Takimi Papa Françesku-Putin. Imzot Pezzi: është shenjë dialogu

Intervistë me kryeipeshkvin e Moskës, para takimit të 4 korrikut ndërmjet Papës dhe presidentit rus në Vatikan. “Ndër temat, që do të diskutohen, nuk mund të mungojnë mbrojtja e paqes dhe e gjithësisë” – pohon imzot Pezzi. A do të ftohet Papa në Moskë? “Do të dëshironim, por nuk mendoj se është në rendin e ditës së Putinit. Duhet konsensusi i Kishës Ortodokse”.

R.SH. – Vatikan

Më 4 korrik, pra të enjten, Papa Françesku do të presë në Vatikan presidentin rus Vladimir Putin. Në një koment, para kësaj ngjarjeje të rëndësishme, kryeipeshkvi metropolit i kryedioqezës moskovite të Nënës së Zotit dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Federatës Ruse, imzot Paolo Pezzi, tregohet entuziast për këtë takim. “Është vazhdim i dialogut, që ka filluar shumë kohë më parë. Megjithëse nuk i njoh temat e takimit, mund ta imagjinoj se në tryezën e bisedimeve nuk do të mungojnë argumentet e dashura për Atin e Shenjtë: arritja e paqes, mbrojtja e shtëpisë sonë të përbashkët, ruajtja e gjithësisë”, hipotizon prelati. Eshtë hera e tretë që Papa takohet me presidentin rus: herën e parë, Putin erdhi në Vatikan më 25 nëntor 2013, të dytën, më pak se dy vjet më vonë, më 10 qershor 2015. Selia e Shenjtë dhe Federata Ruse rilidhën marrëdhëniet e plota diplomatike në vitin 2009, pasi kishin filluar shkëmbimet që më 1990.

Imzot Pezzi, s’ka dyshim se, duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë aktuale të botës, tematika si paqja nuk do të mungojnë ndër temat e bisedës së Papës me presidentin Putin…

Sigurisht. E dimë mirë se Rusia është komb thelbësor për paqen, që mund ta mundësojë arritjen e një qëllimi kaq të rëndësishëm. Pastaj, Papa është shumë i interesuar për pajtimin e popujve. E ka përsëritur shpesh këtë.

A është e mundur që presidenti Putin, gjatë këtij takimi, ta ftojë Papën në Rusi?

Personalisht mendoj se kjo është e dëshirueshme. Por nuk besoj se bën pjesë ndër ndjetet e Vladimir Putinit. Për Papën Françesku është e rëndësishme që ftesa formale të bëhet nga pushteti politik i një kombi të caktuar. Por, mbi të gjitha, duhet që realiteti fetar i atij vendi të jetë i interesuar ta ftojë Papën. Deri tani, më duket se nga ana e Kishës Ortodokse në Rusi – elementi më i rëndësishëm fetar i atij vendi – nuk ka ftesë zyrtare . Pra, mendoj se presidenti rus nuk mund të ndërmarrë një hap të tillë me vullnetin e tij, pa u mbështetur qartë nga Kisha Ortodokse.