Të njohim historinë e paraardhësve Cilët ishin dhe mbeten arbëreshët?

Aleksiada e Anna Komnenës paraqet një interes të veçantë për neve, mbasi atje përmenden shqipëtarët për herë e parë me emnin Albanez, që përdoret edhe sot në botën e jashtëme. Ky emen e ka burimin në kohët ma të lashta. Plotolomeu përmend në “Gjeografinë” e tij se Albanezët ose Arvanët, ishin një fis Ilrian që kishin si kryeqendër qytetin Albanopolis, pozita gjeografike e të cilit nuk asht gjetë deri më sot. Disa historianë mendojnë se ka qenë Kruja e sotme, por kjo teori nuk asht provue akoma. Në shek. X-të burimet bizantine quanin – Arvanon, tokat që ndodheshin në mes të Shkodrës dhe Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit. Shqipëtarët vetë përdornin emnin Arbëni dhe Arbëreshë në kohën mesjetare. Shqipëtarët e Italisë e kan ruejt deri më sot emnin Arbëneshë. Për arsye dhe rrethana (ende të panjohuna) Arbënisë kan fillue me i thanë Shqipëni. Ndër bizantologët modernë, Rusi, – A. Vasiliev shkruan: “Emni Albanez u përdor për herë të parë në shek. XI-të nga autorët bizantinë për të dallue popullin e Shqipnisë së sotme. Ma vonë në epokën mesjetare Albanezët ranë nën sundimin e Karlit të dinastisë Angjevine, i cili mori titullin: “me mëshirë të zotit, Mbret i Siçilisë dhe i Albanisë”. Mbretnija e Siçiljes dhe Napolit, e cila u themelua nga trashigimtarët normanë të Robert Guiscardit, u pushtue në shek. XIII-të nga Karli Anjou (Auzhu), vëllai i mbretit të Francës, – Louis i IX-të. Tue ndjekë gjurmët e themeluesve të tjerë t’asaj mbretnie, Karli sulmoi brigjet lindore t’Adriatikut dhe zaptoi Durrësin dhe disa pika të fortifikueme t’asaj zone. Despoti i Epirit, i cili sundonte Shqipninë n’atë kohë, u betue si vasal i Mbretit të Napolit dhe Siçiljes. At’herë, Karli muer titullin Mbret i Shqipnisë. “Kur jetshkrimi dhe veprat e Karlit, – shkruen një historian Italian, – të jenë studiue ma mirë, ai do të dali në shesh si iniciator i parë i vetëqeverimit politik të Kombit Shqiptar”. Ref. (Garabellese – “Karlo d’Angia XI”, citue nga Vasilievi, fq. 595).

Gjejmë rastin me folë edhe mbi fatin e Kishës Kristiane në Shqipni, para dhe mbas ndarjes qëu vertetue në shekullin e X-të në mes të Romës dhe Bizantit. Mbas rrebeshit të invazioneve sllave, struktura kishtare u riorganizue atje ku ishte e mundun, dhe u riformue me baza të reja atje ku ishte shkatërrue krejtësisht. Durrësi vazhdoi me qenë selija e metropolitit të Epirit të Ri. (Epirus Nova) dhe Kathedralja kishte shpëtue pa dam mbas dyndjeve të shek. VII-të. Kryepeshkopata Katolike e Tivarit u rithemelue në shek. e IX-të si Peshkopatë dhe u mvar nga Patriku i Bizantit. Peshkopata e Shkodrës mvarej prej Selisë Arkipeskopale të Dioklesë. Përgjithsisht Kisha Kristiane në Shqipni ndoqi relatat në mes të Kishës së Romës dhe asaj të Bizantit. Deri në mesin e shek. të VIII-të, Dioqezat Kishtare t’Ilirisë mvareshin nga Selija Katolike e Romës. Historiani Francez i Krishtërimit, L. Duchesne, i cili ka studiue veçanërisht zhvillimin e Kishës Kristiane në Iliri qysh prej kohës së Justinianit, cakton korespondencën, (citon korespondencën) e Papës Shën Grigor i Madh (590-604) si provë se ai vetë ishte shefi spirtual i provincave Iliriane. Në vitin 597, Papa Shën Gregor i dërgon një letër qarkore Peshkopëve të provincave Iliriane mbi dorzimin e ushtarve si priften dhe pranimin e tyne si murgjë nëpër kuvendet. Kjo letër iu asht drejtue, mes të tjerëve, Metropolive të Selanikut, Durrësit, Nikopolit, Justiniana Primas dhe Shkodrës. Në letër përmenden me emna provincat e Perandorisë që mvaren nga autoriteti Kishtar i Papës. Maqedonia, Epiri i Vjetër dhe Epiri i Ri përbajnë Dioqezin e Jugut, që përfshin Ilirinë Lindore. Shkodra si qendër Peskopale e Prevalitanës, dhe Justiniana Prima, si Arkipeskopatë e Dardhanisë, bajnë pjesë të Dioqezës së Veriut që përfshinë Ilirinë Perëndimore. Duhet theksue se në atë kohë Metropolitët ose Peshkopët nuk dorzoheshin drejtpërdrejt nga Papa, autoriteti suprem i të cilit simbolizohej me dërgimin e emblemës Romake “Pallium”. Ndryshimi i thellë në mes të Romës dhe të Bizantit përsa i përket veprimtarisë së Kishës Kristiane mbas ndarjes politike në fund të shek. IV-tërt, asht se në botën bizantine kisha ortodokse iu nënshtrue gjithnjë e ma tepër pushtetit politik të Perandorëve dhe ma në fund u ba vegla e tyne, tue bjerrë gjithnjë pjesën ma të madhe të prestigjit të sajë moral. Tue fillue nga Justiniani i Madh, Perandorët e Bizantit përdorën misionarët për të përhapë krishtërimin në mes të Serbëve, Bullgarve dhe popujve barbarë të tjerë, që ishin vendosë në tokat e Perandorisë. Në fillim, kjo ishte një masë përparimtare mbasi një fe e përbashkët shërbeu për një kohë të gjatë si një faktor bashkues në një shtet që përbahej nga shum popuj që ishin prej origjine dhe që flisnin gjuhë të ndryshme. Me kalimin e kohës sovranët e mbretnive Serbe, Bullgare dhe Hungareze, që ishin ba të krishtenë dhe kishin marrë një bazë kulture bizantine, formuen ambicjen me u kunorzue vetë si Perandorë në Katedralen e Shën – Sofisë. Nga ky shkak Perandorija Bizantine ishte në luftë gadi të përhershme kundër njenës apo tjetrës nga këto mbretni. Fati i Kishës në tokat shqiptare që kishin shpëtue nga invaduesit barbar u mvar në çdo fazë të epokës mesjetare nga peripecitë e luftës në mes të Bizantit dhe të popujve që orvateshin me e zaptue. Prirja, thuajse instiktive e shqiptarve ishte me u bashkue me Kishën e Romës, kurdoherë që kishin rastin e volitshëm. Kjo vazhdoi deri në shekullin XV-të kur Turqit duelën në Ballkan. “Nuk mundë të mohohet fakti që Arbëria gjatë shekujve ka pësue luhatje mes Lindjes  dhe Perëndimit. Gjithashtu nuk mund të mohohet fakti se, të dyja kulturat kan qenë dhe mbeten të disponueshme pavarësisht prirjeve të sotme Euro – Perëndimore të cilat “artikulohen” ma shum nga politika se sa nga realiteti” (M.B.) Ky mendim (personal i imi) asht real dhe mjaft i prekshëm në pjesën dërrmuese të shtresave të popullsisë.

