TAKIMI I HOMOLOGEVE/ Adriatik Llalla-Mehmet Akarca: Marrëveshje për hetime të përbashkëta me Turqinë

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim me homologun e tij turk, Mehmet Akarca, me të cilin ka diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve respektive.

Nga ana e tij, kreu i organit të akuzës shqiptare i sugjeroi homologut të tij turk mundësinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila sipas tij, do t’i shërbejë shkëmbimit në kohë reale të të dhënave hetimore për çështje me interes të përbashkët.

Kurse kryeprokurori turk theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, nisur sipas tij, nga rreziku i përhapjes së terrorizmit në Ballkan e në Europë.

Gjithashtu, ai kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet turke kanë dyshime se strehohen në vendin tonë.