Sulm kamikaz në ambasadën amerikane në Podgoricë. New York Times raporton: Nuk ka asnjë të lënduar

Një person i panjohur hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi Qeveria e Malit të Zi.

Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter.

“Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.

Ambasada amerikane në Podgoricë po ashtu e konfirmoi sulmin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Policia tha se nuk i di motivet e sulmuesit vetëvrasës.

“Ka ndodhur një incident”, tha një zyrtar i policisë për agjencinë Reuters, por nuk dha më shumë detaje.

Nënsekretari amerikan për diplomacinë publike dhe çështjet publike, Steve Goldstein, tha se askush në ambasadë nuk u plagos, raporton New York Times.

Fotografi i Reutersit në Podgoricë tha se policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqe e saj të uebit.

Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.

Ajo i anuloi të gjitha shërbimet e parapara për ditën e sotme.

Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro-rusë atje dhe gjetkë në Ballkan.

22 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)