Të 3.4 milionë eurot që tregojnë përmasat e frikshme të ekonomisë kriminale shqiptare

Kapja nga policia e 3.4 milionë eurove të krimit në Durrës, rrjedha e çuditshme e ngjarjeve nga denoncimi i Bashës në kuvend dhe hetimi i dobët i deritanishëm në gjetjen e strukturës kriminale pas këtij “riatdhesimi fitimesh” janë një tregues i fortë i përmasave të frikshme të ekonomisë kriminale në jetët e shqiptarëve.

Autor: Gjergj Erebara  BIRN  Tiranë

Kapja e 3.4 milionë eurove të krimit në Durrës ofroi një mundësi të mirë për të hedhur batuta lartë e poshtë, nga shqiptarët e zakonshëm si dhe nga politikanët. Ka shumë për t’u eksituar nga një ngjarje e tillë. Por ka edhe një anë të frikshme. Përmasat e ngjarjes si dhe logjika që sugjeron se kjo nuk ishte rruga e parë e dështuar e një organizate kriminale për riatdhesimin e fitimeve të krimit në Shqipëri dhe as rruga e vetme. Riatdhesimi i shumave të tilla sugjeron gjithashtu se Shqipëria mund të jetë kthyer në një vend konkurrues me parajsat fiskale në aktivitetin e pastrimit të parave. Gjuha prej gagaçi e deklaratës së policisë shqiptare mbi ngjarjen dhe ngurrimi për t’i vënë një emër grupit kriminal të cilit dyshohet se i përkasin paratë janë tregues të nivelit të kapjes së shtetit nga krimi.

Le ta fillojmë me disa koncepte ekonomike:

  1. Pastrimi i parave është krijimi i një aktiviteti ekonomik të ligjshëm ku deklarohen fitime të paqena për të fshehur burimin e vërtetë të parave të pista. Kjo do të thotë se importimi i 3.4 milionë eurove në Shqipëri vështirë se ka pasur për synim financimin e jetesës së luksit të organizatës kriminale në Shqipëri. Këtu te ne nuk ke se si të shpenzosh 3.4 milionë euro për luks. Kjo shumë parash sugjeron se organizata kriminale në fjalë duhet të ketë aktivitete ekonomike të ligjshme krahas aktiviteteve të paligjshme. Dhe aktivitetet e ligjshme janë më të lehta për t’u identifikuar nga agjencitë ligjzbatuese se sa ato të paligjshme. Nëse dëshiron të pastrosh 50 mijë apo 100 mijë euro, një kafene apo një restorant me gjasa mjafton. Nëse dëshiron të pastrosh 3.4 milionë euro, një biznes i vogël nuk mjafton. Kërkohet një biznes më i madh, p.sh., ndonjë firmë ndërtimi.
  2. Kur je kriminel dhe ke fituar 3.4 milionë euro në aktivitete të paligjshme në Europë, nuk është e logjikshme që t’i transferosh të gjitha këto fitime në vetëm një rrugë me dy makina. Logjikisht bën mirë t’i ndash në 10 ngarkesa, në mënyrë që nëse policia të kap njërën ngarkesë, të të shpëtojnë nëntë të tjerat. Parimi i diversifikimit të portofolit, para se të jetë koncept në financë, është një zgjedhje instiktive e çdokujt që merret me biznes, dhe veçanërisht atyre që merren me biznes kriminal, të cilët e kanë sensin e rrezikut shumë më të lartë se sa të tjerët. Kjo tregon se 3.4 milionë eurot ndoshta nuk janë një shumë e transferuar vetëm një herë, por kjo ishte rruga e rradhës e organizatës kriminale në fjalë.
  3. Të 3.4 milionë eurot përbëjnë ekujvalentin e “fitimit neto” të një kompanie. Ato janë shuma që kthehet në Shqipëri pasi janë hequr shpenzimet e aktivitetit kriminal në vendet e BE-së. Si e tillë, ato përbëjnë vetëm një pjesë të përmasave të xhiros së këtij aktiviteti kriminal.
  4. Plot 3.4 milionë euro janë të vështira për t’i fituar edhe nëse merresh me aktivitete të jashtëligjshme. Nëse shet marijuanë nëpër rrugët e Europës me çmimin 5 apo 10 euro për gram, të duhet të shesësh tonelata për të nxjerrë fitime neto në masën 3.4 milionë euro. Është një supozim i arsyeshëm se këtu nuk kemi të bëjmë me eksportin e kanabisit, por me rieksportin e drogave të forta. Por edhe në rastin e drogave të forta, sërish sasia duhet të jetë e konsiderueshme për të nxjerrë shuma të tilla.
  5. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg për të parandaluar forcimin e lekut dhe pasojat destabilizuese që ka ky forcim në ekonomi. Disa mund të ankohen se edhe pas ndërhyrjes së shpallur më 6 qershor, leku ka vijuar të qëndrojë i fortë, por nëse përmasat e parave të pista të hyra në Shqipëri janë të tilla, dukshëm Banka e Shqipërisë është e pafuqishme për të ndjekur një politikë të vlefshme. Të ndërhysh në treg për të blerë paratë e pista të eksportuesve të kanabisit është një gjë. Të ndërhysh për të blerë shuma të tilla rrezikon që ndërhyrja të jetë po aq destabilizuese sa edhe vetë forcimi i lekut. Banka e Shqipërisë mund të trajtojë fenomene të natyrës monetare, nuk është në gjendje të trajtojë kriminalizimin total të ekonomisë. Kjo është një punë që i përket policisë dhe prokurorisë.
  6. Kursi i këmbimit është një nga treguesit më të qëndrueshëm në çfarëdolloj ekonomie. Forcimi i lekut me mbi 10% në një periudhë të shkurtër nuk tregon thjeshtë pak miliona euro krimi në ekonomi. Ka gjasa që reflekton vlerën e dhjetëramiliona apo qindramiliona eurove. Kjo është e thjeshtë. Nëse një sasi eurosh të pista hyn në Shqipëri, një pjesë e madhe e tyre dalin nga Shqipëria në formën e importeve të, fjala vjen, makina apo veshje luksi për trafikantët, materjale ndërtimi për pallatet etj. Nëse 100 euro të tilla hyjnë në ekonomi, një pjesë e vogël e tyre është ajo që realisht ka efekt në kurs ndërsa pjesa më e madhe dalin sërish si importe. Që leku të forcohet në përmasa të tilla dhe në mënyrë të vazhdueshme, kjo tregon se paratë e pista janë të mëdha nga njëra anë dhe fluks i qëndrueshëm nga ana tjetër.

