrarë e të pjekur, pasi partizanët i dogjën të gjitha shtëpitë ku rezistohej, midis tyre edhe dy hotelet.”

((Letër e Stefan Dh. Grabockës pë Shtabin e Përgjithshëm të UN

f.144

Partizanët e kishin një kamp përqendrimi, ku të burgosurit bënin punë të detyruar, në Punëmirë të Korçës, qysh prej vjeshtës së vitit 1943.

f.146

Në një letër për Liri Gegën, e cila udhëtonte me divizionin I, Enver Hoxha thoshte se “kalimi juaj i shpejtë për në Veri do të ketë sukses për shkak se forcat armike gjenden në Jug akoma. Divizioni I nuk shkoi në ndjekje të armikut, por u nis drejt Veriut, për të vendosur pushtetin komunist. Në dokument jepen saktësisht urdhëra për ekzekutime, mobilizim të popullsisë, djegie shtëpish, grabitje pasurie (konfiskim), të klasifikuar edhe nga vetë komunistët si krime lufte.

f.157

Kur ishte kthyer nga Tirana, në konferencën e brigadës, Mehmet Shehu u kish thënë se ne kur të shkojmë në Veri do të marrim hakën, nuk do lemë shtëpi e njeri në këmbë..

f.188

Manush Myftiu raporton:

Populli i Matit nuk na priti me luftë, në Gurrë u përpoqëm me forca zogiste të komanduara nga Hafuz Hasa e Sal Llani dhe në Lis me xhandarë. Gjatë një përpjekje prej gati dy ditë me forca gjermane që vinin nga Gryka për në Lis, Kurdaria, sidomos lagjia Skënderaj, na goditi pas shpine, pasi na kish lajmëruar më parë se, po të luftonim me gjermanët, do të na godisnin.

Ne muarrën menjëherë masa dhe për “raprezalje” dogjëm lagjen dhe pushkatuam 15 veta që zumë nëpër shtëpia ose rrugëve të katundit.

f.189

Kadri Hazbiu ka deklaruar se dogji shtëpitë në fshatin Sinjë për “pasione krahinore”, si hakmarrje për veprimet e forcave të Halil Alisë (nga Dibra) në Vlorë, më 1943..

f.199

Nuri Huta ra në kontakt me jugosllavët në burgun e Tiranës, 1942-1943, ku mësoi edhe serbokroatishten. Pas burgut, doli partisan. Në nëntor 1944 u caktua në seksionin e personelit të Komandës së Përgjithshme të UNÇ. Në vitin 1945 u caktua z/shef i misionit ushtarak shqiptar në Beograd. Ai i ka dorëzuar Rankoviçit raportin e Plenumit të PKSH në Berat (23-27 nëntor 1944). Pastaj ka punuar në sektorin e propagandës. Vazhdonte t’u jepte jugosllavëve fshehurazi dokumente. Ai hodhi parrullën e preferuar asokohe: “Rruga e Shqipërisë për në Moskë kalon nga Beogradi”. U dënua si agjent jugosllav më 28 korrik 1948 me 10 vjet burg.

Më i shquar se agjent, Huta ishte edhe vrasës.

f.241

Torturat e përdorura nga partizanët janë përshkruar nga Xhelal Staravecka në traktet e tij. Ai ka qenë dëshmitar okular, komandant i batalionit II të brigadës I (më vonë dezertoi).

“Nga 13 të ekzekutuarit vetëm në dy munda të asistoja në torturat mizore. Marrim një djalë të gjatë, i shëndoshë, rreth 30 vjeç, ishte nga Devolli. Dushani (emisari jugosllav) e torturonte. Pasi e zhveshëm, e lamë vetëm në brekët, se kishim nevojë për rrobat e tij, që të vishnim ndonjë djalë të jezitit..

Filloi tortura, të 10 kopaçet uleshin e ngriheshin me një ritëm të rregullt mbi trupin e viktimës së mjerë, pa marrë parasysh se ku binin..Dushani këmbën e thyer ja rregullon prap në atë mënyrë, me një të goditur tjetër nja 20 cm më lart në kërci ja thyen prap. Nuk mjafton dhe ia heq brekët, me një spango të shëndoshë e lidh për koqesh dhe me një purtekë të shëndoshë fillon dhe e godit aq sa ato bëhen si ftonj të mëdhenj. Viktimës shpirti nuk i del: atëhere merr një thikë dhe duke ja çarë kërcin e mëngjër fillon me majën e thikës ta kruajë kockën lart e poshtë me një ritëm të rregullt derisa sa maja e thikës del në anën e poshtëme.

