Takimi Rama-Basha, SHBA dhe BE, zhgënjim për dështimin e tryezës për drejtësinë

Deklaratë e ambasadës amerikane: Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Deklaratë dhe nga ambasadat e vendeve të BE-së: Propozimi aktual legjislativ, përputhet plotësisht me standartet evropiane

Në Shqipëri ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehur sot “zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi”

Deklarata e ambasadës thekson se “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë, prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit”. Më tej deklarata vë në dukje se “do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”.

Ambasada i bën më pas një përshkrim të shkurtër procesit që ka ndjekur Reforma në Drejtësi. “Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje”. Ambasada rithekson se “kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara” duke saktësuar se ato “do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”.

Keqardhje për dështimin e takimit Rama-Basha, shprehur sot dhe delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë. Në deklaratën e tyre theksohet se “ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv”.