SULMI TERRORIST NE LONDER/ Ngushëllime për jetë e humbura dhe solidaritet për ashpërsimin e masave

Bota e ndoqi me tronditje situatën në Londër të shtunën në mbrëmje. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të dielën përmes një deklarate se ishte ndjerë e trishtuar dhe e prekur nga sulmet. “Sot qëndrojmë të bashkuar në ndjenjat e revoltimit dhe dhimbjes, por të bashkuar edhe në vendosmërinë tonë”. Zonja Merkel shtoi se të gjithë qëndrojnë të bashkuar “në luftën kundër çdo forme terrorizmi, të vendosur në mbështetje të Britanisë”.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se në mes të të plagosurve të shtunën kishte edhe shtetas fracezë. Ai i cilësoi sulmet një akt të shëmtuar prej frikacaku dhe shtoi se Franca do të vazhdojë të luftojë “terrorizmin me të gjitha forcat, përkrah Britanisë dhe të gjitha vendeve të tjera”.

Kryeministri i Indisë Narendra Modi i dënoi sulmet. Kryeministri australian Malcolm Turnbull tha të dielën se dy australianë ishin lënduar nga sulmet. Një prej tyre ishte në spital, ndërkohë që autoritetet po përpiqeshin të konfirmonin gjendjen e shtetasit tjetër.

Autoritetet britanike ende nuk kanë konfirmuar se bëhej fjalë për sulmues të fesë islame. Por kryeministri australian u shpreh haptazi për identitetin e autorëve: “Ky sulm është një tjetër shembull i paskrupullt i realitetit tonë të ri, kërcënimit të vazhdueshëm nga terroristë vrasës islamikë, synimit të tyre për të dëmtuar komunitetet tona, mënyrën tonë të jetesës dhe liritë tona të shtrenjta”.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se i dënon sulmet. Kremlini njoftoi se zoti Putin i kishte dërguar një telegram Kryeministres Theresa May ku shkruante për nevojën që të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit.

Oficerët e policisë shoqërojë një grua në një furgon policie, pas bastisjen një bllok të banesave në Barking

May: Është koha për qëndrim më të ashpër ndaj terrorizmit


Kryeministrja britanike Theresa May ka dënuar ashpër sulmet e fundit terroriste në Londër, që lanë shtatë persona të vdekur dhe 48 të plagosur. “Mjaft më!” u shpreh zonja May, duke theksuar nevojën për masa më të ashpra kundër terrorizmit.

Kryeministrja britanike Theresa May i bëri komentet në një fjalim drejtuar vendit, një ditë pas sulmit terrorist në Londër.​

“Ne besojmë se po përjetojmë një prirje të re në kërcënimin me të cilin përballemi ndërsa terrorizmi ushqen terrorizmin dhe autorët janë të frymëzuar për të sulmuar jo vetëm në bazë të komploteve të organizuara me kujdes pas shume vitesh planifikimi dhe trajnimi ose radikalizimit në internet, por duke kopjuar njëri-tjetrin dhe duke përdorur shpesh metodat më të egra të sulmeve”.

Kryeministrja May tha se ndërsa sulmet e fundit nuk janë produkte të të njëjtave rrjete, ato lidhen nga “e njëjta ideologji e keqe”, që pretendon se “vlerat perëndimore të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nuk përputhen me fenë islame”.

Zonja May tha se ka “një tolerancë tepër të madhe për ekstremizmin në vendin tonë. Ne duhet të jemi më të fortë në identifikimin dhe mposhtjen e ekstremizmit në shërbimet publike në mbarë shoqërinë tonë”.

Tre persona ishin të përfshinë në sulmin e mbrëmshën në Londër, ku shtypën dhjetëra njerëz me një furgon që po e ngisnin me shpejtësi të lartë, dhe pastaj në tregun e frutave dhe perimeve, Borough Market ata zbritën nga furgoni dhe goditën me thikë shumë njerëz.

Policia tha se tre autorët e sulmit u vranë nga forcat e sigurisë, tetë minuta pas telefonatës së parë nga shërbimet emergjente. Policia tha se jelekët e veshur nga sulmuesit që dukeshin si bomba vetëvrasëse, ishin të rreme. Policia dyshon se ato u përdorën nga sulmuesit për të shkaktuar frikë dhe panik.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan, dënoi sulmin dhe tha sot se banorët e Londrës duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë pasi niveli i kërcënimit nga terrorizmi është i lartë.

“Njerëzit duhet të mbeten të qetë dhe vigjilentë, të vazhdojnë veprimtarinë e tyre normale. Niveli i kërcënimit mbetet i lartë, që do të thotë se sulme të tjera terroriste në vend janë të mundshme. Prandaj të gjithë duhet të jemi vigjilentë. Nëse shihni ndonjë gjë të dyshimtë ose keni ndonjë shqetësim për sigurinë, ju lutem njoftoni autoritetet.”

Khan dhe kryeministrja britanike Theresa May sot morën pjesë në një takim urgjent të grupit qeveritar të krizave.

Sulmi i së shtunës në një prej urave kryesore të kryeqytetit britanik dhe në lagjen pranë tregut të frutave dhe perimeve, Borough Market ishte sulmi i tretë terrorist në Britani që nga marsi i këtij viti.

Shtëpia e Bardhë tha të shtunën vonë se Presidenti Donald Trump ofroi “mbështetjen e plotë” të Amerikës në hetimin e “sulmeve terroriste” në Londër, gjatë një telefonate me kryeministren britanike, Theresa May.

Departamenti i Shtetit tha përmes një deklarate se “i dënon sulmet qyqare që kishin në shënjestër civilët e pafajshëm në Londër”. “Mësojmë se policia britanike tani po i trajton këto ngjarje si incidente terroriste. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë çdo lloj ndihme që Britani mund të kërkojë për këtë çështje”, thuhet më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Në një sulm të ngjashëm ndaj këmbësorëve në Urën Westminster dhe një shpërthim vetëvrasës me bombë më pak se dy javë më parë në Mançester u vranë dhjetëra njerëz dhe plagosën mbi 100 të tjerë.

Trump: Mjaft me korrektesë, në luftë kundër terrorizmit


Presidenti Donald Trump thotë se bota duhet të heqë dorë nga prirja për korrektesë në adresimin e problemit të terrorizmit. Ai u ndal tek sulmet e Londrës si shembull i një situate që kërkon qëndrim më të ashpër ndaj imigracionit. Zoti Trump përsëriti thirrjet e tij drejtuar gjykatave që të mos pengojnë urdhrin e tij ekzekutiv për të kufizuar futjen në Shtetet e Bashkuara të shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane.

Presidenti postoi një numër komentesh në llogarinë e tij në Twitter, ku shprehte mbështetje për Britaninë, kritikonte kryebashkiakun e Londrës dhe shprehej për një ludtë të ashpër ndaj terrorizmit.

“Duhet të ndalim këtë tendencë për të ruajtur korrektesën dhe t’i vihemi punës për të garantuar sigurinë e shtetasve tanë. Nëse nuk i thërrasim mendjes, gjërat do të shkojnë më keq,” shkruan presidenti.

Presidenti vuri në shenjestër edhe kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, i pari mysliman që merr në dorë administrimin e kryeqytetit britanik: “Të paktën 7 të vdekur; 48 të plagosur nga sulm terrorist dhe kryebashkiaku thotë se “nuk ka arsye për t’u alarmuar” shkruan presidenti Trump në Twitter.