Ç’thua ti o Tahir Kadareja që, ndërsa viktima ulërinte e bërtiste ti kërdiseshe nga të qeshurit duke thënë: “bjeri, bjeri”. Viktima akoma qendron e gjallë dhe e fortë. Dushani jep urdhër t’i sjellin një litar me një copë dru të të shkurtër e të trashë sa llëra. Litarin ia vë në kokë duke kaluar përmes ballit mbi veshët e prapa kokës rreth e qark, pastaj kombinon drutë me litar dhe këtë e bie rrotull. Druri vinte rrotull, litari shtrëngohej, mishi dhe lëkura ju pre. Kocka po i ndrydhesh. Qepallat e syve të viktimës hapeshin me gishta dhe cingari i ndezur vihesh në dritën e syve, në thonjtë e gishtave të dorës së tij hynin gjilpërat dhe dilnin nga reza e ç’më thua ti, o partizan Ibrahim Hoxha nga Korça që duke bërë torturat me aq zell kujtonje se Dushani do të bënte Timoshenko?

A gënjëj unë? A po i bëj të pabëra këto? Viktima është akoma gjallë. Fol, o Tahir Kadareja, që s’je razi që këtë çikë frymë të fundit të kësaj viktime ta heqish duke i dhënë një plumb kokës: por akoma insiston për t’ja marrë me kopaçe?…Erdhi koha e fundit, viktima s’lëvizte më, jo se i kish rënë të fikët po se kishte dhënë jetën. Dushani heq koburen e tij dhe i jep dy plumba të ngrohtë në kufomën e ftohtë të viktimës që kishte vdekur nga torturat…

  1. 244

Mehmet Shehu urdhëron:

T’u digjen shtëpitë dhe t’u internohen familjet dhe në rast se kapen pas afatit, të pushkatohen pa gjyq….Kujt t’i kërkohet arma, të dorëzojë armën ose shpirtin.

  1. 250-253

Korparmatës 3:

Telegram i Enver Hoxhës, 10.2.1945

Miratohet ndëshkimi me vdekje i Don Lazër Shantosë dhe Sulçe Beg Bushatit. Na lajmëroni datën e ekzekutimit.

Në një dokument tjetër:

Aprovohen ndëshkimet me vdekje të (12) vetave dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme..Na njoftoni datën e ekzekutimit.

Përgjigje e Spiro Moisut për Mehmet Shehun, 19.2.1945:

Personat për internim i nisni këtu. Sulçe Beg Bushati dhe Don Lazër Shantoja u ekzekutuan.

f.260-261

Nga raporti i Mehmet Shehut për operacionin në Veri

Forcat tona hynë n të gjitha katundet ku nuk gjetën asnjë burrë në shtëpija, të gjithë ishin fshehur shpellave. Në thirrjen e parë për t’u kthyer në shtëpija nuk dëgjoi asnjë prej tyre të kthehej por kur panë se forcat tona u vunë zjarrin 4-5 shtëpive në Vukël, filluan të dorëzohen…Prenk Cali largoi nga shpella të gjithë të tjerët dhe mbajti vetëm 14 besnikë të tij. U kontrolluan të gjitha shpellat dhe nëpër to u gjetën shumë katundarë të fshehur nga frika.

Shpella ku ndodhej Prenk Cali u sulmua dhe këtij ju bë thirrje të njëpasnjëshme për dorëzim. Ai nuk dëgjoi dhe në luftën e shpellës na vrau një mitralier e plagosi 3 partizanë të tjerë. Më në fund, forcat tona sulmuan befas natën dhe muarën barrigatën e parë të shpellës madhështore që u qendronte si një kala e paprekshme me një lartësi të madhe. Pasi u muar barrigata e parë dhe Prenk Calit iu prenë të gjitha shpresat, dërguam priftin e Vuklit, për ta bindur që të dorëzohej. Më në fund, Prenk Cali u dorëzua me të gjithë besnikët e vet e tash ndodhet në burg….

Tani mund të themi se reaksioni në Kelmend është asgjësuar si forcë e organizuar. Në të gjithë Kelmendin janë djegur 30 shtëpi.

…Partizanët tanë kur gjetën kufomat e shokëve të masakruar barbarisht dhe kufomat e tyre të lëna mbi borë dhe që i kishin ngrënë qentë dhe bishat e egra, u revoltuan dhe dogjën një lagje të tërë të Rahovicës.

266- 269

Në grumbullimet e fundit implikohen vetëm Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Rjolli, Guri i Zi, Trikëndëshi dhe Leshi. Postriba dhe Dukagjini nuk janë përzier aspak, sado që aty kanë qarkulluar elementë dhe parrulla reaksionare.