Megjithëse policia ka shpallur operacionin e saj me emër bombastik “forca e ligjit”, asnjë operacion i përshtatshëm për identifikimin edhe shkatërrimin e strukturës kriminale përgjegjëse për 3.4 milionë euro të transportuara me një dorë, apo ndonjë strukture kriminale të ngjashme, nuk është raportuar deri më sot. Ashtu si në rastin e Lazaratit, kur pas shkatërrimit të drogës nuk pati sekuestrime të pasurive të vëna nga ky aktivitet dhe as ndonjë përpjekje serioze për identifikimin e përfituesve, edhe në rastin e kapjes së mbi 600 kileve kokainë pak muaj më parë duket se ngjarjet po harrohen me kaq.

Shqipëria është bërë sakaq një vend ku ekonomia kriminale funksionon paralelisht me ekonominë normale. Gjasat janë që kjo ekonomi kriminale po shkatërron edhe atë pak ekonomi normale. Nuk është çudi që shqiptarët po bëjnë çdo përpjekje për të ikur, pavarësisht nëse kanë qenë të suksesshëm apo jo në Shqipëri. Nuk është e mundur të jetohet në komshillëk me krimin. Është koha për të treguar forcën reale të ligjit dhe jo vetëm atë propagandistike.

Këshilli Europian në vendimin e vet për shtyrjen e negociatave më 26 qershor, theksoi mes të tjerash nevojën që për Shqipërinë, mbetet “një sfidë e rëndësishme çmontimi i strukturave të krimit të organizuar”. Kjo është një frazë që nuk para është shfaqur në dokumentet e mëparshme të integrimit dhe që thekson se strukturat e krimit të organizuar jo vetëm që duhet të luftohen, por ato duhet të çmontohen. Është një proces që nënkupton jo vetëm kapjen e një sasie droge apo një sasie parash, por hetimin proaktiv të të gjithë strukturave kriminale, identifikimin e personave kyçë, infrastrukturës së tyre financiare dhe, me raste edhe të strukturës së mbështetjes në forcat politike të vendit dhe goditjen e tyre tërësore, arrestime, dënime, sekuestrime dhe konfiskime të pasurive, goditje të lidhjeve politike dhe eliminimit tërësor të tyre. Kjo kërkon shumë më tepër se sa kapjen e 3.4 milionë eurove.

Gjergj Erebara
RRETH AUTORIT

Gjergj Erebara

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.