SULMI TERRORIST NE MANCHESTER/ Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit me 22 të vrarë, 60 të plagosur

Terrorizmi goditi sërish në mënyrën e tij më mizore, me një çmenduri të shtyrë nga dëshira për të vrarë sa më shumë perëndimorë, e në shënjestër vuri të rinjtë e mbledhur në koncertin e Ariana Grande në Manchester, mbrëmjen e së hënës. Mes 22 viktimave të shpërthimit të fuqishëm, që tronditi qytetin britanik, kishte edhe fëmijë. Tashmë nuk ka dyshime se sulmi, që këputi në mes shumë jetë të reja e plagosi 59 persona, ka sfond terrorist.
“Ky po trajtohet si incident terrorist. Besojmë se sulmi është kryer nga një person, i cili mund ta konfirmoj se vdiq në vendngjarje. Prioriteti ynë tani është të përcaktojmë nëse ka vepruar i vetëm, apo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë”, tha Ian Hopkins, shef policie në Manchester.
Nga “Downing Street”, kryeministrja Theresa May deklaroi se zyrtarët e sigurisë mendojnë se e njohin identitetin e kamikazit dhe se po përpiqen të shohin nëse ka bashkëpunëtorë. “Ky është një prej akteve më të rënda terroriste që kemi përjetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti ra viktimë e një veprimi të pashpirt”, tha Theresa May. BBC njoftoi se Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, me një deklaratë të lëshuar në aplikacionin e mesazheve “Telegram”. Përkrahësit e ISIS-it kishin nisur, ndërkohë, të festonin në rrjetet sociale. Shënjestra e sulmit u bë “Manchester Arena”, vendi ku sapo ishte mbyllur koncerti i këngëtares së “Pop”-it. Një pjesë e viktimave janë vajza, adhuruese të 23-vjeçares amerikane. “Një zhurmë e tmerrshme, e pastaj pashë tymin të ngjitej lart mes shkallëve”, tha për CNN një vajzë, e cila ndodhej aty në momentin e shpërthimit. “Të gjithë bërtisnin me të madhe e thonin se mund të ishte një bombë”.
Mes lotësh, vajza tregon pastaj sesi kishte parë të shtrirë trupa të pajetë, e vendin e mbushur me gjak. Të tjerë rrëfejnë sesi ajo bombë goditi aty ku kanë synuar edhe akte të mëparshme të kësaj natyre, në vende të tjera europiane: te ndjenja e qetësisë dhe e sigurisë. “Ne ishim në anën tjetër të vendit, ku besoj se ndodhi shpërthimi. Ariana Grande sapo kishte përfunduar këngën e saj të fundit dhe në ajër ishin lëshuar balona me helium. Pikërisht në atë moment dëgjuam shpërthimin dhe u kthyem e pamë të tmerruar njëri-tjetrin, sikur donim të thoshim: Jo, jo, nuk është ajo që shohim gjatë të gjithë kohës nëpër lajme. Nuk mund të na ndodhë neve”, tha Kennedy.
Bomba e shpërthyer nga atentatori vetëvrasës besohet të ketë qenë artizanale. Dëshmitaret okularë thonë se kanë parë në tokë gozhda e bulona metalike. Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse një pjesë e të lënduarve kanë plagë në këmbë. Një prej të mbijetuarve, 17-vjeçari Kieron Ferries i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se, askush nuk ia kishte kontrolluar çantat e shpinës përpara hyrjes në koncert. “Nuk na bënë asnjë kontroll, kur hymë në vendin ku u mbajt koncerti. Edhe shokët që takuam pas ngjarjes, na thanë se nuk i kishte kontrolluar njeri. Unë i frekuentoj shpesh shfaqje të tilla dhe jam mësuar që, për arsye sigurie, çantat të na verifikoheshin”, tha Kieron Ferries, dëshmitar okular. Shpërthimi ndodhi në kohën që të rinjtë kishin nisur të largoheshin nga auditoriumi gjigant, momenti kur kontrollet e sigurisë ishin në realitet më të dobëta. Hetimi iu besua njësisë “North West” të Antiterrorizmit, por nga Londra, gjatë natës janë dërguar edhe përforcime nga “Scotland Yard”. Në rrëmujën e krijuar pas sulmit, disa fëmijë janë ndarë nga prindërit e tyre dhe ende nuk janë bashkuar. Një zëdhënës i kantautores Grande, ndërkohë, tha se ajo është mirë, por e “shkatërruar” nga lajmi. Ndalesa në Manchester ishte pjesë e turit botëror të artistes 23-vjeçare, që po promovon albumin e tretë të saj, “Dangerous woman”. Pas shpërthimit, në Britaninë që i afrohet zgjedhjeve lokale të 8 qershorit, u vendos pezullimi i fushatës elektorale. Policia britanike konfirmoi më herët, përmes një mesazhi në “Twitter”, arrestimin e një 23-vjeçari në lidhje me sulmin.

Në një tjetër zhvillim, qendra tregtare “Arndale” e qytetit u evakuua pas gjetjes së një pakoje të dyshimtë. Nga e gjithë bota pati reagime pas ngjarjes së rëndë, që shtyu Theresa Mayn të paralajmërojë mundësinë e atentateve të tjera. Një minutë heshtjeje u mbajt në Festivalin e Filmit në Kanë, në nder të viktimave, e flamujt u ulën në gjysmështizë. Kancelarja Angela Merkel tha se, Gjermania qëndron në krah të Britanisë e u zotua të godasë terrorizmin. Ngushëllime për viktimat kanë përcjellë udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s. Ashpër e dënuan sulmin, si qeveria, ashtu edhe qytetarët e thjeshtë francezë, të cilët përjetuan në vitin 2015 një situatë të ngjashme. Donald Trump tha se, ata që e kanë planifikuar këtë sulm janë disa “dështakë të ligj”, e mbështetje për Britaninë në këtë moment të vështirë shprehu edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.