Statistikat e Eurostat: Paga minimale në Shqipëri është 10 herë më ulët se sa në Luksemburg

Paga minimale në Shqipëri është 213.45 euro në 2020-ën, thotë Eurostat në një publikim të fundit. Krahasuar me vitin e kaluar, rritja është mjaft e vogël, me rreth 3 euro, pro që vjen si rrjedhojë e ndryshimeve në kursin e këmbimit, duke qenë se eurostat i bën krahasimet me monedhën europiane.

Sa i përket diferencës me vendet e tjera të Europës por edhe të rajonit, Shqipëria rezulton të jetë ajo me pagën minimale më të ulët. Gjithsesi, jo të gjitha vendet europiane, përfshirë shtete si Italia, Austria, Finlanda, Suedia, apo Norvegjia, e parashikojnë pagën minimale. Në rajon, vetëm Mali i zi dhe Serbia njohin një dysheme për pagën me ligj, dhe për të dyja vendet ngjitet në mbi 300 euro, deri në 343 në rastin e Serbisë.

Pas Shqipërisë, Bullgaria është vendi me pagën minimale më të ulët, në vetëm 312 euro në muaj. Më pas ndjekin 9 shtete të Europës lindore, me pagën minimale që varion mes 400-600 eurove. Luksemburgu ka pagën minimale më të lartë në Europë, me 2142 euro në muaj, ndjekur nga Irlanda, Holanda, Belgjika dhe Gjermania, me 1584 euro në muaj.

Roel Korkuti/SCAN