Suksesi i studentëve të huaj në kolegjet amerikane

Çdo pranverë, kolegjet dhe universitetet u kërkojnë folësve që t’u japin këshilla të mençura të sapodiplomuarve që do të përballen me jetën e vërtetë. Ndoshta më mirë se kushdo tjetër për këtë mund të flasin ata që u larguan adoleshentë nga vendi i tyre për të studiuar në Shtetet e Bashkuara. Zëri i Amerikës bisedoi me dy studentë të huaj, të cilët fituan me mund bursa të plota katër vjeçare në Harvard dhe në Babson.

Studentet e vitit të fundit Debora Queiroz dhe Mariam Topeshashvili nuk u rritën të privilegjuara në Brazil. Ardhja e tyre në SHBA ishte një ndryshim i madh.

“Ideja e ardhjes këtu ishte krejt ndryshe nga realiteti. Fillova të mësoj më shumë për veten. Vlerat që kishim në atdhe nuk vlenin më për jetën e re këtu”, thotë Deborah Queiroz Sena, studente në vitin e fundit të Kolegjit Babson.

“Mendoj se sfida më e madhe për mua ishte kultura, veçanërisht në Harvard. Viti im i parë ishte shumë i ashpër pasi të gjithë aty janë më të mirët nga shkollat, qytetet dhe shtetet nga vijnë”, thotë Mariam Topeshashvili, studente në vitin e fundit të Kolegjit Harvard.

Familja e saj iu largua Gjeorgjisë si refugjatë politikë kur ajo ishte vetëm 4 vjeçe. Ata përfunduan në një lagje të varfër të Rio de Janeiros.

Deborah, nga Salvadori, ëndërronte gjithashtu të vinte për të studiuar në Shtetet e Bashkuara, por familja e saj nuk i përballonte dot shpenzimet.

Të dyja vajzat morën pjesë në programin “EducationUSA”, të Departamentit amerikan të Shtetit, që synon familjarizimin e të rinjve me kolegjet dhe universitetet amerikane.

Debora u fut në Kolegjin Babson, të shtetit Masaçusets, një kolegj i specializuar për biznesin.

“Mundësia ndryshon gjithçka. Mendoj se të gjithë kanë lindur me aftësinë për të menduar dhe racionalizuar. Por, njerëzve u ofrohen mundësi të ndryshme, dhe për rrjedhojë arrijnë rezultate të ndryshme. Pas dy vitesh në Babson, arrita të ndjehem e barabartë me të tjerët”, thotë Deborah.

Gjatë vitit të saj të fundit të studimeve, Mariam bashkëthemeloi një biznes për dërgimin në shtëpi të produkteve ushqimore në Brazil, që mblodhi menjëherë një kapital prej 5 milionë dollarësh.

Mariam planifikon të kthehet në Brazil, të zgjerojë kompaninë e saj, si dhe të ndihmojë refugjatët e tjerë duke iu ofruar mundësitë që ajo pati pas largimit nga Gjeorgjia.

“Shumë njerëz i vinin në dyshim ëndrrat e mia. Kur u thashë nxënësve në shkollë të mesme se doja të vija në Harvard, më qeshën. Sinqerisht, as unë nuk mendoja se do të vija vërtet këtu. Mendoja se për t’u futur në kolegj amerikan, ose duhet të emigronin prindërit e mia për në SHBA, ose ata duhet të ishin të pasur”, thotë Mariam.

Debora do të fillojë punë në një kompani të Bostonit, me një pagë vjetore 10-fish më të madhe se ç’do të fitonte në Brazil.

Nëpërmjet përkushtimit të tyre, Debora dhe Mariam fituan shanse të reja.

VOA