Jam i mendimit se, ne shqiptarët përgjithësisht jemi të prirun të duam, apo të urrejmë me pasion disi të pakontrolluem, dhe kjo reflektohet edhe në ditët tona. Trashigojmë mernenarizmin, madje mercenarët që u shërbyen pushtuesve, shpesh herë i bajnë heroj!

Do ta ilustroj mendimin tim me një shembull konkret: Dihet prej të gjithëve se, latifondistët shqipëtarë, u shpërblyen nga pushtuesit osmanë, me tokat e Arbëreshëve që migruan në Italinë e Jugut, dhe të atyne që muarën malet, për të ruajtur besimin dhe krenarinë nacionale. Janë pikërisht pinjollët e bejlerëve dhe pashallarëve shqiptarë, ata të cilët i vendosën kunorën Mbretnore, Viktor Emanuelit, kur dihet mirëfilli se fashizmi Italian erdhi si pushtues, dhe jo si mik apo si “turist”. Janë këto kontigjente që na e sollën komunizmin dhe internacionalizmin proletar. Globalizmi, me Internacionalizmin ngjasojnë si dy “vllezërit” Siamez…

Internacionalizmi tek ne, shprehte mbylljen hermetike, dhe një edukim ideologjik absurd. Ndërsa sot, brezi i ri, ma shum po humbë se po fiton. Vrejmë me keqardhje prirjet për një çthurje, dhe kjo në emen të Globalizmit “modernist”. Hyrja e Shqipërisë në NATO, asht vërtetë një fitore, por pompoziteti që i ban politika shqipëtare, ban efekt të kundërt, sepse më quan tepër të privilegjuar, ndërsa unë mendoj se, ky eveniment duhet parë ma tepër, si përgjegjësi sesa si privilegj. Ishim në Traktatin e Varshavës, u larguam që në vitin 1968 (zyrtarisht) askush nuk erdhi me na pushtue, përkundrazi, sapo u hapën kufijt, ne “pushtuam” botën. Që t’i kthehemi krenarisë së Arbërit, dhe Kastriotizmit, duhet t’iu rikthehemi vlerave të traditës duke i kombinuar me kohën, por gjithnjë mbrenda moralit Arbënor.

N’Europë nuk po shkojmë sot, aty jemi qysh se u krijue kjo tokë, por në këtë Kontinent, kemi veçoritë tona specifike, të cilat na dallojnë nga të tjerët. Europës do t’i marrim gjithçka që përputhet me ne. Në të kundërt nuk do të ekzistojmë si NACIONALITET. Atje ku flitet për të drejtat e Njeriut dhe ku neve aspirojmë të bahemi pjesë integrale e saj, po në këtë Europë po shfaqet anti-njeriu. A ka akt ma të shëmtuem se sa martesa e mashkullit me mashkull? Akti ma banal dhe ma i turpshëm, anti – Zot! “Nudot” janë shfaqja ma banale dhe ma primitive. Pra, Europa shpesh herë duhet t’i referohet moralit tonë dhe ta përdorë si një MODEL mjaft pozitiv.

Mark Bregu

Leave a Reply