TE ARSYETOSH ARTISTIKISHT- Kumtim rreth debateve për përjetësoren monumentale të Pjetër Arbnorit

Nga Albert Vataj

Si njohës i artit, çfarë mendimi keni për bustin e Pjetër Arbnorit, i cili është vendosur para sallës së Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë në përkujtim të krytarit të parë pluralist të këtij institucioni? më tha një kolegu im.

Kryevepër, i’a prita flakë për flakë?

Jeni në dijeni mbi sulmet dhe debatet e shumta që kanë anatemuar atë? Përshkitaz kam dëgjuar diçka, i thash, por pa i dhënë ato nota alarmi në të cilat gojimi në rrjetet sociale kishin “kryqëzuar” autorin e kësaj pune. Një rast të ngjashëm ka qenë 17 vite më parë, i thash, kur skulptori Pjerin Kolnikaj realizoi veprën monumentale kushtuar At Gjergj Fishtës, inauguruar fundtetorin e vitit 2001 në Shkodër me rastin e 130-vjetorit të lindjes së “Homerit shqiptar”.

Në pamje të parë të jepte përshtypjen e një mali mermeri në miniaturë. Realisht mjeshtri kishte realizuar një kryevepër, e cila sa herë që e vështron, një kuptimi të ri i rroket, një nevoje të ndryshtë përjetimi të përfshin. Ajo ishte ideuar me pllaka mermeri të rënditura shkujdesur mbi njëra-tjetrën si një stivë me libra ku shpërthen vërshues një fytyrë. Sakaq dallohet sqim se si një pjesë e trupit të tij del nga shkëmbi dhe në dorën e djathtë mban një libër.

Turlilloj folklorizmash dhe pathosi jargavitës nacionalist shpërtheu. Teori konspiracioni dhe qëllimsi dashakeqe u stisën, si e si për të denigruar artin, duke akuzuar atë se po i hynte në hak Fishtës. Në fund të fundit, si atëherë me veprën kushtuar Fishtës edhe sot me këtë punë shumë dinjitoze kushtuar Pjetër Arbnorit, njerëzia kishte dhe ka të drejtë të ketë një përshtypje për një vepër arti, ngase arti është komunikim, është marrëdhënie, është kontakt, ai është gjithçka që ne kemi nevojë të shohim, kuptojmë, ndjejmë dhe përçojmë. Askush nuk është fajtor nëse ka një përshtypje e cila nuk përkon me mendimin e dikujt tjetër, ose atakon deri në fyrje ndaj vetë artit dhe misionit që mëton ai.

Fakti se ka më shumë nga ata që kanë përshtypje negative dhe e shohim me rezerva këtë vepër, nuk do të thotë kryekëput se ata kanë të drejtë, sikurse një gjuhë më e moderuar dhe një komunikim më fin i bën më mirë bashkëbisedimit për artin. Kur flasim për art ne duhet të dëgjojmë zërin e arsyes artistike dhe jo të hidhemi frelëshuar me përkufizime dhe epitete, sharje dhe baltosje të artistit dhe veprës.

Ne jemi mësuar që ëndjen tonë ta dehi parakalimi prej metali dhe shkëmbi i historisë dhe idilit politik përmes figurave të hiperbolizuara të atyre që artistët i jetësuan në vepër skulpturore, jo saktësisht siç ato ishin, shumë herë më të hijshëm, më pompoz dhe më shprehës në madhështinë dhe domonimin e tyre. Kjo sepse ne kishim nevojë për ta. Ishim të etur që ëndja jonë të ndjehej e magjepsur para skulpturave të tyre shumë më shumë se para veprës që i përfaqëson ata. Një histori e skalitur në shkëmb dhe e derdhur në metal është një histori i rishkruar, një nevojë për ta ngulitur në ndërgjegjen e përgjithmonshme idhujtarinë e tyre si gjithçka. Nën madhështinë dhe peshën e tyre ne ishim dhe duhet të jemi të vegjël. Por a kemi nevojë të kuptojmë dhe të ndjejmë duke komunikuar përmes artit, artistikisht