… Në përgjithësi prefektura e Shkodrës e ka ndjerë grushtin e forcave tona me plot kuptimin e fjalës..

f.271

Përveç Dom Llazarit, Gjyqi ka dënuar dhe dy priftërinj të tjerë me vdekje, Dom Ndre Zadejën dhe priftin e Berishës (Pukë).

f.288

Kelmendi, vend malësor, ka qenë i vetmi vend që nuk pat njohur aspak lëvizjen tonë. Forcat tona nuk kanë bërë veç një kalim të shpejtë dhe demonstrativ në këtë krahinë. Kjo krahinë ka qenë gjithmonë nën influencën e reaksionit, që ndihmoheshin edhe nga antagonizmat kombëtare midis malazezëve dhe shqiptarëve, që ata vetë i përhapnin edhe më tepër.

Pasi ishte i vetmi vend deri në fillimin e operacionit, i pashkeluar nga forcat tona, këtu mbeturinat e reaksionit filluan të grumbulloheshin dhe të organizoheshin. Në luftimet kundër forcave tona mund të thuhet se gjithë populli i asaj krahine ka marrë pjesë. Populli i gjakosur që ditët e para me forcat tona, në Brojë dhe Ura e Tamarës, i shtitur edhe nga Prenk Cali e gjithë parija e vendit u hodh edhe ma tepër kundra nesh.

Hyrja e forcave tona në Kelmend nga vende të papritura prej tyre, përhapi ndër reaksionarët dhe gjithë popullin panikun, kështu që çdo rezistencë u shua me të parë dhe gjithkush u largua për të shpëtuar vetveten. Të gjithë meshkujt e Kelmendit, e sidomos ata të katundeve Brojë e Rahovicë ishin larguar prej familjeve të tyre..

(nga Raporti i Mihal Priftit për Korparmatën 3, 21 shkurt 1945)

f.306

Urdhër i Mehmet Shehut për operacionin në Koplik

Duhen mbledhë armët..Në se ndokush gënjen duke deklaruar vetëm një armë ose nuk deklaron kurrgjë dhe armët i fsheh, karshi tij duhet të merren masa ekstreme, dmth të pushkatohet në vend pa gjyq.

f.311

Gati dy vjet pas luftës, regjimi komunist vazhdonte të ekzekutonte pa gjyq dhe të digjte shtëpi. Viktimat s’i quante më “reaksionarë” por kriminelë. Ata në fakt ishin kundërshtarë politikë dhe këtë e specifikojnë edhe vetë komunistët në raportet e tyre. Lista e të ekzekutuarve sqaron se 5 persona janë vrarë gjatë luftimeve, ndërsa 12 janë ekzekutuar (pa gjyq). Fillimisht të ekzekutuarit janë kapur rob, pastaj janë vrarë.

Lista e shtëpive të djegura tregon se krimet e luftës vazhdonin.

f.316-319

 

PKSH dhe UNÇ ishin e njëjta gjë. Në dokumente të këtij libri e kemi parë së komandantët partizanë ia drejtojnë raportet KQ të PKSH, ose KQ u jep urdhëra komandantëve partizanë.

..Nga spastrimet e “reaksionarëve”  në Shqipërinë e Jugut, të Mesme dhe Verilindore, gjatë periudhës gusht 1943- nëntor 1944, të cilat i bënte UNÇ, gjatë dimrit 1944-1945 u kalua në spastrimin e “reaksionarëve” të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Kelmendit etj.

Në të dyja periudhat dhe në të gjitha vendet, partizanët nuk reshtën së bëri të njëjtat gjëra: vrasje, burgosje, internime njerëzish, djegie shtëpish, plaçkitje pronash, etj. Gjatë vitit 1945 komunistët nuk mund të pretendonin që ishin duke luftuar pushtuesin, sepse në Shqipëri s’kishte asnjë ushtar gjerman.

Ashtu si UNÇ, PKSH vijoi të punonte me mentalitetin e luftës dhe shumë vite më vonë pasi ajo kishte mbaruar. Dallimi mes ekzekutimit të Zef Ndojës (1943) dhe ekzekutimit të 22 vetëve më 26 shkurt 1951, ishte numri i viktimave. Të dyja palët u dënuan me vdekje nga politika totalitare.

Përfundimi është i qartë: PKSH dhe UNÇ ishin dy organizata me karakter të qartë terrorist, të cilat punuan për marrjen e pushtetit me dhunë dhe, pasi e morën, vazhduan veprimtarinë kriminale të tyre deri ditën e fundit të regjimit totalitar që instaluan në Shqipëri.