Sot Parlamenti zgjedh kryeprokurorin e përkohshëm, opozita e kundërshton me protestë

Zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë vetëm nga Partia Socialiste ka bërë që ditën e sotme, opozita të ngrihet në protestë para parlamentit.

Protesta do të mbahet në orën 09:30, ndërsa pjesë e saj do të jenë të gjitha partitë opozitare, duke përfshirë edhe LSI-në.

Vendimi për të dalë në protestë u mor ditën e shtunë nga opozita, pasi PS-ja zyrtarizoi 3 emra për tu bërë Kryeprokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, emra që do të votohen ditën e sotme në Kuvend.

Opozita e ka kundërshtuar fortë këtë gjë, duke thënë se nuk është ligjore emërimi i një Prokurori të Përkohshëm.

Protesta, Basha: Të bashkohemi për të mbrojtur Kushtetutën

Pas mbledhjes së PD-së me aleatët kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në deklaratë për media ftoi qytetarët që nesër të protestojnë para parlamentit për të mbrojtur Kushtetutën. “Ju ftoj pavarësisht bindjeve politike të bashkohemi për të mbrojtur Kushtetutën dhe reformën në drejtësi” – tha Basha

“Protesta do të zhvillohet brenda dhe jashtë parlamenti. Do të zhvillohet nga Partia Demokratike dhe qytetar të thjeshte. Interesi i Ramës është një dhe vetëm një, të shpëtoj Saimir Tahirin.

Të bashkohemi për të treguar se institucioni i opozitës është në këmbë. Nëse nesër Rama tenton që të mbaroj puçin e tij kundër Kushtetuës, ne nuk do të lejomë dhunimin e kushtetutës.

Shqiptarët nuk mund dhe nuk do ta pranojnë dhunimin e Kushtetutës. Nesër bashkohemi për këto qëllime të mëdha, për të mbrojtur kushtetutën, për të mbrojtur reformën në drejtësi. Reagimi i qytetarëve është i jashtëzakonshëm, ndaj dua ti ftoj të gjithë ata që duan reformën në Drejtësi, të gjithë të bashkohemi para parlamentit ku do të nisë protesta popullore jashtë Kuvendit dhe protesta popullore brenda Kuvendit” – tha Basha.

Kujtojmë se sot edhe LSI mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar për të ndërmarrë hapat e radhës kundër zgjedhjes së Kryeprokurorit vetëm me votat e maxhorancës. Kryetarja e LSI-së iu bëri thirrje anëtarëve t’i bashkohen protestës jashtë parlamentit, ndërsa deputetët do të kundërshtojnë brenda sallës, në seancën e paralajmëruar. Tre ditë më parë maxhoranca në Komisionin e Ligjeve miratoi një raport për 7 kandidaturat për Kryeprokuror, ku vetëm 3 prej tyre sipas deputetëve të PS-së përmbushin kriteret e përcaktuara.

Kryemadhi: Rama i çmendur, nuk lejojmë zgjedhjen e kryeprokurorit

Opozita paralajmëroi një ditë më parë një protestë para seancës plenare të Kuvendit, ndërsa në mbledhjen e ditës së sotme të Komitetit Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuesja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi u shpreh nuk do të lejohet zgjedhja e Kryeprokurorit të Përkohshëm. “Jemi shumë të qartë të mos e lejojmë nesër këtë proces në seancë”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI tha më tej se mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama e ka bllokuar për muaj të tërë reformën në drejtësi. Krymemadhi nuk i ka kursyer fjalet e ashpra ne drejtim te kryeministrit te cilin e ka cilesuar nje te çmendur fundi i te cilit sipas saj po vjen.

“Ky njeri e ka futur mazhorancën të luajë në fushën e krimit. Frika dhe ankthi që ka Tahiri e çon drejt uzurpimit të institucioneve të drejtësisë. Për LSI, Prokurori i Përgjithshëm nuk është çështje emrash. Nuk i kemi dhënë votat për reformën në drejtësi për një grup oligarkësh. Arroganca e kryeministrit ka kaluar çdo kufij institucional e njerëzor. E ka kthyer këtë vend në një bazë të krimit, terrorit dhe të korrupsionit”, u shpreh Monika Kryemadhi.