Sot në përvjetorin e vdekjes së Atë Vinçenc Malajt, françeskan e studiues i njohur shqiptar

Figura poliedrike e Atë Vinçenc Malajt, françeskan e figurë poliedrike, la pas veprën e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, pastaj veprën dy vëllimshëm “Të Dhëna Albanologjike: folklor, bibliografi e histori”, botime françeskane e shumë shkrime tjera me vlerë të jashtëzakonshme. Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari për kulturën shqiptare.

R.SH. – Vatikan

Kujtojmë sot, më shkurt, përvjetorin e vdekjes së Atë Vinçenc Malajt, françeskan e studiues i njohur shqiptar.

Atë Vinçenc Malaj, lindi më 1 dhjetor 1928 në Ljarje të Krajës, vdiq më 4 shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros. Ndërmjet këtyre dy datave, kemi një jetë plot veprimtari, që filloi me thirrjen për rrugë rregulltare ndër françeskanë, vijoi me studimet në liceun Illyricum, kushtet e përjetshme të jetës rregyulltare ndër bijtë e shën Françeskut të Asizit, studimet filozofike e teologjike në Zagreb e ato linguistike në Romë, me prof. Ernes Koliqin, shugurimin meshtarak e kremtimin e Meshës së parë në Tuz më 13 tetor 1957.

Pra françeskani Atë Vinçenc Malaj qe meshtar dhe studiues i njohur që la një trashëgimi të pasur kulturore. Bashkëpunoi me revistën “Shenjzat” të prof. Ernest Koliqit, ku botoi disa studime; shkroi veprën “Kuvendi I Arbënit”, studioi veprën e imzot Pjetër Bogdanit, bëri shumë gjurmime mbi historinë kombëtare të popullit shqiptar, mbi krishterimin ndër shqiptarë e mbi atletin e Krishtit, heroin Gjergj Kastriotit Skënderbeut, artin e tjera.

Në moshë të shtyrë u rikthye atje ku kishte nisur jetën rregulltare: në Shkodër, ku dha mësim në Seminarin ndërdioqezan, që sapo ishte hapur, mbi historinë e kombit dhe të krishterimit shqiptar, duke i mësuar të rinjtë shqiptarë mbi të kaluarën e rrënjët etnike e shpirtërore, shpresë e ardhmërisë së Kombit dhe të Kishës së martirizuar shqiptare.